Ndërlidhjet

Holder: Arrestohet i dyshuari që u përpoq të ikë nga SHBA



Prokurori i përgjithshëm në SHBA, Erik Holder, tha se autoritetet amerikane kanë arrestuar një njeri në lidhje me përpjekjen për sulm me bombë në sheshin “Tajms Skuer” të Nju Jorkut, në kohën kur ai po përpiqej të lëshojë vendin.

Holder tha se njeriu u arrestua në aeroportin ndërkombëtar “Xhon F. Kenedi” të Nju Jorkut teksa po bëhej gati të hyjë në aeroplan për të fluturuar në Dubai. Holder e identifikoi të arrestuarin si Faisal Shahzad, shtetas amerikan.

Prokurori i përgjitshëm tha se po vazhdon hetimi për atë që ai e quajti “akt terroist”.

“Hetimet janë në vazhdim e sipër, ashtu si përpjekjet tona për të grumbulluar informata të nevojshme. Por është e qartë se qëllimi i këtij akti terrorist ka qenë të vriten amerikanë”, tha Holder.

Autoritetet thanë se njeriu me siguri do të dalë sot para gjykatës federale në Menhatan ku do t’i prezantohen “akuzat formale”.

Mediat raportuan se njeriu, i cili thuhet se është një amerikan 30 vjeçar me origjinë nga Pakistani, besohet që së fundi ishte kthyer në SHBA nga një udhëtim në Pakistan.

Besohet se ky është personi që kohë më parë e kishte blerë automjetin, të cilin e kishte mbushur me benzinë, propan, fyshekzjarre dhe nitrate në sheshin “Tajms Skuer”, por makina nuk arriti të shpërthejë.
XS
SM
MD
LG