Ndërlidhjet

Mangësitë e projektligjit të punës


Prishtinë (foto arkiv)

Prishtinë (foto arkiv)

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një tryezë ka paraqitur dobitë dhe mangësitë e projektligjit të punës, i cili në fund të muajit prill ka arritur në Qeveri. Vërejtja kryesore në këtë projektligj, sipas BSPK-së, është pushimi i lehonisë që zgjat vetëm 14 javë. Mirëpo, zyrtarë qeveritarë thonë se ligji në fjalë është hartuar sipas standardeve ndërkombëtare.


Autoritetet kompetente që nga viti 2004 kanë hartuar projektligjin e punës, i cili rregullon të drejtat e punëtorëve, por që ende nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Deri më tani ky ligj është kthyer 7 herë nga Kuvendi, për rihartim dhe plotësim të disa amendamenteve, ndërkaq në fund të muajit prill, ky projektligj është proceduar prapë në Qeveri, por me disa ndryshime nga projektligji i kaluar.

Në anën tjetër, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vazhdimisht ka kërkuar miratimin e Ligjit të punës, sepse mungesa e këtij ligji, ka bërë që punëtorët kosovarë të ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, thotë Haxhi Arifi, kryetar i kësaj sindikate.

Arifi thotë se BSPK-ja tashmë ka bërë disa analiza për koston e projektligjit të punës.

“Kemi kalkuluar koston e Ligjit të punës dhe kemi nxjerr si konkludim se për 365 ditë, duke zbërthyer, se një anëtar i këtij shteti te Ligji i punës vlen vetëm një cent. Kjo është kostoja, prandaj unë mendoj se kjo punëtori dhe ky popull vlen më shumë se kaq”.

“Dhe, ky projektligj që është proceduar te Qeveria, nga draft-ligji i mëhershëm, ka pësuar disa ndryshime. Faktikisht, edhe ato që më parë kanë qenë në konotacion pozitiv, disi janë rrudhur”,
thotë Arifi, duke shtuar se vërejtje kryesore në këtë projektligj, është koha e shkurtër e pushimit të lehonisë dhe pushimit mjekësor.

Sipas këtij projektligji, pushimi i lehonisë zgjat 14 javë, me mundësi marrjen edhe të 12 javëve të tjera pa pagesë.

Edhe Rita Hajzeraj, nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, tregon mangësitë në këtë ligj që kanë të bëjnë me pushimin e lehonisë.

“Të gjithë ju jeni dëshmitarë se sot më së shumti në vendin tonë shkelen të drejtat e punëtorëve, jeni dëshmitarë se në çfarë gjendje ekonomike jetojmë, jeni dëshmitarë se sa vështirë është për një grua, nëse e përmendim pushimin e lehonisë, të gjejë vend pune”.

“Po ashtu, jemi dëshmitarë të asaj që sot nataliteti në Kosovë ka rënë dukshëm
”, thekson Hajzeraj.

Por, Gjylnaze Novobërdaliu, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se projektligji i punës, është përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare.

Ajo madje thekson se sipas konventave ndërkombëtare, në të gjitha shtetet, pushimi i lehonisë zgjat 14 javë, por shteti përkatës, këtë çështje e rregullon sipas mundësive financiare.

“Konventa e parasheh 14 javë pushim të lehonisë, pasi ta miratojë shteti konventën, atëherë secili shtet e përcakton rregullativën e vet - a ka mjete financiare për të paguar një pushim të lehonisë. Ne e dimë gjendjen financiare në Kosovë si qëndron, ne e dimë se nuk kemi fonde, nuk kemi mjete financiare”,
sqaron Novoberdaliu

Ndryshe, Ligji i punës pritet së shpejti të kalojë në Kuvendin e Kosovës, edhe pse ende nuk dihet saktë kostoja e këtij ligji. Më herët është thënë se zbatimi i këtij ligji, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë 14 milionë euro në vit, ndërsa vitin e kaluar kjo shumë ka rënë në 6 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG