Ndërlidhjet

Kandiq: Drejtësia dhe e vërteta normalizojnë raportet Kosovë - Serbi


Natasha Kandiq

Natasha Kandiq

"Tash duhet klimë, në të cilën, përmes së vërtetës dhe drejtësisë mbi të kaluarën, mund të ndërtohen raporte normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", thotë Natasha Kandiq, drejtore e Fondit për të Drejtën Humanitare.



RADIO EVROPA E LIRË

Zonja Kandiq, debati për koalicionin KOMRA tashmë ka filluar. Cilat mendoni se janë sfidat në drejtim të formimit të një koalicioni të tillë?

NATASHA KANDIQ
Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është që të iniciohet diskutimi mbi të kaluarën dhe të bëhen përpjekje që të themelohet një opinion publik rajonal mbi të kaluarën, sepse dihet që lufta ka filluar në vitin 1991.

Pas luftërave, ne nuk kishim asnjë iniciativë që do të kishte për qëllim t’i mbledhë të gjitha organizatat joqeveritare, për t’i diskutuar mundësitë për t’iu qasur së kaluarës. Por, tani kemi një koalicion, kemi një qasje rajonale, kemi një iniciativë që përqendrohet në viktima.

Mendoj se është hera e parë që shoqëria civile rajonale e ka kuptuar se sa e rëndësishme është të parandalohet që politikanët ta adresojnë të ardhmen evropiane si prioritet të shoqërisë, duke i ndalur diskutimet mbi krimet dhe të kaluarën.

Mendoj se kemi mundësi të bëjmë presion mbi politikanët, që të kuptojnë se pjesë e obligimeve të tyre është që të mbështetet qasja rajonale mbi idenë për mbledhjen e fakteve për të gjitha viktimat dhe për të ndërtuar raporte faktike mbi të kaluarën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë, megjithatë, mbesin të pagjetur mbi 1800 njerëz. A është punuar mjaft në këtë drejtim nga institucionet në Kosovë, vendore dhe ndërkombëtare?

NATASHA KANDIQ

Jo, kemi numrin e njëjtë të njerëzve të pagjetur sikurse vitin e kaluar. Kjo do të thotë se nuk ka vullnet politik, as lokal, as rajonal e as ndërkombëtar, për t’i hapur të gjitha burimet e informatave.

Ajo që është absolutisht e qartë, është se ka disa varreza masive dhe se informatat mbi varrezat masive i posedojnë autoritetet serbe. Në anën tjetër, informatat mbi varrezat me mbetje mortore të serbëve duket se i kanë disa komandantë apo anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, nuk ka vullnet politik për t’i mbështetur familjet, të cilat janë në pritje të informatave.

Në të gjithë rajonin kemi më shumë se 16 mijë njerëz të pagjetur dhe mendoj se është obligim kryesor i qeverive dhe shoqërive që të mos i shqetësojnë më familjet dhe që t’i mbështesin ato në gjetjen e mbetjeve mortore, për të ditur se ku është varri i atyre që u mungojnë.

Ky komision mund t’u ndihmojë familjeve dhe mund të bëjë presion mbi qeveritë, që të jepen informatat mbi personat e pagjetur.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a ka pasur në anën tjetër vullnet politik në Beograd për të bashkëpunuar me Kosovën dhe vendet e rajonit?

NATASHA KANDIQ
Është me të vërtetë një çështje e ndjeshme. Po, ne nuk kemi marrëdhënie ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo prodhon pyetjen se si mund të ketë marrëdhënie ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kur Serbia nuk e njeh Kosovën.

Mendoj se ideja mbi krijimin e një komisioni rajonal mund të ndihmojë në vendosjen e marrëdhënieve. Tani i kemi hetimet mbi vendin e krimit të Qyshkut në Beograd dhe jam e sigurt se pas kësaj do të lëshohet padia kundër më shumë se 15 autorëve.

Por, neve na duhet më shumë. Neve na duhet klima, në të cilën, përmes së vërtetës dhe drejtësisë mbi të kaluarën, mund të ndërtohen raporte normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se duhet të ketë një presion ndërkombëtar mbi Serbinë, kur bëhet fjalë për luftërat në Ballkan, e veçanërisht rreth Kosovës? A mendoni se Brukseli mund të luajë një rol në këtë?

NATASHA KANDIQ
Po, në dhjetorin e vitit të kaluar, ne organizuam një prezantim mbi këtë iniciativë në Bruksel dhe Komisioni Evropian, veçanërisht departamenti për Ballkanin, na mbështeti shumë.

Përfaqësuesit dhe anëtarët e Komisionit Evropian e kuptuan shumë mirë se sa është e rëndësishme për një shoqëri që t’i mbajë kujtimet mbi luftën, që të përpiqet të ndërtojë kujtimet mbi viktimat dhe që të përpiqet të krijohet një klimë, në të cilën të gjitha viktimat do të respektohen.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ky presion duhet të ngrihet edhe në nivel politik?

NATASHA KANDIQ
Po, shpresoj se po. Është shumë herët të flitet për këtë gjë, sepse tani na duhet një mbështetje e madhe e shoqërisë civile dhe duhet të shohim kapacitetin e shoqërisë civile karshi qeverive.

Kjo do të bëhet më e qartë në vitin e ardhshëm, kur do të organizojmë një fushatë për të mbledhur 1 milion nënshkrime dhe atëherë do të kemi nevojë për presionin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG