Ndërlidhjet

Pesha e akcizës për naftën


Fuçi nafte (foto nga arkivi)
Fuçi nafte (foto nga arkivi)

Ekspertët e ekonomisë dhe sociologët në Kosovë, vlerësojnë se ngritja e akcizës për naftën dhe derivatet e saj, do ta rëndojë jetën e qytetarëve. Lumir Abdixhiku, ekspert për ekonomi, e kundërshton këtë ngritje me arsyetimin se nafta është produkt bazik, e jo produkt luksi dhe se kjo do të reflektojë në ngritjen e çmimeve të konsumit të përgjithshëm. Ndërkaq, sociologu Shemsi Reçica, tërheq vërejtjen se gjendja sociale në Kosovë është para shpërthimit dhe se ngritja e çmimeve rrezikon një gjë të tillë.


Akciza është taksë për produkte të luksit, por nafta nuk mund të konsiderohet produkt i tillë, vlerësojnë ekspertët për çështje të ekonomisë dhe sociologët në Kosovë.

Ata kundërshtojnë ngritjen për 5 euro/centë të akcizës për naftën dhe derivateve të saj, sepse, sipas tyre, kjo do të reflektojë në çmimet e produkteve të konsumit të gjerë, e, rrjedhimisht, edhe në jetën e qytetarëve, e cila, siç thonë ata, po rëndohet gjithnjë e më shumë.

Lumir Abdixhiku, ekspert për ekonomi nga Instituti "Riinvest", thotë se rritja e akcizës për duhanin dhe alkoolin, është e qëlluar, por të kundërtën e thotë për ngritjen e akcizës për naftën dhe derivatet e saj.

“Meqenëse nafta është një produkt bazë për prodhimin e çdo produkti tjetër, ose për ofrimin e çdo shërbimi tjetër, atëherë rritja, sado e vogël që është, do të ndikojë në një zinxhir të rritjeve të çmimeve, në një gamë të gjerë të produkteve”.
Çdo vënie e akcizës në produkte bazike, duke përfshirë këtu edhe naftën, sepse ajo nuk mund të konsiderohet si produkt luksi, e prek drejtpërdrejt qytetarin dhe standardin e jetesës së tij...


“Çdo vënie e akcizës në produkte bazike, duke përfshirë këtu edhe naftën, sepse ajo nuk mund të konsiderohet si produkt luksi, e prek drejtpërdrejt qytetarin dhe standardin e jetesës së tij”.

“Pra, bie fuqia blerëse e qytetarit, ndërkohë që pagat mbesin konstante. Me një relacion të tillë, normalisht që do të kemi një rëndesë më të madhe të standardit të jetesës së kosovarëve”
, vlerëson Abdixhiku.

Në anën tjetër, sipas sociologut Shemsi Reçica, pasojat e ngritjes së akcizës në produkte bazike, do ta rëndojnë edhe më tepër jetesën e qytetarëve të Kosovës, të cilën ai aktualisht e përshkruan të vështirë.

“Gjendja sociale e qytetarëve të Kosovës edhe ashtu është tepër e rëndë. Megjithëse, ngritja e akcizës për importin e derivateve të naftës nuk është ndonjë ngritje e madhe”.
...kjo me siguri se do ta rëndojë shumë më tepër xhepin e qytetarëve, sesa ngritja e akcizës për shembull për alkoolin...


“Mirëpo, kur të merret parasysh se prej derivateve të naftës varen edhe shumë shërbime dhe punë tjera të qytetarëve, atëherë kjo me siguri se do ta rëndojë shumë më tepër xhepin e qytetarëve, sesa ngritja e akcizës për shembull për alkoolin ose për diçka tjetër, që nuk mund të lidhet me veprime dhe shërbime tjera të qytetarëve”
, thotë Reçica.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë deklaruar se rritja e akcizës për duhanin, alkoolin dhe naftën është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që të krijohen mjete të mjaftueshme për financimin e projekteve sociale dhe investimeve kapitale, gjë që nënkupton edhe ndërtimin e autostradës.

Por, zoti Abdixhiku konsideron se ngritja e akcizës për naftë nuk ka qenë e domosdoshme.

“Ka pasur alternativa tjera. Ka mundur Qeveria ta rrisë akcizën edhe më tepër në duhan dhe alkool, si të mira të luksit. Alternativë tjetër ka mundur të jetë edhe rritja e vetë inkasimit, duke pasur parasysh që kemi një formalitet që sillet diku rreth 700 milionë deri në 1 miliardë euro”.

“Atëherë, çdo rritje dhe çdo përmirësim i performancës së administratës tatimore, do të ndikonte në rritjen e të hyrave”,
shprehet Abdixhiku.

Ndërkaq, sociologu Reçica tërheq vërejtjen se gjendja sociale në Kosovë është, siç thotë ai, afër shpërthimit dhe rëndimi i jetesës së qytetarëve, qoftë edhe me rritje krejtësisht të vogla të çmimeve, sikurse në këtë rast, është e rrezikshme.

“Është vetëm një pikë më shumë. Mirëpo, është një pikë që me të vërtetë do ta rëndojë shumë gjendjen. Por, ashtu si po shkojnë trendet e zhvillimeve në Kosovë, do të ketë edhe arsye tjera për pakënaqësinë e qytetarëve dhe kjo është vetëm një arsye shtesë e pakënaqësisë së tyre”
, përfundon sociologu Reçica.
XS
SM
MD
LG