Ndërlidhjet

Kosova me punësimin më të dobët në Evropë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Autoritetet kosovare duhet të ndërmarrin masa urgjente për zbutjen e papunësisë në Kosovë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë. Ata kërkojnë nga institucionet e vendit që të fokusohen në shfrytëzimin e resurseve natyrore. Këto sugjerime të ekspertëve vijnë pas publikimit të raportit të Bankës Botërore, në të cilin Kosova kritikohet për shkallë të lartë të papunësisë.



Kosova, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike si dhe hulumtimeve të bëra së fundi, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë. Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është e ulët, rreth 26 për qind. Si pasojë, varfëria mbetet e përhapur në 45 për qind të popullsisë, ndërsa 17 për qind janë në varfëri ekstreme.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), Lekë Musa, thotë se për të dalë nga kjo gjendje, në të cilën Kosova është aktualisht, duhet të shfrytëzohen potencialet e vendit, në mënyrë që të krijohet rritje ekonomike.

“Faktorët kryesorë, të cilët janë bartës të zhvillimit ekonomik, janë: kapitali njerëzor apo resurset njerëzore, pasuritë natyrore të Kosovës, si dhe toka”, thotë Musa.

Në raportin e Bankës Botërore, të publikuar ditë më parë, thuhet se Kosova mbetet një nga shtetet më të varfra në Evropë dhe se niveli i lartë i papunësisë vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë dhe
institucioneve kosovare.

Shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë konsiderohet të jetë pasojë e shumë faktorëve, pasi që Kosova thuhet se ka qenë vendi më i pazhvilluar në ish-Jugosllavi, pastaj janë edhe dëmet e shumta gjatë luftës së vitit 1999, mungesa e kapaciteteve, si në aspektin infrastrukturor, ashtu edhe atë njerëzor, mungesa e politikave për t’i adresuar çështjet sociale etj.

Lidhur me atë se si duhet dalë nga varfria e krijuar me vite në Kosovë, eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, shprehet:

“Çfarë duhet bërë Qeveria? Duhet t’i identifikojë sektorët, ku Kosova ka mbetur pas rajonit. T’i reformojë të gjitha segmentet e nevojshme. Duhet të investojë në imazhin e Kosovës, të përçojë një sinjal që Kosova është vend i sigurt për të investuar. Gjithashtu duhet të ketë qasje më direkte ndaj investitorëve strategjikë”.

Eksperti i çështjeve ekomomike, Levent Koro, mendon se për të zbutur shkallën e lartë të papunësisë, Kosova duhet të fokusohet në zhvillimin e resurseve natyrore, veçanërisht në sektorin e energjisë.

“Kosova duhet t’i shfrytëzojë potencialet e saj, të cilat i posedon. Kosova ka potencial në miniera, në energji, në bujqësi. Këta sektorë duhet të zhvillohen që niveli i varfërisë të jetë më i vogël”, thotë Koro.

Kosova, e cila konsiderohet si një ndër vendet më të varfra në rajon, sipas Koros, duhet të ketë rritje të vazhdueshme ekonomike. Sipas tij, pa një rritje ekonomike deri në 10 për qind, papunësia në Kosovë nuk do të mund të zbutet.

“Një prej arsyeve kryesore pse Kosova ka shkallën e lartë të papunësisë, është se Kosova e ka nivelin e lartë të pagës në rajon. Por, njëkohësisht, Kosovën e ndihmojnë bashkatdhetarët, që i kanë ofruar një komoditet popullsisë kosovare”
, thotë Koro.

Mosha mesatare e të papunësuarve në Kosovë është 18 - 35 vjeç, shumica prej të cilëve konsiderohet të jenë të pakualifikuar, gjë që, sipas hulumtimeve të bëra, e vështirëson edhe më shumë mundësinë e punësimit të tyre në të ardhmen.

Lexoni edhe këtë: Kosovën e pret kriza ekonomiko-sociale?
XS
SM
MD
LG