Ndërlidhjet


Në luftën kundër abuzimit me substanca narkotike, autoritetet përkatëse gjithnjë e më shumë po përballen me të dhëna shqetësuese për rritjen e numrit të përgjithshëm të përdoruesve të drogës, e posaçërisht për moshën e re që kanë këta përdorues.

Sabrije Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës, jep të dhënat e fundit në këtë drejtim:

“Sa u përket statistikave të vitit 2010, janë arrestuar 110 persona të dyshuar dhe janë hetuar 50 raste; janë sekuestruar 17 kg heroinë, 163 kg marihuanë etj. për periudhën janar – mars”.

Sipas Kamberit, janë moshat e reja ato që përdorin lloje të ndryshme të drogave, kryesisht ato me çmim më të ulët.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe në një studim të bërë nga UNICEF-i, mbi përdorimin e substancave narkotike. Arbena Kuriu, nga ky institucion, shpjegon më shumë:

“Prej moshës 16-vjeçare fillojnë të konsumojnë duhanin, alkoolin; rreth 4 për qind kanë provuar kanabisin, barin, hashashin, marihuanën; 0.4 për qind kanë provuar heroinën”.

Një shqetësim tjetër për UNICEF-in është edhe infektimi me HIV/AIDS si dhe me Hepatitin B, gjatë përdorimit të substancave narkotike.

“Grupi i përdoruesve të drogave është në rrezik të madh të infektohet me HIV/AIDS si dhe me Hepatitin B. Këto grupe të margjinalizuara duhet të adresohen me masa të veçanta”
, thotë Kuriu.

Shkaqet që i detyrojnë këta persona të përdorin droga të ndryshme, sipas hulumtimeve të bëra, janë varfëria dhe papunësia, kombinuar edhe me çmimin e ulët të drogave në tregun e Kosovës.

Ndryshe, Kosova njihet si vend transit, por, sipas vlerësimeve të autoriteteve të rendit, me tendencë të shndërrohet edhe në vend kultivues të substancave narkotike.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG