Ndërlidhjet

“Jo” gjyqtarëve serbë në veri


Përfaqësues të EULEX-it thonë se do të shqyrtojnë çdo opsion, që mundëson rifunksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës. Ideja për rikthimin e disa gjyqtarëve serbë të emëruar nga Serbia, u hodh poshtë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.





Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk do ta miratojë kthimin e gjyqtarëve e prokurorëve serbë në gjykatat në veri të Kosovës, po qe se ata janë të mandatuar tashmë nga institucionet e shtetit serb, thonë përfaqësues të këtij këshilli.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë për Radion Evropa e Lirë se me kthimin e gjykatësve serbë, të emëruar kohë më parë nga Beogradi zyrtar, do të shkelej Kushtetuta e Kosovës - gjë që, siç thotë ai, është e papranueshme.

“Jemi (për atë) që në këtë institucion të përfshihen edhe gjyqtarët e nacionalitetit serb. Absolutisht nuk jemi kundër, mirëpo ata gjyqtarë, të cilët janë në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe jo në sistemin gjyqësor të Serbisë, ngase me këtë rast shkelet edhe Kushtetuta e Kosovës”,
deklaron kryetari Enver Peci.

Deklarata e kreut të Këshillit Gjyqësor të Kosovës pason paraqitjen e idesë që përveç dy gjyqtarëve shqiptarë, në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës të kthehen dhe dy gjyqtarë serbë të emëruar nga Qeveria e Serbisë.

Kjo mundësi u diskutua në takimin e së mërkurës, të zhvilluar ndërmjet zyrtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe atyre të Këshillit Gjyqësor, por pa u përmendur ndonjë emër konkret.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, e cilëson si urgjent rikthimin e gjykatësve e prokurorëve vendorë në institucionet gjyqësore në veri të Kosovës.

Ajo thotë se për të arritur këtë qëllim, nevojitet fleksibiliteti dhe pragmatizmi i të gjitha palëve të përfshira në këtë çështje.

“Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe urgjentisht duhet të gjejmë një zgjidhje. Për ta bërë këtë duhet të jesh fleksibil dhe pragmatik. Ne nuk jemi ngujuar në asnjë zgjidhje, por jemi duke biseduar me të gjitha palët e përfshira duke u përpjekur që të gjendet një zgjidhje për rikthyer funksionimin e plotë të Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës”.

“Kjo është më e rëndësishmja për ne - nuk është një çështje politike
”, thotë Limdal, duke theksuar vendosmërinë e EULEX-it që përmes bisedimeve të vazhdueshme me Prishtinën dhe Beogradin të zgjidhet kjo çështje.

Mirëpo, Enver Peci shpreh bindjen sa ka alternativa të tjera, përveç asaj që është paraqitur nga ana e EULEX-it.

Ai bën të ditur se Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka identifikuar tashmë 10 gjyqtarë e prokurorë serbë, të cilët i plotësojnë kushtet dhe janë kandidatë potencialë për t’u kthyer në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës.

“Ne e kemi treguar fleksibilitetin tonë, sepse në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, kemi identifikuar disa gjyqtarë e prokurorë të nacionalitetit serb që kanë ende statusin, i cili u mundëson të inkuadrohen në sistemin tonë”.

“Kjo do të thotë se ata janë të emëruar nga përfaqësuesi special, nuk kanë kaluar në detyrë tjetër, apo në emërim, prej Kuvendit të Serbisë. Kështu që kemi solucione dhe ata, sa na përket neve, lirshëm mund të kthehen dhe të punojnë së bashku me kolegët e tyre shqiptarë”
, shprehet Enver Peci.

Gjykatat në veri të Kosovës ishin bllokuar disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve lokalë.

Ato u rifunksionalizuan pjesshëm me praninë e një pjesë të gjyqtarëve e prokurorëve evropianë në mars të vitit të shkuar.

Qeveria e Serbisë, në fillim të muajit janar, kishte emëruar disa gjykatës e prokurorë serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës, vendim ky që nga Prishtina zyrtare ishte cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG