Ndërlidhjet

Ligji për duhanin ende i pazbatueshëm


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ligji për duhanin, i cili ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, nuk po gjen zbatim në vendin tonë. Aktualisht, nuk ka asnjë ndëshkim për përdorim të duhanit në vendet publike dhe kjo është edhe arsyeja pse ky ligj nuk po zbatohet në praktikë, thotë Rita Hajzeraj, nënkryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.

Ky ligj ka kaluar në Parlamentin e Kosovës në shkurt të këtij viti, por nuk po gjen zbatim. Për të gjetur zbatim një projektligj, atëherë duhet të përfshihen të gjithë faktorët, të gjitha ministritë, si ajo e Arsimit, Ministria e Financave etj, që të bashkëpunojnë mes vete, në mënyrë që edhe të përdoren ato masa ndëshkuese që i parasheh Ligji”, thotë Hajzeraj.

Sipas Hajzerajt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Parlamentin e Kosovës, kanë marrë iniciativa që në ditët e ardhshme të nxjerrin disa direktiva që duhet të ndërmerren për Ligjin kundër pirjes së duhanit.

“Unë mendoj se nëse ekziston një vullnet i mirë i këtyre ministrive, do të vijmë deri tek implementimi i këtij projektligji. Derisa këta njerëz nuk i respektojnë rregullat, atëherë duhet marrë masat ndëshkuese derisa t’i mësojnë vetë qytetarët parimet kryesore që i përcakton legjislacioni te ne”,
thekson Hajzeraj.

Në anën tjetër, sipas përfaqësuesve të Doganave, në Kosovë importohet një sasi shumë e madhe e duhanit. Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave, thotë se rreth 300 ton duhan hyjnë në Kosovë për një muaj.

“Mesatarisht importohen 250 deri 300 ton duhan për një muaj, ndërsa gjatë vitit importohen mbi 3.500 ton”
, thotë Stavileci.

Ndërkaq, zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, thonë se sipas hulumtimeve nga disa organizata joqeveritare, rreth 500 mijë njerëz e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Naser Ramadani, udhëheqës i këtij instituti, thotë se janë duke lobuar në mënyrë që sado pak ta vetëdijesojnë popullatën për pasojat e duhanit.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po bën përpjekje që ta vetëdijesojmë popullatën, duke lobuar që në të gjitha institucionet të mos pihet duhani, si dhe në emër të Ligjit që nga 1 janari 2011, të mos pihet as në lokalet e vendit”.

“Kemi bërë një hulumtim për duhanin dhe ka rezultuar se sidomos shtatzënat janë ato që e konsumojnë duhanin shumë gjatë shtatzënisë, dhe ky është një indikator që institutin e shtyn edhe më tej të sensibilizojë opinionin se duhani vërtet e dëmton shëndetin”,
sqaron Ramadani.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit.
XS
SM
MD
LG