Ndërlidhjet

Në kërkim të identitetit të të zhdukurve


Fotografi të të pagjeturve
Fotografi të të pagjeturve

Trupat serbe, para tërheqjes së tyre nga Kosova, 11 vjet më parë, kanë komplikuar punën për gjetjen e personave të zhdukur dhe identifikimin e tyre, vlerësojnë përfaqësues të Departamentit për Mjekësi Ligjore dhe Persona të Zhdukur në Kosovë. Ekspertët e forenzikës theksojnë nevojën për largimin e politikës nga ky proces.


Tërheqja e trupave serbe nga Kosova pas fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s, ndonëse i dha fund luftës në Kosovës, duket se ka lënë hapur një problematikë tjetër, me të cilën po ballafaqohen mbi 1,000 familje kosovare.

Aktualisht, vazhdojnë të mbesin të zhdukur më se 1,800 njerëz në Kosovë, ndërsa 420 mbetje mortore, të cilat gjenden tash në të ashtuquajturën “Dhoma e Ftohtë”, janë ende të paidentifikuara.

Drejtori i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu, vlerëson se mungesa e vullnetit për bashkëpunim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të zbardhur fatin e të pagjeturve, po i pengon edhe hetimet e zyrave përkatëse për mjekësi ligjore.

“Kemi rastin e Batajnicës dhe të Petrosellës ku kemi gjetur viktima nga të gjitha anët e Kosovës, qoftë nga Izbica, Meja, Gjakova, Vushtrria, do të thotë në tampon-zonën e tërheqjes së trupave serbe nga Kosova ato 12 ditë, ata i kanë zhvarrosur dhe i kanë rivarrosur në Batajnicë”.

“Pastaj, ekipet serbe i kanë zhvarrosur, i kanë punuar dhe i kanë lënë në shpellat e Batajnicës dhe tani, për herë të katërt, ne i tërheqim dhe duhet t’i punojmë prej fillimit”,
thotë Gërxhaliu.

Problemet teknike janë një çështje tjetër që duket se sfidojnë punën e Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore.

Kreu i kësaj zyre thekson se që nga paslufta në Kosovë janë bërë disa gabime. Në këtë kuadër, sipas tij, hyjnë gabimet e grupeve të Tribunalit të Hagës, që kanë kryer mbi 4,019 ekshumime, nga të cilat identifikimi është bërë vetëm në mënyrë vizuele.

Një çështje tjetër, sipas Gërxhaliut, është se për trupat e gjetur është kërkuar vetëm shkaktari i vdekjes. Pastaj, shpjegon Gërxhaliu, ka familjarë, të cilët në mënyrë individuale i kanë marrë trupat nga varrezat masive, për të cilët kanë besuar se u takojnë familjarëve të tyre dhe i kanë varrosur pa u identifikuar në mënyrë shkencore.

Informatat e sakta për varrezat masive, thotë Gërxhaliu, janë të rralla.

“Problemet, në të cilat hasim 11 vjet pas, është se ne kemi informata të shumta. Pra, tani kemi ardhur në kohën kur, për shembull, prej vitit të kaluar nga 80 operacione që i kemi bërë si institut në terren, pozitive i kemi pasur vetëm pesë. Kjo do të thotë se deri në një masë 85 - 90 për qind i kemi pasur negative”
, sqaron Gërxhaliu.

Ndërkaq, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut thonë se krijimi i komisioneve rajonale për verifikimin e fakteve që kanë të bëjnë me personat e zhdukur gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, është në proces e sipër.

Për drejtoren e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ky është një proces që përfshin shoqërinë civile nga rajoni, e cila do të mundohet të vendosë dialog dhe të lehtësojë zbardhjen e fatit të mijëra personave të zhdukur.

“Në këtë nivel, rajonal, shihet shpresa se mund të vijë deri te zbardhja e fatit të 16 - 17 mijë personave të zhdukur (të pagjetur)”
, shprehet Kandiq.

Shqetësim më vete, sipas saj, paraqet edhe fakti se si do të ndërtohen këto komisione kur dihet se Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin Kosovën.

Sidoqoftë, Kandiq pret që këto grupe konsultative nga shoqëria civile të zhvillojnë një debat të dobishëm, jo vetëm në lidhje me fatin e personave të pagjetur, por një debat, nga i cili do të përfitonin edhe gjeneratat e ardhshme nga viset e ish-Jugosllavisë.

Bashkëpunimi i grupeve të hetuesve nga Serbia dhe Kosova, sipas profesorit të forenzikës, dikur kryesues i Akademisë Mesdhetare të Shkencave Forenzike, Ali Çedli, mund t’i kontribuojë procesit të gjetjes së varrezave masive, të gjetjes së personave të zhdukur dhe të identifikimit të tyre.

Çedli thekson se politika duhet të lihet anash nga ky proces, i cili, siç vlerëson ai, është tejet i rëndësishëm për familjarët e të pagjeturve dhe të paidentifikuarve.

“Mendoj se duhet t’i lëmë anash prapavijat politike nga këto çështje dhe duhet të jemi të përfshirë në to si shkencëtarë, për të punuar për të mirën e popullit dhe kjo është e tëra”.

“Duhet t’u japim identitet njerëzve të zhdukur, duhet t’i kthejmë ata te familjarët e tyre dhe kështu me radhë. Ky është qëllimi i grupeve hetuese të varrezave masive”,
thekson Çedli.
XS
SM
MD
LG