Ndërlidhjet

Prefekti i Beogradit hyn me leje në Kosovë


Policia e Kosovës do t’i ofrojë përcjellje prefektit të Beogradit, Dragan Gjillas, gjatë qëndrimit të tij të marten në disa pjesë të Kosovës. Gjillas thuhet se ka respektuar procedurat e nevojshme për vizitë zyrtare në Kosovë.






Autoritetet përgjegjëse vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë i kanë dhënë leje prefektit të Beogradit, Dragan Gjillas, për të vizituar gjatë ditës së martë disa lokacione në Kosovë.

Policia e Kosovës bëri të ditur se do t’i ofrojë përcjellje zyrtarit serb gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, pasi që, siç thuhet, janë respektuar procedurat e nevojshme që mundësojnë vizitën e tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesa për përcjellje policore i është adresuar Policisë së Kosovës nga Qeveria e vendit, dy ditë më parë.

“Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë të aprovuar për vizitë zyrtare nga Gjillasi, ose kryetari i kuvendit komunal të Beogradit, për të bërë një vizitë në Republikën e Kosovës. Si kërkesë e aprovuar, përgjegjësi e Policisë së Kosovës është që të ofrojë përcjellje policore derisa të përfundojë vizita”
, bëri të ditur Beka.

Ndonëse nuk mund të konfirmohet zyrtarisht, thuhet se përfaqësuesin e Beogradit pritet ta shoqërojë edhe këshilltari i presidentit të Serbisë, Mllagjan Gjorgjeviq.

Kërkesa për vizitë e këtij të parit thuhet se i është drejtuar, kohë më parë, Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila këtë kërkesë ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa vendimin për ta lejuar vizitën thuhet se e ka nënshkruar një nga zëvendskryeministrat e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka, dha detaje lidhur me lokacionet, në të cilat pritet të realizohet vizita e Gjillasit.

“Në bazë të agjendës së paraparë, kryetari i Beogradit do të vizitojë disa fshatra, pastaj manastirin e Deçanit e kështu me radhë”,
tha ai.

Pa marrë leje nga autoritetet vendase, gjatë fundjavës së shkuar, ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, dhe ish-ministri në Qeverinë e tij, Sllobodan Samarxhiq, kishin hyrë në veri të Kosovës për të zhvilluar fushatë parazgjedhore për zgjedhjet lokale të Serbisë, të cilat janë paralajmëruar të mbahen edhe në veri, në fund të këtij muaji.

Përfaqësues të Qeverisë së Koosvës kanë theksuar nevojën për shtimin e masave të sigurisë në veri të vendit, për të parandaluar hyrjen pa leje shtetërore të, siç thuhet, zyrtarëve që nuk respektojnë Kushtetutën e Kosovës.

Lexoni edhe këtë: Kush lejon e kush ndalon vizitat e zyrtarëve serbë?
XS
SM
MD
LG