Ndërlidhjet

Ndotja e mjedisit i tejkalon normat e lejuara


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ndotja e ambientit në Kosovë tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet, të cilat i posedon Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto norma tejkalohen për 3 deri në 10 herë më shumë, sesa ato të lejuarat, thotë Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i kësaj agjencie.

Sipas tij, ekzistojnë disa shkaktarë që ndikojnë negativisht në ndotjen e ambientit, si: termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, ujërat e zeza etj.

“KEK-u raporton te ne çdo muaj. ‘Kosova A’ kalon 4-6 herë normat e lejuara evropiane; ‘Kosova B’ 3 herë, e sidomos pluhuri, shkarkimi i hirit që bëhet përmes tymit”, shpjegon Morina.

Sipas Morinës, Agjencia e Mjedisit, me përkrahjen e Komisionit Evropian, ka montuar tri stacione te monitorimit të ajrit, që do të shërbejnë për të ditur saktë se sa kalohen normat e lejuara evropiane të ndotjes së ambientit.

Ai shton se kjo agjenci planifikon të instalojë edhe 4 stacione të tjera në muajt në vijim, që, sipas tij, do të ndikojnë sadopak në përmirësimin e gjendjes aktuale në vend.

Ndërkaq, Zeqir Veselaj, ekspert për çështje të ambientit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se situata nuk është duke ndërruar për mirë. Sipas tij, ajo nuk do të ndërrojë derisa qeveria nuk do ta ngrejë në nivelin e prioriteteve çështjen e mjedisit.

“Çështja është se duhet të fillojë të funksionojë një sistem i mirëfilltë për mbrojtjen e mjedisit. Mbeturinat japin një pamje jo të mirë...“, shprehet Veselaj.

Ai thotë se në ndotjen e ambientit ndikon edhe ndërmarrja për prodhimin e nikelit “Feronikeli”. Shkalla e ndotjeve që liron “Feronikeli” është shumë e lartë, sepse aty lirohen metale të rënda, që janë problematike dhe me efekte negative për shëndetin e njeriut.

Veselaj thotë se institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë lidhur me këtë çështje.

Prishtinë
Në anën tjetër, qytetarët janë të mendimit se ndotja e ajrit është në nivel mjaft të lartë.

Baton Krasniqi, nga Prishtina, thotë se nuk është i kënaqur me kujdesin e zyrtarëve institucionalë për mbrojtjen e mjedisit.

Mendoj se ndotja e ambientit është një problem shumë serioz dhe ajo çka na shqetëson shumë, është se nuk ka kurrfarë mbrojtjeje konkrete nga ana e institucioneve”, shprehet ai.

Çështja e ndotjes së ajrit në Kosovë ka kohë që është temë debatesh nga më të ndryshmet. Ajo është dëgjuar të përmendet më së shpeshti në diskutimet për ngritjen e një termocentrali të ri dhe standardet që ai duhet t’i përmbushë për të qenë në pajtim me normat ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG