Ndërlidhjet

logo-print

IATA: 1.7 miliardë dollarë humbje për kompanitë ajrore



Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror, IATA, tha se çrregullimet në trafikun ajror në Evropë të shkaktuara nga hiri vullkanik në Islandë i kanë kushtuar industrisë të paktën 1.7 miliardë dollarë.

Drejtori ekzekutiv i IATA, Gjovani Bisinjani, tha se shkalla e çrregullimeve ishte më e rëndë sesa pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001 në SHBA.

Shumica e aeroporteve kryesore të Evropës sot filluan të operojnë, pasi Britania mbrëmë njoftoi se e ka rihapur gjithë hapësirën ajrore të saj.

Miliona udhëtarë mbetën të bllokuar pasi qeveritë evropiane vendosën t’i mbyllin hapësirat ajrore të tyre të enjten e kaluar pas shpërthimit të vullkanit në Islandë.

Agjencitë për mbrojen civile në Islandë thanë sot se vullkani Ejafjoell e ka humbur afro 80 përqind të fuqisë që nga java e kaluar kur arriti kulmin e shpërthimit.

Ekspertët patën paralajmëruar se hiri vullkanik mund të shkaktojë prishjen e motorëve të aeroplanëve.
XS
SM
MD
LG