Ndërlidhjet

FT: “Rënia e euros është shpëtimi i euros”


“Financial Times”

Euroja po bie ndjeshëm. A do të thotë kjo se projekti i monedhës së përbashkët është afër fundit? Jo plotësisht.

Në të vërtetë, nëse menaxhohet si duhet, zhvlerësimi i euros është ajo që do të rekomandonin mjekët, së bashku me reformat fiskale për të konsoliduar Greqinë dhe pjesën tjetër të Evropës Juglindore. Duket si paradoks, por një euro e dobët është parakusht për mbijetësn e saj.

Tregjet jo gjithmonë veprojnë si duhet, nisur nga logjika e shëndoshë. Rënia e vlerës së euros në bursat ndërkombëtare ka ardhur më shumë nga frika, sesa nga të kuptuarit e faktit se zgjidhja qëndron te zhvlerësimi i euros.

Në periudha të tilla paqartësish, është detyrë e politikë-bërësve që të përmirësojnë gjendjen e tregjeve.

Përfituesit e parë nga euroja e dobët janë vendet në juglindje të kontinentit, të cilat e vunë në pikëpyetje të ardhmen monetare të Bashkimit Evropian.

Greqia ka qenë në fokus, por edhe Spanja, Portugalia e Italia përballen me humbje të theksuar, sa i përket aftësisë së tyre për të qenë konkurruese.

Situata si kjo e Greqisë janë hasur dhe më herët. Sjellim këtu Irlandën e vitit 1982 dhe atë të vitit 1987. Në ’82-shin, Irlanda zgjodhi t’i rrisë taksat dhe të shkurtojë ndjeshëm buxhetin - masa që rezultuan me thellimin e recesionit dhe të krizës.

Konsolidimi i buxhetit në vitin 1987 ndoqi të tjera rrugë, çfarë rezultuan pozitive për Irlandën dhe zhvillimin e saj ekonomik. Plani i shpëtimit i BE-së për Greqinë e sotme ngjan më shumë me planin e mirë të Irlandës së vitit 1987.

Nga ana tjetër, vende të tjera, si Italia e vitit 1990, apo Argjentina e vitit 2001, ia dolën të dilnin nga kriza të thella, si pasojë e deficitit buxhetor. Problemi shtrohet sa hapësirë manovrimi ka Greqia duke qenë pjesë e euros.

Është e rëndësishme të theksohet se ka ende shumë vend për euron që të vazhdojë të zhvlerësohet përballë dollarit amerikan dhe monedhave të tjera të ekonomive në zhvillim.

Nga ana tjetër, ky zhvlerësim nuk do të ketë ndikim të madh negativ për Eurozonën, duke pasur parasysh që pjesa dërrmuese e shkëmbimeve tregtare bëhet brenda zonës.

Përjashtim bën Greqia, e cila, për fatin e saj të mirë, pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare e ka me vende që nuk i takojnë Eurozonës. Kjo do t’i rriste eksportet greke, kurse rënia e euros do ta zvogëlonte borxhin grek.

Do të sillnim si shembull turizmin, ku një në çdo tre turistë në Greqi vjen nga vende që nuk i takojnë Eurozonës. Në këtë kuptim, zhvlerësimi i euros mund të përdoret si mjet rimëkëmbjeje për Greqinë.

Përfituesja e dytë e madhe nga rënia e euros do të jetë Gjermania, pasi 40% e eksporteve të saj janë jashtë Eurozonës. Kjo do t’i rriste eksportet gjermane, por dhe zonat më problematike brenda vendit, sa i përket zhvillimit ekonomik.

Politikë-bërësit duhet ta lehtësojnë zhvlerësimin e euros dhe jo ta parandalojnë atë. Në të kundërtën, ndërhyrjet e pamenduara të Bankës Qëndrore Evropiane mund të shërbejnë si gozhda e fundit në arkivolin e euros. (i.b.)
XS
SM
MD
LG