Ndërlidhjet

Irani, Turqia: Sot miq, nesër rivalë?



Politikë-bërësit perëndimorë konsiderojnë se do të kishte qenë mirë sikur afrimi aktual ndërmjet Turqisë dhe Iranit, të ishte parandaluar. Kjo shpjegohet me faktin se afrimi i Turqisë, shtet sekular, i afërt me Perëndimin dhe anëtar kyç i NATO-s, me Iranin, me teokraci të ripërtërirë, që me programin atomik dhe me ambiciet gjeopolitike, paraqet sfidë të plotë për rendin e krijuar ndërkombëtar.

Dyshimet se Turqia po tërhiqej nga orbita perëndimore për lidhje të afërta me fqinjët e saj myslimanë në Lindjen e Mesme, ishin përforcuar muajin e kaluar kur kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, shkoi në Teheran për nënshkrimin e marrëveshjes për karburant atomik, e ndërmjetësuar së bashku me presidentin e Brazilit, Luiz Injacio Lula da Silva, që synonte bllokimin e sanksioneve të mëtejshme kundër programit iranian për pasurim të uraniumit.

Kjo lëvizje, që përfundimisht ishte e pasuksesshme, është parë si manifestim i afinitetit në rritje të zotit Erdogan për Iranin dhe presidentin e tij, Mahmud Ahmadinexhad, të cilin më herët e kishte përshkruar si “mik shumë të mirë”.

Pamja e aksit të ri Teheran – Ankara, ishte forcuar më tutje edhe nga ndërhyrja vdekjeprurëse e Izraelit në flotën e anijeve turke me ndihma për në Rripin e Gazës, më 31 maj të këtij viti, që çoi në vrasjen e nëntë shtetasve të Turqisë. Kjo ndërhyrje ishte dënuar ndërkombëtarisht.

Incidenti ka krijuar një përshtypje të frontit të përbashkët Turqi – Iran kundër Izraelit dhe në mbështetje të Hamasit, që e qeverisë Rripin e Gazës.

Analisti me origjinë arabe, me seli në Izrael, Meir Xhavedanfar, beson se politika e re e jashtme e Turqisë, e përqendruar në Lindjen e Mesme, që përfshinë edhe afrimin me aleatin e afërt iranian, Sirinë, është kërcënim për dëshirën e Iranit, që të jetë fuqia dominuese islamike në botë.

Të dy vendet janë rivalë për të njëjtin titull, kush është lideri i botës islamike dhe iranianët e kanë një komplet të përparësive ekonomike dhe politike, që t’i ofrojnë secilit vend, i cili dëshiron të kalojë në anën e Teheranit, ndërsa turqit kanë një komplet tjetër të avantazheve, që janë shumë më tepër sesa ato të Iranit”, thotë analisti Xhavedanfar.

Më tutje ai thekson:

“Kur kemi të bëjmë me fuqinë ekonomike, me atë ushtarake, me pozitën diplomatike, Irani është inferior ndaj Turqisë. Pra, iranianët do të shikojnë kah fushat ku mund të jenë superiorë ndaj turqve, e njëra nga pak sferat ku Irani është superior, është ajo e programit bërthamor”.

“Turqia nuk është fuqi atomike, prandaj Irani e ka edhe një arsye më tepër, që të bëhet fuqi atomike, në mënyrë që të arrijë përparësi ndaj Turqisë”
.

Ky parashikim mund të duket më i largët sesa ai i paraqitur në një shkrim nga Ali Din Hadad Adel, nipi i liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, sipas të cilit Turqia identifikohet si vend prej nga perëndimi do të hynte në luftë me Iranin.

Ish-diplomati turk që kishte shërbyer në Iran, Murat Bilham, aktualisht kryesues i institutit TASAM me seli në Stamboll, beson se Irani ndjen një largim nga lidhjet perëndimore, për shkak të Turqisë.

“Irani ndjehet pak i ndarë nga lidhjet perëndimore, pasi ato janë në duart e Turqisë. Ata ndjejnë rivalitet dhe ata nuk do të dëshirojnë që Turqia të jetë më e fortë se Irani. Kjo është ndjenjë në Iran, në udhëheqjen iraniane, në plitikbërësit iranianë e të tjerë. Pra, Turqia për Iranin, në një mënyrë, nuk është kërcënim, por diçka që të jetë në anën e njejtë, që ta ndajnë gjeografinë e njejtë, pra që të mos krijoj asnjë problem”
, thotë analisti Bilhan.

Sipas tij, burim i mëtejmë i fërkimit potencial mund të jetë edhe afria në rritje e Turqisë me vendet arabe në Gjirin Persik, shumica e të cilave u frikësohen aktiviteteve atomike iraniane.(f.b.)

XS
SM
MD
LG