Ndërlidhjet

OKB: Krijim urgjent i korridorit për ndihma në Kirgizi


Refugjatët në Osh, Kirgizi
Refugjatët në Osh, Kirgizi

Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështje politike, Lin Pasco, ka bërë thirrje për krijimin urgjent të korridorit humanitar për furnizim me ndihma në Kirgizi, pas pesë ditëve të dhunës etnike në pjesën jugore të këtij vendi. Ai i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se Uzbekistanit i duhet ndihmë ndërkombëtare për t’u marrë me refugjatët.


Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për çështje politike, Lin Pasco, i ka thënë Këshillit të Sigurimit se urgjentisht kërkohet krijimi i korridorit humanitar për furnizim në Kirgizi dhe se Uzbekistanit i duhet ndihmë ndërkombëtare për t’u marrë me refugjatët.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka bërë thirrje për qetësi dhe për kthimin e sundimit të ligjit.

Dhjetëra mijëra uzbekë etnikë, shumica prej tyre femra, fëmijë dhe të moshuar, nga pjesa jugore e Kirgizisë, kanë hyrë në rajonin kufitar Andijon të Uzbekistanit.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Bishkek, Mirosllav Jença, ka thënë se numri i tyre së shpejti mund të arrijë në 100 mijë.

Mediat rajonale kanë raportuar se Uzbekistani e ka mbyllur kufirin e tij me Kirgizinë, duke theksuar pamundësinë për t’u marrë me një numër të madh të refugjatëve, që hyjnë nga vendi fqinj.

Zëvendëskryeministri i Uzbekistanit, Abdullah Aripov, ka thënë se vendit të tij i duhet ndihma ndërkombëtare humanitare, për të krijuar mundësi për t’u ndihmuar refugjatëve. Sipas tij, kufiri do të hapet nëse Uzbekistani i merr ndihmat e nevojshme.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë ka thënë se po dërgon ndihma për 75 mijë vetë në Uzbekistan.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar nga Uzbekistani dhe Taxhikistani, që t’i mbajnë të hapur kufijtë për refugjatët, që largohen nga konflikti në Kirgizi.

Trazirat dhe përleshjet etnike filluan në qytetin jugor Osh dhe pastaj u zgjeruan edhe në provincën fqinje, Xhalal-Abad. Nga dhuna janë vrarë së paku 170 vetë, ndërsa dhjetëra mijëra uzbekë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Në të shumtën e rasteve, cak i sulmeve ishte minoriteti uzbek dhe bizneset e tij. Po ashtu, ka pasur edhe shumë vrasje dhe viktima në mesin e popullatës kirgize.

Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, ka thënë se situata në Kirgizi ishte “e patolerueshme”.

“Sigurisht se është e domosdoshme ndihma për popullin e Kirgizisë për t’i zgjidhur këto probleme”
, ka deklaruar Dmitri Medvedev.

Megjithatë, më herët zoti Medvedev e kishte hedhur poshtë kërkesën e lideres së përkohshme të Kirgizisë, Roza Otunbaeva, për ndihmë ushtarake ruse.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Xhalal-Abad, Rysbai Abdraimov, ka raportuar se duket sikur qeveria lokale e ka marrë kontrollin në këtë qytet.

“Sipas informacionit që e mora nga ombudspersoni Alina Amanova në Xhalal-Abad, disa njerëz, që ishin larguar nga shtëpitë e tyre në qarkun Suzak, tash po kthehen. Atje ka uzbekë, kirgizë dhe njerëz me kombësi të tjera. Këta janë njerëzit që ishin larguar në fshatrat e afërta”
, ka raportuar korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Rysbai Abdraimov.

Situata në pjesën jugore të Kirgizisë ishte e trazuar prej se qeveria e mëparshme në Bishkek ishte përmbysur pas protestave në muajin prill.

Presidenti i përmbysur, Kurmanbek Bakiev, që e ka origjinën nga Xhalal-Abadi, e ka pasur mbështetjen më të fuqishme në rajon.

Zyrtarët e përkohshëm i kanë fajësuar mbështetësit e Bakievit për nxitjen e dhunës së fundit, por këtë akuzë zoti Bakiev e ka përgënjeshtruar. (f.b.)

XS
SM
MD
LG