Ndërlidhjet

Rreth 200 mijë lëndë në pritje



Nëpër gjykatat e Kosovës presin zgjidhje rreth 200 mijë lëndë. Drejtuesit e gjykatave thonë se grumbullimi i lëndëve është bërë kryesisht për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryetari i ri i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, alarmon se pa një veprim të shpejtë, me këtë kapacitet aktual të gjyqtarëve, lëndët nuk do të zgjidhen për vite me radhë.

“Në gjyqësorin e Kosovës ka shumë lëndë për t’u zgjidhur. Në këtë gjendje, në të cilën ndodhet sistemi gjyqësor, me një mal të lëndëve të pazgjidhura, ne duhet të kërkojmë alternativa të tjera, ngase është e pamundur, me këtë numër të gjyqtarëve, t’i zgjidhim ato lëndë”.

“Prishtina, me numrin e lëndëve të pazgjidhura që ka, me këtë kapacitet gjyqësor që ka, me këta gjyqtarë që ka, për pesë vjet nuk mund t’i zgjidhë këto lëndë që janë deponuar, pa marrë lëndë të reja”
, thotë Hasani.

Zoti Hasani mendon se me riemërimin e gjyqtarëve, procesi i shqyrtimit të lëndëve do të përshpejtohet.

“Momentalisht, nuk kam ndonjë statistikë ekzakte, por përafërsisht janë 200 mijë lëndë. Te ne, numrin më të madh të lëndëve e bëjnë lëndët e përmbarimit ose të ekzekutimit. Sigurisht që me procesin e riemërimit të gjyqtarëve, do të mendojmë edhe forma, edhe metoda, edhe alternativa të tjera për zvogëlimin e numrit të lëndëve”, thekson Hasani.

Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se në grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura ka ndikuar edhe mosfunksionimi i gjykatave në veri të Kosovës. Një gjë të tillë e thotë edhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Aty është një problem, ka edhe natyrë politike dhe ka krijuar probleme shumë të mëdha për faktin se, ju sigurisht e dini, kanë qëndruar njerëzit në paraburgim me vite - ndërsa ligji parasheh dhe i ka limituar afatet se sa mund të qëndrojnë - për shkak të transferimit të lëndëve nga gjykata e Mitrovicës në atë të Vushtrrisë”, thotë Fejzullah Hasani.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi në Kuvendin e Kosovës, Bahri Hyseni, thotë se, duke pasur për bazë numrin e lëndëve të grumbulluara dhe moszgjidhjen e tyre, Kuvendi do të interesohet dhe do t’i japë rekomandimet në çështjet, të cilat mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Njerëzit e kanë humbur besimin te sistemi gjyqësor. Lëndët po presin me vite të tëra. Domethënë, një lëndë për një rast që është çështje e thjeshtë administrative, nuk kërkohen as hetime, pret mbi 5 vjet. Në këto raste, ne duhet të veprojmë disi”.

“Së shpejti, ne do të flasim ndoshta me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të kërkojmë që të ndryshohet diçka në interes të institucioneve, sepse, të presim me vite të tëra për lëndë dhe të presin qindra lëndë, natyrisht që qytetarët me të drejtë e humbin besimin”
, shprehet Hyseni.

Ai thotë se Kuvendi i Kosovës është duke miratuar ligje për kompletimin e infrastrukturës ligjore për gjyqësorin dhe kjo, sipas tij, do të ndikojë që edhe gjyqtarët të marrin përgjegjësi më të madhe në punën e tyre.

“Ne jemi duke krijuar infrastrukturën ligjore, e cila do të qartësojë shumëçka në sistemin gjyqësor. Domethënë, do të bëjmë riorganizim të ri të sistemit gjyqësor dhe kjo do të ndikojë pozitivisht. Reforma mbi gjyqësorin ka filluar”, thekson Hyseni.

Gjyqësori i Kosovës është kritikuar nga një varg organizatash dhe institucionesh ndërkombëtare. Ndër kritikat kryesore që ka marrë është ajo për praninë e korrupsionit.
XS
SM
MD
LG