Ndërlidhjet

Deda: Zgjedhjet serbe, fundi i strategjisë për veriun


lir Deda, drejtor i institutit KIPRED

lir Deda, drejtor i institutit KIPRED

“Mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës, të paralajmëruara për nesër, do të shënojë fundin e strategjisë së Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut”, tha Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Deda, Serbia sërish po i mban zgjedhjet në territorin e Kosovës. Institucionet e Kosovës i kanë quajnë të paligjshme ato, mirëpo nuk duket se do të bëjnë gjë për t’i penguar. Çka flet kjo për Kosovën dy vjet pas pavarësisë?

ILIR DEDA

Kjo është një shkelje flagrante, edhe e rendit kushtetues të Kosovës, edhe e sistemit juridik të Kosovës dhe e cenon rëndë edhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, realisht, është dashur të jetë shumë më pro-aktive gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti kur, në një mënyrë të heshtur, Brukseli dhe Uashingtoni kanë dhënë dritën e gjelbër për mbajtjen e zgjedhjeve serbe paralele në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

Zgjedhje në veri, në fakt, kanë paralajmëruar edhe institucionet e Kosovës, zgjedhjet për komunën e re në veri të Mitrovicës. Si do të zgjidhet situata atje, nëse do të ketë dy qeveri lokale?

ILIR DEDA

Zgjedhjet në veri të Mitrovicës i kanë disa dimensione. E para është të tregohet se Serbia është ajo, e cila ka pushtet real në veri të Kosovës, dhe e dyta është prodhimi i një partneri të ri lokal të serbëve në veri, që do të jetë pjesë e atyre negociatave, apo dialogut që do të mbahet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e që do të fillojë në fund të këtij viti.

Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme, sepse e betonon në një mënyrë ndikimin e Serbisë në veri, e veriu deri te këto zgjedhje, nuk ka pasur një autoritet të vetëm vendimmarrës, po është një territor ku Prishtina, Beogradi, bashkësia ndërkombëtare dhe rrjetet kriminale, askush nuk ka fuqi.

Qeveria e Kosovës duhet të mendojë mirë se a duhet t’i mbajë zgjedhjet për komunën e re në veri të Mitrovicës, apo jo. Duke pasur parasysh rrezikun se zgjedhjet tona do të dështojnë në veri, ai do të jetë edhe një hap i betonimit më të fortë të kësaj ndarjeje në lumin Ibër.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Deda, kush i ka kontribuuar kësaj, sepse më herët thatë se, në fakt, institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim kur iu dha drita jeshile për mbajtjen e zgjedhjeve paralele serbe nga ana e komunitetit ndërkombëtar?

ILIR DEDA

Po është një problem fundamental në Kosovë, sepse nuk po kuptohet se çka do të thotë një shtet sovran dhe i pavarur. Ne duhet ta kemi të qartë cili është vizioni i Kosovës dhe ai vizion t’i shpjegohet bashkësisë ndërkombëtare, e jo të presim të marrim sugjerime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kjo është ajo që e bën një shtet të pavarur ose jo. Nuk jemi këtu që të dëgjojmë gjithfarë sugjerimesh që vijnë, por duhet ta kemi edhe ne sugjerimin tonë. Fatkeqësisht, zgjedhjet në veri, në një mënyrë, edhe do ta zhbëjnë strategjinë për veriun, të përpiluar nga Qeveria dhe ICO-ja.

Kjo do të thotë se, fatkeqësisht, koordinatori i Qeverisë për veri nuk pasur përkrahje të mjaftueshme, si nga Qeveria e vet, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të ecë përpara në zbatimin e saj. Realisht, ka ekzistuar një vullnet i serbëve në veri që të bashkëpunojnë me një numër të caktuar të institucioneve të Kosovës dhe të inkuadrohen në një zhvillim ekonomik me ndihmë nga institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Deda, në raportet tuaja më herët ju keni ngritur shqetësimin për ekzistencën e strukturave paralele të sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës, duke thënë se ata po i frikësojnë banorët lokalë. A ka ndikuar edhe prania e tyre në këtë që ju e quani tani zhbërje të strategjisë për integrimin e veriut?

ILIR DEDA

Natyrisht që edhe kjo ka ndikuar. Gjithashtu edhe mosgatishmëria e KFOR-it dhe EULEX-it dhe mospasja e një presioni të fortë nga ana e Prishtinës që të ketë një ballafaqim me institucionet paralele të sigurisë në veri, që me numër nuk janë shumë - ekzistojnë 300 më së shumti 350 pjesëtarë të paguar nga Beogradi, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të Agjencisë Inteligjente të Serbisë si dhe të xhandarmërisë së Serbisë.

Ata nuk duhet të jenë në Kosovë, e as që është dashur të jenë, as me marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Beogradit, Marrëveshjen e Kumanovës, por nuk ka pasur një presion të fortë nga ana e Qeverisë sonë që të ketë një ballafaqim me ta.

Këtu është edhe problemi i EULEX-it, apo edhe EULEX-i është pjesë e një problemi, sepse nuk ka kompetenca ekzekutive në veri, ndërsa ne duhet të kërkojmë që kompetencat, të cilat EULEX-i i zbaton në shumicën e territorit të Kosovës, në mënyrë të njëjtë të zbatohen edhe në veri të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË

Kush ka kompetenca ekzekutive në veri të Kosovës?

