Ndërlidhjet

logo-print

Organizatat joqeveritare thonë se te qytetarët ekziston frika të shprehin mendimin e tyre dhe t’i kritikojnë partitë në pushtet. “Grilat” për ata që mendojnë ndryshe nga koha e komunizmit, janë ndërruar me kërcënime dhe kushtëzime.


Anketa e Asociacionit për tolerancë dhe bashkëpunim qytetar tregon se 2/3 e qytetarëve kanë frikë ta kritikojnë pushtetin, sepse mendojnë se mund të kenë pasoja ndaj vendit të tyre të punës, madje disa kanë frikë se edhe mund të arrestohen.

Përgjigjet e të anketuarve tregojnë se rreth 49 për qind e tyre konsiderojnë se do të kenë pasoja ligjore nëse e kritikojnë kryeministrin, 48 për qind nëse kritikojnë ndonjë parti politike, ndërsa 45 për qind nëse thonë ndonjë fjalë të keqe për presidentin dhe Gjykatën Kushtetuese.

Arsye për këtë frikë, sipas kryetarit të Asociacionit për tolerancë dhe bashkëpunim qytetar, Aleksandar Cvetkovski, i asocon në të kaluarën komuniste, kur shumë rrallë prezantohej mendimi ndryshe nga pushteti.

“Zakonisht, qytetarët nuk e tregojnë publikisht atë që e mendojnë dhe kjo është pasojë e para viteve ‘90, kur shprehja e lirë e mendimit nuk lejohej. Frika e qytetarëve që të flasin, vazhdon të ekzistojë”.

“Ky oportunizëm dhe kjo frikë manifestohet shumë shpesh. Zëri i qytetarëve nuk mund të dëgjohet, sepse ata mendojnë se do ta humbin vendin e punës”
, thotë Aleksandar Cvetkovski.

Kryetari i Organizatës joqeveritare “Iliricym Libertas”, Valon Kurtishi, shprehet se pushteti bën presione të shumta për ta heshtur zërin e qytetarëve.

“Kemi të bëjmë me një rol do të thosha negativ të elementeve qeveritare, të cilat e frikësojnë popullatën për të marrë iniciativa të lira, por do të thosha ka të bëjë edhe me mungesën e kulturës politike të qytetarëve tanë”.

“Dihet se ne, në të kaluarën, kemi jetuar në sistem monopartiak-komunist ku liria e shprehjes së lirë ka munguar krejtësisht. Jemi në tranzicion dhe nuk jemi mësuar me një liri siç ekziston në Evropën Perëndimore”
, shprehet Valon Kurtishi.

Ndërsa, kryetari i Organizatës joqeveritare “Zgjohu”, Artan Grubi, thonë se mungesa e aktivitetit qytetar është pasojë e ndërlidhjes së perspektivës së qytetarëve me partitë politike, por ka edhe organizata joqeveritare të formuara nga partitë politike.

“Mungesa e një shoqërie të mirëfilltë, e cila vërtet do të ketë kauzë gjatë protestave, ose gjatë ngritjes së zërit, ka shkaktuar skepticizëm. Ajo, tashmë, nuk u beson as partive politike, por ndodh shpesh edhe nismave të shoqërisë civile”,
thekson Artan Grubi.

Në raportin e fundit të organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesti International”, thuhet se autoritetet në Maqedoni kritikohen se nuk kanë arritur t’i mbrojnë studentët gjatë protestës kundër projektit “Shkupi 2014” dhe që Ligji anti-diskriminim nuk i kënaq standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Edhe në raportin e Departamentit të shtetit amerikan për respektimin e të drejtave të njeriut është theksuar mungesa e mbrojtjes adekuate në protestën kundër planeve të Qeverisë për ndërtimin e objekteve fetare në sheshin e qytetit.
XS
SM
MD
LG