Ndërlidhjet

Moska, me ndihmën e Kievit, ia tregon muskujt Moldavisë


Presidenti rus, Dmitri Medvedev, dhe ai i Ukrainës, Viktor Janukoviq
Presidenti rus, Dmitri Medvedev, dhe ai i Ukrainës, Viktor Janukoviq

Rusia dhe Ukraina i kanë transformuar në mënyrë radikale marrëdhëniet e tyre të mëparshme antagoniste, për vetëm disa muaj prej se Viktor Janukoviq u zgjodh president i Ukrainës. Tash duket se Moska do ta shfrytëzojë mbështetjen e Kievit për ta forcuar agjendën e saj lidhur me një shtet tjetër ish-sovjetik, pasi të dy vendet e shpallën një deklaratë për rajonin Transdniester në Moldavi.



Pas pesë vjetëve të ftohjes së thellë, Rusia dhe Ukraina pothuajse e kanë kthyer krejtësisht situatën dhe tash duket se raportet e tyre janë të natyrës miqësore.

Gjatë vizitës së fundit të presidentit rus, Dmitri Medvedev, në Kiev, në fillim të javës, ai dhe zoti Janukoviq nuk kursyen fjalë të admirimit reciprok.

Ishte ky takimi i shtatë i të dy presidentëve, në vetëm tre muaj, që paraqet një situatë krejtësisht tjetër nga ajo kur president i Ukrainës ishte Viktor Jushçenko, i cili me Moskën praktikisht e pati ndërprerë dialogun.

Kjo ka ndodhur pasi presidenti i ri, Viktor Janukoviq, në mënyrë spektakulare, i ka ndryshuar politikat pro-perëndimore, prejse mori presidencën në shkurt të këtij viti, duke e ndalur ecjen e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe duke e zgjatur marrëveshjen kundërthënëse për portin Sevastopol me Rusinë, në shkëmbim për çmim më të ulët të gazit natyror.

Por, përtej marrëveshjeve të dyanshme, ka shnja se bashkëpunimi i ri i Moskës me Kievin, po e forcon politikën e Kremlinit ndaj fqinjëve të tjerë të Ukrainës.

Duket se Rusia po e shfrytëzon miqësinë e re me Ukrainën, për ta ripërtërirë ndikimin e saj ndaj Moldavisë, po ashtu ish-republikë sovjetike.

Në fillim të javës, Medvedev dhe Janukoviq shpallën një deklaratë të përbashkët lidhur me rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester, që është pro-rus, duke kërkuar që rajonit t’i jepet “status special”.

Duke u shkëputur nga praktika e zakonshme, në deklaratë Transdniestrisë dhe Moldavisë u referohet si subjekte të ndara, kështu që disa sugjerojnë se kjo mund të paraqesë një formë të lëvizjes kah njohja e rajonit separatist.

Analisti Vlad Spinu, nga Fondacioni Moldavia, me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo lëvizje nënkuptohet si tregim i fuqisë.

“Rusia po i tregon muskujt e vet lidhur me çështjen Transdniester, duke i treguar Moldavisë, por edhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, se është ajo e cila do të vendosë se si do të zgjidhet çështja e Transdniestrit”, tha Vlad Spinu.

Ai, më tutje, theksoi se deklarata ruso-ukrainase aktualisht është e drejtuar kundër Qeverisë së Moldavisë.

Me këtë konstatim pajtohet edhe analistja Aneli Ute Gabani, nga Instituti gjerman për studime ndërkombëtare në Berlin, duke thënë se Moska dëshiron ta shfrytëzojë Transdniestrin që të përzihet në punët e brendshme të Moldavisë dhe ta mbajë praninë e saj ushtarka në Transdniester.

“Topi tash është në fushën e Bashkimit Evropian dhe vfeçanërisht në atë të Shteteve të Bashkuara. Do të shohim se a do të jenë në gjendje të kristalizojnë në pozicion të fuqishëm dhe si do të reagojë Rusia”,
tha analistja Gabani.

Kryeminsitri i Moldavisë, Vlad Filat, tha se është për t’u përshëndetur “pjesëmarrja aktive” e të gjithë ndërmjetësuesve, por kërkoi që Rusia të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit, duke i tërhequr trupat e saj nga Transdniestri.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, në deklaratën e saj i ka mbështetur “parimet fundamentale të sovranitetit dhe integritetit territorial” të Moldavisë. (f.b.)
XS
SM
MD
LG