Ndërlidhjet

Publikimi i pasurisë së zyrtarëve publikë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion thonë se janë duke i bërë përgatitjet e fundit për publikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë. Kjo, sipas tyre, do të bëhet në fund të javës së ardhshme. Ndërkaq, përfaqësuesit e Organizatës “Çohu”, konsiderojnë se Ligji për deklarimin e pasurisë nuk do të jetë i efektshëm.


Në fund të këtij muaji Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion do ta bëjë publike pasurinë e zyrtarëve të lartë publikë.

Drejtori i Agjencisë Kundër-korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për publikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë ashtu siç parashihet me ligj.

“Para një qershorit do të jetë gjithçka publike, nëse nuk hasim në ndonjë pengesë teknike, ose në fund të javës së ardhshme, ose në ditën e hënë”, thotë Preteni.

Më shumë se 1,500 zyrtarë publikë, është dashur ta deklarojnë pasurinë e tyre. Por, Preteni thotë se deri më tash jo të gjithë zyrtarët e institucioneve e kanë bërë një gjë të tillë.

Preteni sqaron se numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre nuk e kalon numrin 100.

Ai shton se gjithçka do të jetë transparente dhe në afatet e përcaktuara me ligj, si dhe qytetarët do të njoftohen saktësisht kush sa ka deklaruar dhe kush nuk e ka deklaruar pasurinë.

“Mendoj se numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë është nën 100. Është një numër i madh, por saktësisht nuk mund t’ju tregoj. Mirëpo, të gjithë do të jenë të njoftuar, ata që e kanë deklaruar pasurinë se çka kanë deklaruar, por do të publikojmë edhe listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë”.

“Ndaj personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë do të iniciojmë procedurat disiplinore”,
sqaron Preteni.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, konsiderojnë se Ligji për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë nuk do të jetë i efektshëm në praktikë.

Lorik Bajrami nga kjo organizatë, konsideron se ligji ka shumë mangësi.

“Duhet të theksohet se Ligji për deklarimin e pasurisë ka jashtëzakonisht shumë të meta, të cilat në fakt nuk ofrojnë një bazë të mirë ligjore për parandalimin e korrupsionit”.

“Më duhet t’i përmendi disa të meta, e para dhe më kryesorja është që deklarimi i rrejshëm nuk parashihet sikur kategori penale, as me Kodin Penal, e as me Ligjin për deklarimin e pasurisë. Praktikisht, pa një penalizim të deklarimit të rrejshëm, ligji do të jetë jo efektiv”,
deklaron Bajrami.

Ligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë parasheh edhe dënime për personat, të cilët nuk e deklarojnë pasurinë.

Por, Bajrami nga Organizata “Çohu”, thotë se me ligjin ekzistues nuk mund të ketë ndjekje penale, apo siç shprehet ai, edhe administrative.

“Edhe po qe se zyrtari refuzon që ta deklarojë pasurinë, prapë se prapë ai mund të flejë në i qetë, sepse e di që nuk do të ndiqet penalisht, apo nuk do të ndiqet, të paktën, administrativisht”, shprehet Bajrami.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për deklarimin e pasurisë, zyrtarët nga AKK-ja konsiderojnë se do të jetë një hap tjetër drejt parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë.

“Mendoj që është një hap i mirë drejt parandalimit të korrupsionit. Them se të gjithë ata zyrtarë që janë të përfshirë, me siguri pasuria e tyre do të jenë nën përcjellje të vazhdueshme”, thekson Preteni.

Lorik Bajrami nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, thotë se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë nuk do të ndihmojë asgjë në uljen e korrupsionit në vend.

“Ne mendojmë se jo, kjo për shkak që me Ligjin për deklarimin e pasurisë, agjencia ka kompetenca jashtëzakonisht minimale, sa i takon hetimit apo hulumtimit të origjinës së pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë”, sqaron Bajrami.

Ligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG