Ndërlidhjet

Brazili respekton Holandën, holandezët të përçarë

  • RFE /RL

Futbollistët e kombëtares së Brazilit

Futbollistët e kombëtares së Brazilit

Futbollistët e kombëtares së Brazilit, para takimit të nesërm në çerekfinale me Holandën, kanë lavdëruar lojën e holandezëve dhe kanë thënë se nuk do të jetë lehtë të fitohet ky takim.

“E dimë se Holanda është kundërshtar i vështirë. Ata lujanë futboll të ngjashëm me atë të Amerikës Latine”, ka deklaruar selektori i Brazilit, Dunga.

Në tre takimet e deritashme, sa janë takuar Brazili dhe Holanda, në kampionatet botërore, ekipi që ka fituar gjithnjë, ka arritur në finale.

“Ata kurrë nuk mbrohen dhe nuk luajnë me topa të gjatë. Kanë një ekip të nivelit të lartë teknik dhe ne duhet të përgatitemi seriozisht. Holanda është një ekip i fortë”, ka thënë Dunga.

Holanda ka luajtur tre takime në Grupin E dhe ka shënuar fitore të sigurta, ndërsa në të tetën e finales ka eliminuar kombëtaren e Sllovakisë.

Brazili ka luajtur në Grupin G dhe ka shënuar dy fitore, ndërsa me Portugalinë ka luajtur baraz, që ka mjaftuar për pozitën e parë në grup. Në të tetën e finales, Brazili ka mundur Kilin 3 : 0.

Në takimin me Holandën, Brazili nuk mund të llogarisë në Elanon, që është i lënduar dhe që në takimet e deritashme ka luajtur shkëlqyeshëm dhe ka shënuar 2 gola.

Nga ana tjetër, holandezët kanë probleme me atmosferën në ekip. Shtypi ka raportuar se gjoja Van Persi është i pakënaqur që është zëvendësuar në takimin me Sllovakinë dhe ka deklaruar se është dashur të zëvendësohet Shnajder, e jo ai.

Selektori holandez, Bert van Marvejk, ka konvokuar takim me të gjithë futbollistët dhe ka kërkuar që para takimit me Brazilin, mospajtimet të lihen anash.

Van Persi dhe Shnajder, në të kaluarën, kanë pasur raporte të këqija dhe ky konflikt daton që nga Kampionati Evropian në vitin 2008, kur në takimin me Rusinë nuk u pajtuan se kush duhej të ekzekutonte një gjuajtje të lirë.
XS
SM
MD
LG