Ndërlidhjet

Gjykatat-shkelës apo mbrojtës të të drejtave?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përveç thirrjeve të autoriteteve ndërkombëtare për përmirësimin e gjendjes në gjykatat në veri të Kosovës, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut shprehin nevojën që kjo të ndodhë nëpër tërë gjykatat në vend.



Nevoja, siç thuhet, urgjente për rifunksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ndër të tjera vjen për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, si pasojë e mosfunksionimit të tërësishëm të këtyre gjykatave.

Mirëpo, sa respektohen të drejtat e njeriut në institucionet gjyqësore në Kosovë, ku tashmë është vendosur shteti ligjor?

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Prishtinë e quajnë shqetësuese shkallën e shkeljes së të drejtave të njeriut që ndodh nëpër gjykatat në Kosovë.

Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se 30 deri në 40 për qind e rasteve që i drejtohen institucionit të Ombudspersonit në vend, kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut nëpër gjykata.

Kurteshi sqaron natyrën e rasteve të tilla:

“Ato kanë të bëjnë me tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, me mos-hapjen e procedurës gjyqësore dhe me mosekzekutimin e vendimeve të plotfuqishme gjyqësore. Por, kemi edhe raste të shkeljes së normave të ndryshme ligjore, kemi raste të parashtresave që prekin çështjen e korrupsionit në gjyqësor. Këto krejt janë probleme”.


Për t’i reduktuar rastet kur nëpër gjykata në Kosovë shkelen të drejtat e njeriut, sipas Kurteshit, është i nevojshëm zbatimi i reformave nëpër këto institucione.

Ombudspersoni kosovar u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të ndërmarrin një varg masash për të përmirësuar gjendjen në sistemin gjyqësor.

“Duhet të ngritët niveli i motivimit material, duhet të rregullohet çështja e hapësirës ku punojnë ata. Duhet të rritet numri i njerëzve, qoftë i gjykatësve, qoftë i stafit ndihmës dhe duhet, vërtet, të shihet përgatitja e tyre profesionale, sepse konstatojmë shumë shpesh se mungon përgatitja profesionale e gjykatësve në Kosovë”
, thekson Kurteshi.

Për ta përmirësuar gjendjen në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, Bashkimi Evropian mandatoi një mision, i cili ka për detyrë të këshillojë, mentorojë dhe monitorojë institucionet përkatëse. Megjithatë, edhe EULEX-i vihet në thumb të kritikave të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, thekson nevojën për zbatimin e mandatit të EULEX-it si mision teknik, e jo vendimmarrës.

Shala thotë se misioni evropian për rend dhe ligj nuk ka vullnet që ta përmirësojë gjendjen, as në gjykatat në veri, e as nëpër gjykatat, në pjesët e tjera të Kosovës.

“EULEX-i duhet të punojë në përputhje me cilësinë që e ka të përcaktuar dhe mandatin që ka. EULEX-i, po qe se do të donte, ka aq shumë punë, ka aq shumë raste në pjesën institucionale, mirëpo duket se nuk ka asnjë gatishmëri”,
thotë Shala.
XS
SM
MD
LG