Ndërlidhjet

A do të përfshihet veriu në bisedimet teknike?


Mitrovicë
Mitrovicë

Politikanë dhe analistë kosovarë thonë se çështja e pazgjidhur e veriut të Kosovës duhet të diskutohet me Serbinë, por vetëm në kuadër të planit të Ahtisaarit. Analistët thonë se çdo bisedim me Serbinë merr edhe karakter politik.


Bisedimet Kosovë - Serbi, për të cilat po përflitet, por ende nuk është arritur të përcaktohet natyra e tyre, apo data eventuale, sipas Prishtinës zyrtare dhe analistëve, do të duhej të përfshinin problemet e pazgjidhura në veri.

Por, insistohet që ato të mos marrin karakter politik dhe të respektojnë gjithë atë që përcaktohet me Planin Ahtisari.

Ish-kryetari i Mitrovicës, tash ministër i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk duhet të ketë asnjë devijim nga Plani Ahtisari.

“Çështja e Mitrovicës është shumë e qartë në Pakon e Ahtisarit, duhet të legalizohet komuna, duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të ketë struktura legale që do të dalin nga zgjedhjet e organizuara nga ne, të përkrahen ato struktura dhe të integrohen në proceset dhe institucionet demokratike. Me Serbinë nuk kemi çka të merremi për çështjet tona të brendshme”, thotë Rexhepi.

Veriu i Kosovës nuk kontrollohet ende nga institucionet kosovare, por nga strukturat paralele serbe të sigurisë dhe të fushave të tjera.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-negociator në bisedimet e Vjenës, Blerim Shala, tërheq vërejtjen që në bisedimet me Serbinë, veriu kurrsesi të mos trajtohet si çështje e veçantë.

“Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë kuptim politik për Prishtinën zyrtare vetëm në kuadër të konceptit të zbatimit të Pakos së Ahtisarit. Nëse ndahet veriu i Kosovës si temë e veçantë e bisedimeve, automatikisht do të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe ka rrezik, që për veriun të ofrohet diçka që nuk është e përfshirë në Pakon e Ahtisarit”.

“Ne jemi fuqimisht kundër këtij qëndrimi, sepse krijon një disbalancim të trajtimit të komunitetit serb në Kosovë dhe kjo, domosdoshmërisht, sjell kokëçarje të mëdha për stabilitetin e brendshëm të Kosovës, por ne jemi të bindur edhe për stabilitetin rajonal”,
shprehet Shala.

Në anën tjetër, analisti politik, Agron Bajrami, konsideron se çdo lloj bisede me Serbinë merr karakter politik.

Bajrami u sugjeron institucioneve të Kosovës, që para se të ulen në tryezën e bisedimeve, të hartojnë një listë me probleme të pjesës veriore. Si pikë të parë, ai thotë se duhet kërkuar largimin e të gjitha strukturave paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë.

“Meqë Serbia ka influencë në pjesën veriore dhe e cila është shumë e dukshme, përmes strukturave paralele, sidomos të sigurisë, të MPB-së, e kështu me radhë, atëherë mendoj se në çdo bisedim do të ishte e domosdoshme që të prezantohet kërkesë e prerë nga ana e palës kosovare që Serbia të ndalë veprimin e saj të dëmshëm në veri. Kjo do të ishte do të thosha, pika fillestare për çfarëdo diskutimi të mëtejmë”, vlerëson Bajrami.

Ndërkohë, edhe pse insistojnë që me Serbinë të flitet vetëm për çështje praktike, qeveritarët e kuptojnë se do të jetë vështirë të ruhet kjo natyrë e bisedimeve. Ministri Rexhepi shpjegon:

“Në raport me Serbinë, edhe çështjet teknike dëshirojnë t’i politizojnë. Por, këto janë çështje puro teknike. Çështjet statusore politike janë të zgjidhura për ne dhe aty nuk kemi çka të bisedojmë”.

Serbia për këtë vit ka ndarë mbi 40 milionë euro për strukturat paralele serbe në Kosovë. Ndërkohë, strategjia e Qeverisë për ta integruar veriun e vendit, nuk ka nisur ende së zbatuari.

Autoritetet e Prishtinës, ditët e fundit kanë fajësuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë, për mosdhënie të ndihmës për ta jetësuar këtë strategji.
XS
SM
MD
LG