Ndërlidhjet

Pa platformë për bisedimet


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Pozicioni i Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, do të bazohet në Kushtetutën e saj, si shtet i pavarur, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Opozita ndërkaq, kritikon Qeverinë për mungesë platforme për këto bisedime.


Përveç gatishmërisë së shprehur politike, Kosova nuk ka ende një platformë përfundimtare për bisedimet e paralajmëruara teknike me Serbinë.

Zyrtarë nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës besojnë se platforma dhe pozicioni i Prishtinës në këto bisedime duhet të bazohet në Kushtetutën e Kosovës.
...bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e integrimeve evropiane...


Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se bashkëpunimi rajonal paraqet një domosdoshmëri, duke marrë parasysh se është edhe një prej kushteve për integrimet evropiane.

Kosova dhe Serbia ulen në një tavolinë vetëm në nivel dhe pozicion shtetesh të barabarta, thotë zëvendësministrja e Jashtme e vendit.

“Pikë referencë e çfarëdo lloj platforme, çfarëdolloj bisedimi, është Kushtetuta e Kosovës. Ne nuk po ulemi të negociojmë statusin, por megjithatë ka gjëra rreth të cilave ne duhet të merremi vesh. Bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e integrimeve evropiane dhe në këtë kontekst ne i shohim edhe bisedimet me Serbinë”
, thotë Çitaku.

Qasja e tashme e Qeverisë në raport me bisedimet teknike me Serbinë, kritikohet nga opozita.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se Prishtina zyrtare po ngutet me deklarimin e parezervë pro-bisedimeve, pasi që, sipas tij, ato duhet të nisin vetëm kur Serbia ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës.
Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re


“Vendi nuk do të duhej të hynte në negociata të reja pa njohjen paraprake të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe pastaj, sikurse edhe me shtetet tjera, ne mund të bisedojmë edhe me Serbinë, sepse ka shumë çështje që e preokupojnë Ballkanin dhe që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta”.

“Përndryshe, çdo tentativë për të hyrë në bisedime të tilla, ka rrezik që ta fusë Kosovën në një rrugë qorre, nga e cila vështirë se do të mund të dilet”,
thekson Makolli.



Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se në këso rrethanash, Qeveria aktuale nuk është e gatshme për bisedime.

Thirrjet eventuale që edhe opozita të jetë pjesë e bisedimeve, Gjini i sheh më tepër si tendencë që përgjegjësia t’u ndahet të gjithëve, për ç’gjë ai nuk shpreh ndonjë gatishmëri për pjesëmarrje.
Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës


“Mendojmë se Kosova jo vetëm që nuk ka platformë, por tashmë i është zhbërë kapaciteti që të ndërtojë çfarëdo platforme, që do të sillte rezultate për Kosovën, në cilat do bisedime që do të mbahen”.

“Kështu që mendojmë se në këso rrethanash, Kosova nuk mund të jetë e gatshme për shkak të pushtetit aktual. Mendojmë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që pushteti të jetë legjitim për të hyrë në këto bisedime”,
shprehet Gjini.

Në anën tjetër, Vlora Çitaku, thotë se opozita po i jep një dimension dhe ngjyrim tjetër këtij procesi bisedimesh, pasi që, sipas saj, ato do të jenë teknike dhe jo bisedime politike.

Ndonëse e cilëson si shkelje të Kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës mbajtjen e strukturave të pushtetit të Serbisë në veri të Kosovës, Çitaku nuk e sheh veriun si një temë bisedimesh, por shpreh besim se ka çështje që mund të rregullohen në raportet Kosovë – Serbi, të cilat mund të ndihmojnë vendosjen e normalitetit në këtë pjesë të vendit.

“Ne me Serbinë do të bisedonim për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, për çështjet e interesit të përbashkët, për bashkëpunimin kufitar, doganor, për luftimin e krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative si dhe për gjetjen e modaliteteve për të ndihmuar njëri-tjetrin në procesin e integrimeve evropiane”,
sqaron Çitaku.

Bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit janë paralajmëruar nga diplomatë ndërkombëtarë, duke besuar se ato mund të nisin pas mendimit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Njëherësh, këto bisedime, zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë cilësuar edhe si dëshmi nga ana e Serbisë dhe Kosovës për procesin e integrimeve, andaj ato shihen edhe si të pashmangshme, pavarësisht kohës se kur do të mund të nisin.
XS
SM
MD
LG