ILIR DEDA

Serbia. Del se i vetmi autoritet që ka kompetenca ekzekutive është Serbia dhe kjo do të ketë një pasojë shumë të rëndë për atë dialog Kosovë – Serbi, i cili do të fillojë në një moment. Realisht, thelbi i dialogut Prishtinë - Beograd do të jetë statusi i veriut, autonomia e veriut dhe prania e institucioneve serbe në veri.

RADIO EVROPA E LIRË

Ka qarkulluar në qarqe të ndryshme opsioni i ndarjes së veriut, ndërkohë që është thënë se edhe disa vende të BE-së e mbështesin këtë ide. Mirëpo, vetë serbët lokalë, të paktën nga deklarimet publike, janë kundër kësaj ideje. Si e shihni ju këtë çështje?

ILIR DEDA

Po edhe vetë shumica e serbëve të Kosovës janë kundër ndarjes së Kosovës, edhe një pjesë e madhe e kishës ortodokse serbe është kundër ndarjes së Kosovës dhe aleatët më të fortë në këtë ruajtje të integritetit territorial të Kosovës brenda saj, do të jenë serbët në enklava, apo serbët që jetojnë poshtë lumit Ibër.

Çfarëdo ndarje e Kosovës do ta zhbëjë shtetin e Kosovës dhe ndarja e saj, jo vetëm se do të përçojë edhe në zhbërjen e Bosnjës dhe të Maqedonisë, por realisht ne, në atë moment - në qoftë se vjen deri tek ai opsion, i cili nuk ma merr mendja se do të vijë - do të bashkohemi me Shqipërinë.

Kështu që, edhe ai argument nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, i cili servohet në rast se do të ketë ndarje të Kosovës, atëherë Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës - është non-sens dhe nuk është pjesë e argumentit, sepse në atë moment ne duhet të kërkojmë bashkim me Shqipërinë.

RADIO EVROPA E LIRË

Nëse opsioni i ndarjes së veriut përjashtohet, ju përmendët një status special. Çfarë do të thotë kjo?

ILIR DEDA

Tash janë dy fraza, të cilat po përdoren në qarqe të ndryshme ndërkombëtare: një është i ashtuquajturi ‘Ahtisari plus’ dhe e dyta është ‘Opsioni i Tirolit jugor’. Realisht, kjo do të thotë se veriu i Kosovës do ta ketë një autonomi territoriale dhe një autonomi më të lartë fiskale.

Nuk shoh që opinioni publik në Kosovë mund ta pranojë një ridizajnim të brendshëm të vendit, sepse duhet të ketë një qëndrueshmëri shumë më të fortë nga ana e Prishtinës. Ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për territorin tonë, ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për atë se çka do të ndodhë në veri të Kosovës.

Nga pikat që eventualisht duhet t’i bisedojmë me Serbinë, është tërheqja e strukturave serbe nga Kosova, e jo se si do të rregullohet Kosova brenda, sepse nëse ne hyjmë në hapjen e Pakos së Ahtisarit, atëherë nuk duhet të vlejnë parimet e asaj pakoje. Kjo, thjesht, do të thotë se nuk duhet të vlejë as Kushtetuta, as flamuri, as ligjet që ne i kemi, e të cilat derivojnë nga Pakoja e Ahtisarit.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Deda, në javën që po e lëmë pas, debat në opinionin publik kanë qenë vizitat e zyrtarëve serbë pa kërkuar leje paraprake tek autoritetet vendore, e as tek ato ndërkombëtare. Ka pasur mundësi EULEX-i dhe institucionet e Kosovës që ta pengojnë këtë sfidim nga ana e Serbisë?

ILIR DEDA

Po, EULEX-i është dashur që ta pengojë hyrjen e zyrtarëve serbë në veri, ndërsa dua t’ia përkujtoj opinionit se në veri gjenden 300 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët, sipas ligjeve tona, duhet të marrin urdhër nga Prishtina.

Domethënë ka mund të jepet një urdhër nga Ministria e Punëve të Brendshme, që ta ndalojë hyrjen e paautorizuar të personave nga Beogradi, të njëjtën kohë edhe EULEX-i është dashur ta bëjë një gjë të tillë.

Kjo e ka zbehur imazhin e EULEX-it edhe më shumë. Vendimi i fundit i EULEX-it se çdo person i paautorizuar nga Republika e Serbisë do të kthehet në kufi, të shohim se sa do të zbatohet.

RADIO EVROPA E LIRË

Dhe, për fund, zoti Deda, ju duket se keni dyshime për strategjinë për integrimin e veriut, sidomos tani pas zgjedhjeve që pritet të mbahen të dielën. A mendoni se është dukë u marrë seriozisht dikush, qoftë nga institucionet vendore apo ndërkombëtare me çështjen e veriut të Kosovës dhe me integrimin e tij në sistemin kosovar?

ILIR DEDA

Vetëm koordinatori i Qeverisë për veri është marrë seriozisht me zbatimin e asaj strategjie. Realisht, më 30 maj, ditën kur të mbahen zgjedhjet serbe në veri të Mitrovicës, do të jetë edhe fundi i strategjisë së Qeverisë për integrimin e veriut të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG