Ndërlidhjet

AKR: EULEX-i t'i shtrijë hetimet për korrupsion


Pjesëtarë të misionit EULEX në Kosovë
Pjesëtarë të misionit EULEX në Kosovë

Në një konferencë për media, zyrtarët e Aleancës Kosova e Re, folën për zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas tyre, hetimet e EULEX-it, për korrupsion duhet të shtrihen në të gjitha institucionet vendit. AKR-ja, veç tjerash, kërkoi nga Qeveria e Kosovës, që t’i përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë për të ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës.


Zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me hetimet e EULEX-it, duhet të shtrihen te të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera të dyshuara për korrupsion dhe keqpërdorime të vazhdueshme, thanë përfaqësuesit e partisë opozitare Aleanca Kosova e Re.

Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Makolli, deklaroi se Aleanca Kosova e Re vlerëson se imazhi dhe kredibiliteti i institucioneve Qeverisëse të Kosovës, ka shënuar rënie të theksuar.

“Aleanca Kosova e Re mbështet hetimet për korrupsion në të gjitha institucionet e Kosovës dhe kërkon efektshmëri dhe rezultate konkrete, në mënyrë që opinioni të mos mbahet peng i dyshimeve se ka apo nuk ka korrupsion në Kosovë”.

“Ndërkaq, organet e drejtësisë duhet të punojnë të pandikuara në ndriçimin e secilit nga rastet e dyshuara për korrupsion. AKR-ja konsideron se zgjidhja e vetme për t’i dhënë shtytje procesit të shtetndërtimit të Kosovës, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në fillim të vjeshtës”,
tha Makolli.
Ibrahim Makolli, nënkryetar i partisë Aleanca Kosova e Re

Shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, theksoi se raportet e Auditorit Gjeneral që nga viti 2004 në vazhdimësi kanë gjetur parregullsi dhe keqpërdorime të buxhetit të Kosovës.

Sipas Makollit, organet e drejtësisë duhet t’i marrin në konsideratë të gjitha dëshmitë dhe të dalin me verdikte lidhur me ato fakte.

Ndërkohë, lidhur me bisedimet e paralajmëruara me Serbinë, Aleanca Kosova e Re shpreh mendimin se, përderisa Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, është e pakuptimtë të thuhet se bisedimet do të jenë të karakterit teknik.

“Republika e Kosovës, ka dhënë prova se është e gatshme të negociojë për çështje praktike, por një vullnet i tillë ka munguar nga ana e Serbisë, e cila e riaktualizon çdo herë çështjen e bisedimeve për të vënë sërish në pikëpyetje statusin e Kosovës”.

“Rrjedhimisht, AKR është kundër bisedimeve politike me Serbinë, por në të njëjtën kohë e gatshme që të bisedojë për të gjitha çështjet praktike si dy shtete fqinje. Nëse institucionet e Kosovës pranojnë bisedime politike, kjo mund të çojë në ndryshimin e Pakos së Ahtisarit, duke e prekur kështu edhe vetë statusin e Kosovës”,
theksoi Makolli.

Ndërsa, duke u bazuar në paralajmërimet e autoriteteve serbe, se më 30 maj në veri të Kosovës do të mbahen zgjedhjet lokale serbe, sipas Ibrahim Makollit, mbajta e këtyre zgjedhjeve paraqet shkelje të integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovë, që të përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë demokratikë, për të ndaluar mbajtjen e atyre zgjedhjeve.

“Institucionet e vendit kanë mekanizma. Institucionet e vendit duhet të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin, institucionet duhet të ndërmarrin veprime në mbështetje të Kushtetutës për të garantuar integritetin dhe sovranitetin e vendit”.

“Kohëve të fundit, kemi dëgjuar nga zyrtarët e vendit dhe ata ndërkombëtarë që këto zgjedhje nuk do të njihen, por kjo është e pamjaftueshme. Institucione e vendit janë të obliguara që të garantojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit, ka mjete dhe metoda demokratike, përmes së cilave mund të ndalin një gjë e tillë”,
u shpreh Makolli.

Makolli konstatoi se institucionet e vendit duhet të jenë këmbëngulëse në respektimin e asaj që është arritur, si me Pakon e Ahtisarit, ashtu edhe me Deklaratën për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG