Ndërlidhjet

Sulmohet një qendër banimi e KFOR-it në veri


Paqeruajtës të KFOR-it

Paqeruajtës të KFOR-it

Një qendër banimi e paqeruajtësve danezë në veri të Kosovës është sulmuar, kanë njoftuar autoritetet e rendit në Mitrovicë. Nuk ka raporte për të plagosur. Zyrtarët e policisë kanë thënë se nga sulmi janë dëmtuar dritaret e një zyre.



Autoritetet e rendit në Mitrovicë kanë konfirmuar se një qendër banimi e paqeruajtësve danezë në veri të Kosovës është sulmuar me armë zjarri, nga persona tash për tash të panjohur.

Zyrtarët e policisë kanë njoftuar se nga sulmi janë dëmtuar dritaret e një zyre në këtë qendër. Sulmi ka pasuar një letër kërcënuese, të shkruar në gjuhën serbe, e cila është gjetur në po këtë qendër, ditë më parë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thа se nuk dihet koha e saktë se kur ka ndodhur ngjarja, pasi që në atë moment nuk ka qenë askush në ndërtesë.

“Policia në Zubin Potok është njoftuar dje gjatë orëve të pasdites, diku rreth orës 18:00, nga një personel i një hoteli ‘Pink’ në Zubin Potok, të cilët kanë gjetur një letër kërcënuese dhe kanë regjistruar dëme materiale në xhamin e një zyre, e cila është përdorur si zyra ndërlidhëse për pjesëtarët e KFOR-it danez”.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka bërë shikimet dhe ka marrë si provë materiale këtë letër kërcënuese. Përveç kësaj letre kërcënuese, policia ka regjistruar edhe dëmet materiale në xhamin e kësaj zyre”,
bëri të ditur Hoti.

Rastin e konfirmoi edhe majori Majkëll Koting, zëdhënës i KFOR-it, duke thënë se sulmi “ishte drejtuar kundër shtëpisë që strehon ekipin mbikëqyrës e ndërlidhës të trupave daneze”.

Koting nuk dashi të flasë më shumë për rastin, por tha se hetimet janë duke vazhduar dhe se KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet për një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

"Mandati ynë, mandati i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton që KFOR-i duhet të vazhdojë të garantojë një ambient të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes në mënyrë të paanshme”.

“Ne jemi të përkushtuar në mënyrë të fuqishme për zbatimin e këtij obligimi për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe nuk do të tolerojmë çfarëdo lloj aksioni të dhunshëm apo ndërhyrjeje, që do të mund ta komprometonin paanshmërinë tonë”.

“Në anën tjetër, të gjitha veprimet tona do të vazhdojnë të jenë transparente dhe KFOR-i do të vazhdojë të mbetet i hapur për dialog me të gjithë njerëzit në Kosovë”,
tha Koting.

Në letrën kërcënuese, kontingjenti danez akuzohet se “po mban anën e shqiptarëve” dhe mes tjerash thuhet se “aksionet e ardhshme do të varen nga veprimet e paqeruajtësve danezë”.

Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, janë duke hetuar rastin.

“Zyrtarët e KFOR-it vizitojnë këtë zyrë së paku një herë gjatë javës. Do të thotë, nuk është një qëndrim permanent i forcave të KFOR-it në këtë objekt. Sido që të jetë, mbetet te organet e policisë dhe të hetuesisë që t’i zhvillojnë hetimet e mëtutjeshme, bashkërisht me zyrtarët e EULEX-it, për të gjetur kryerësit e këtij akti”, tha Hoti.

Ndryshe, Danimarka është në mesin e 68 shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG