Ndërlidhjet

Botërori në Somali është lojë e rrezikshme


Adhuruesit e futbollit në Somali
Adhuruesit e futbollit në Somali
Në Somali, është lojë shumë e rrezikshme të shohësh ndeshjet e Botërorit 2010. Grupet e milicive islamiste, të cilat e konsiderojnë Botërorin si një ngjarje joislamike, kanë paralajmëruar se dashamirët e futbollit do të dënohen nëse i shohin ndeshjet.

Të shtunën, militantë të armatosur rëndë u vërsulën në qytetin Afgoji në disa shtëpi ku shihej futbolli dhe vranë dy njerëz. Deri tash, 30 vetë janë arrestuar.

Të përpiqesh të shohësh Botërorin vetëm me një sy. Kjo është ajo që duhet të bësh në Somali, thotë një dashamir i futbollit. Njërin sy duhet ta kesh te televizori, e tjetrin te dera, në rast se hyjnë militantët, thotë ai.

Grupet militante të Somalisë, të cilat kontrollojnë shumicën e vendit, i kanë paralajmëruar qytetarët se do të dënohen nëse kapen duke shikuar fshehurazi lojëra.

Kjo ua ka vështirësuar shumë jetën dashamirëve të futbollit, në kohën kur tifozët në mbarë Afrikën po i shohin ndeshjet e turneut me një krenari të veçantë, sidomos për shkak se Afrika e Jugut është mikpritësi i kampionatit.

Një nga ndeshjet e zhvilluara në Afrikën e Jugut.
Pesëmbëdhjetëvjeçari Mahad Mohamed Haxh, kapiten i skuadrës së Somalisë për lojtarët e moshës nën 17 vjeç, thotë se, megjithëse ai mund t’i shohë ndeshjet në një pjesë të kryeqytetit të mbrojtur nga paqeruajtësit e Unionit Afrikan, të gjithë e ndjejnë presionin nga aktiviteti i kryengritësve.

“Ne jemi Afrikë, unë e përkrah Afrikën të fitojë Kupën e Botës. Jam shumë i lumtur këtë vit. Por, thjesht, kryengritësit refuzojnë t’u lejojnë njerëzve t’i shohin lojërat. Këtu ku jemi, është në rregull. Ne kemi parë çdo ndeshje që luhet në Afrikën e Jugut”, thotë Haxh.

Disa orë para nisjes së kampionatit më 11 qershor, lideri islamist, Sheik Abu Jahja al Iraki, e mbrojti vendimin për të ndaluar shikimin e ndeshjeve, duke thënë se “futbolli buron nga kulturat e vjetra të krishtera dhe administrata jonë islamike kurrë nuk do të lejojë që të shihet ajo që ata e quajnë Kupa e FIFA-s”.

Zëvendësdrejtori i Shoqatës së Gazetarëve të Sportit në Somali, Shafi Mohjadin Abokar, tergon se çka ndodh me somalezët që përpiqen t’i shohin ndeshjet fshehurazi.

“Militantët e sulmuan shtëpinë ku njerëzit po i shihnin lojërat fshehurazi. Ata vranë dy djemtë e shtëpisë që u përpoqën të hidhen përtej murit dhe arrestuan 10 të tjerë në Mogadishu”, thotë Abokar.

Të martën, më 15 qershor, Qeveria Kalimtare Federale e Somalisë e dënoi dhunën përmes një deklarate, duke thënë se somalezët duhet të kenë mundësi t’i shohin ndeshjet “pa frikë nga humbja e jetës”.

Abokar thotë se ka drojë se më shumë se 30 njerëz janë arrestuar deri tash.

“Po, nuk e dimë se çfarë u bëjnë militantët atyre që i arrestojnë. E dimë vetëm se këta njerëz që u arrestuan teksa i shihnin lojërat e Botërorit, mbahen nga islamistët dhe familjarët nuk mund t’i shohin për të parë se si po trajtohen”, thotë Abokar.

Dy milicitë kryesore të Somalisë, “Hizbul Islam” dhe “Al Shabab” kanë zbatuar interpretimin e rreptë të ligjit islamik Sheriatit, në zonat që i kanë nën kontrol. Grupet islamike e konsiderojnë futbollin “vepër të djallit” dhe prej vitit 2006 ua kanë ndaluar njerëzve t’i shohin ndeshjet.

Forcat e Etiopisë e dëbuan regjimin islamist jashtë vendit në vitin 2007, por, në vitet e fundit, militantët islamikë kanë marrë fuqi në shumicën e vendit. Dhjetëra mijë somalezë kanë vdekur nga dhuna. (v.p.)
XS
SM
MD
LG