Ndërlidhjet

logo-print

Fratini: Prishtina dhe Beogradi në samitin e Sarajevës


Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë konferencës për shtyp. Prishtinë, 28 prill 2010.

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë konferencës për shtyp. Prishtinë, 28 prill 2010.

Gjatë vizitës që i bëri Prishtinës, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha se ka propozuar formulën, e cila do t’i bashkojë në konferencën e Sarajevës si Kosovën, ashtu edhe Serbinë.



Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, konfirmoi sot në Prishtinë se ka marrë në parim pëlqimin e Kosovës dhe të Serbisë për pjesëmarrjen e tyre në konferencën joformale të Sarajevës, që parashihet të mbahet në pjesën e parë të qershorit.

Fratini tha se modeli që do të përdoret, është i ngjashëm me konferencën e para një viti, të mbajtur në Pragë, e cila ishte organizuar nga Bashkimi Evropian, e njohur si modeli Gimnik, sipas të cilit, ftohen ministrat e shteteve në konferencë, por aty nuk përdoren simbole dhe atribute shtetërore.

“Do të jetë një prani që do të dëshmohet me emrat e pjesëmarrësve dhe jo me flamujt e vendeve”,
tha Fratini.

Sidoqoftë, diplomati italian tha se do të konsultohet edhe me presidencën e radhës së BE-së, atë spanjolle. Nëse përfundimisht do të shkohet me këtë model, Fratini tha se më pas pret nga presidenca spanjolle që t’i përgatisë ftesat, të cilat do të jenë të njëjta për të gjithë të ftuarit, duke e ruajtur dinjitetin e të barabartëve, siç tha ai.

Propozimi i Fratinit u mbështet nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Ai tha se çdo përfaqësim i Kosovës në nivel të barabartë me vendet tjera, është i pranueshëm për Kosovën.

“Kosova pranon çdo format që është i barabartë për të gjithë. Nëse vihen flamuj, tituj apo emra shtetesh, vihen për të gjithë; nëse jo, ato nuk vihen për asnjërin vend. Dhe, derisa është formati i barabartë, unë sot e kam dhënë pëlqimin tim për pjesëmarrjen e Kosovës në nivel të ministrit të Jashtëm, natyrisht nëse do të jetë nivel i tillë për pjesëmarrjen e Kosovës”, tha Hyseni.

Ky model, sipas diplomatit italian, është mbështetur edhe nga ana e Beogradit.

“Serbia ka thënë se nëse modeli do të jetë ‘Gimnik’, për këtë vend nuk ka probleme dhe se Beogradi do të mrarë pjesë në konferencë, ngjashëm si edhe në konferencën e para një viti në Pragë”, theksoi Fratini.

Më pas, diplomati italian u prit edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu. Ndërsa Fratini inkurajoi autoritetet në Serbi dhe në Kosovë ta nisin dialogun për disa çështje të hapura ndërshtetërore, presidenti i Kosovës, Sejdiu, i konfirmoi atij gatishmërinë e Prishtinës për bisedime në nivel shtetesh të barabarta.

“E informova për qëndrimin e mirë që kemi në kuptim të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit dhe ndjenjën tonë të miqësisë edhe për raportet që duhet t’i kemi me Serbinë, por raporte që gjithmonë duhet të mbështeten mbi bazat e dy shteteve sovrane”
, tha Sejdiu.

Si edhe në raste të tjera, vizitat e diplomatëve të lartë evropianë janë përmbyllur me një fjalim para Parlamentit të Kosovës.

Në këtë fjalim, Franko Fratini u tha deputetëve kosovarë se Italia e mbështet Kosovën në ambiciet e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, si dhe për t’u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG