Ndërlidhjet

KE: Arritje, por shumë sfida për Kosovën


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Autoritetet kosovare dhe Komisioni Evropian kanë përmbyllur takimin e parë të dialogut të procesit të stabilizim-asociimit. Takimi, i cili është përqendruar në të arriturat rreth agjendës evropiane të vendit, përmbushjes së kritereve politike dhe atyre ekonomike, është thënë se do t’i shërbejë Komisionit Evropian në hartimin e raportit të progresit 2010, për Kosovën.



Krimi i organizuar dhe korrupsioni, zbatimi i legjislacionit që ka të bëjë me këto çështje, por edhe miratimi e zbatimi i legjislacionit të nevojshëm për nisjen e procesit të liberalizmit të vizave janë përmendur si sfida kryesore për institucionet kosovare pas takimit të parë të procesit të stabilizim - asociimit.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Evropian, Pier Mirel, ka thënë se që nga viti i shkuar janë vërejtur përmirësime në shumë fusha, por se nevojitet ende një përkushtim më i madh në miratimin e një varg ligjesh të rëndësishme në mënyrë që ato të mund të merren parasysh në finalizimin e Raportit të Progresit 2010.

Mirel ka shfaqur shpresën se miratimi i legjislacionit për riatdhesimin dhe ri-integrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë, do t’i mundësojë vendit që në shtator të këtij viti të nisë dialogun për liberalizim vizash me Brukselin zyrtar.

Pier Mirel

Ne shpresojmë që në fund të korrikut të përmbushen dy parakushtet, të cilat i kemi përmendur lidhur me nisjen e dialogut. Pastaj, shpresojmë se në shtator ne të jemi të gatshëm që formalisht të nisim këtë dialog”, është shprehur Mirel.

Megjithëse thuhet se takimi i së martës i përfaqësuesve evropianë dhe atyre kosovarë, shënon ngritjen e raporteve mes Kosovës dhe BE-së, Kosova është e fundit nga radhët e shteteve të rajonit që ka hyrë në dialogun e procesit të stabilizim- asociimit.


Ministri i Integrimeve, Besim Beqaj, ka shprehur përkushtimin e ekzekutivit kosovar për përmbushjen e kritereve të nevojshme për integrimin në Bashkimin Evropian dhe ka shfaqur shpresën që Komisioni Evropian t’i marrë parasysh arritjet e bëra deri më tani.


Besim Beqaj

Të gjitha vendet e rajonit kanë kaluar nëpër një proces të tillë- ndoshta edhe më të gjatë. Duhet të kuptojmë që shteti i Kosovës është shtet pak më shumë se dy vjet dhe tani ka hyrë në fazën e dinamizmit institucional, për të krijuar raporte partneriteti dhe raporte kontraktuale me Komisionin Evropian”, ka thënë Beqaj.

Ndërkaq, dinamika, me të cilën Kosova do ta zhvillojë procesin e integrimeve evropiane, sipas Mirelit, do të varet nga dinamika e zbatimit të kritereve të kërkuara nga BE-ja.


“Se a do të jetë e ngadalshme apo e shpejtë - nuk e di. Kjo varet kryesisht nga energjia e vendimeve, që e vendosin partnerët veç e veç në programin e tyre evropian dhe në mënyrën se si i zbatojnë ato”, ka thënë Mirel.

Mirel ka theksuar se e ardhmja e vendeve të rajonit në BE është e qartë.

“Ne nuk kemi dyshime se procesi do të duhej dhe do të vazhdojë. Është e rëndësishme që të sigurohen ndryshimet në këto shtete; ndryshimet ekonomike e demokratike. Është e rëndësishme për stabilitetin”.

“Rajoni është rajon evropian. Andaj, ne duhet të përpiqemi dhe ky është përkushtimi ynë - i Komisionit Evropian, që të ndihmojmë më së miri që mundemi në përgatitjen e integrimit të të gjitha shteteve të rajonit”,
ka theksuar Mirel, duke komentuar paralajmërimet e disa diplomatëve evropianë që flasin për mundësinë e ndalimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian pas anëtarësimit të Kroacisë në këtë mekanizëm.



* * * * *

Nis dialogu i procesit të stabilizim - asociimit

Pas rekomandimit të raportit të fundit të progresit për Kosovën dhe pas shtatë takimeve të ashtuquajtura sektoriale në mes të autoriteteve kosovare dhe atyre evropiane, aktualisht në Prishtinë po vazhdon takimi i parë i dialogut të procesit të stabilizim-asociimit ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.

Deri në këtë vit, Kosova ka pasur mekanizmin përcjellës në këtë proces; takimi i së martës i përfaqësuesve evropianë dhe atyre kosovare thuhet se shënon ngritjen e raporteve mes Kosovës dhe BE-së.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Evropian, Pierre Mirel, thotë se pavarësisht arritjeve në fusha të caktuara, Kosova duhet të tregojë më shumë përkushtim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me këto çështje.


“Te kriteret politike, gjyqësori duhet të forcohet dhe duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet politike. Duhet të ketë më shumë rezultate ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo që është me rëndësi, është që të ketë lëvizje nga sistemi ligjor, i cili ende duhet të plotësohet, në zbatimin e tij me vendosmëri”
, thotë Mirel.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, rithekson vendosmërinë e ekzekutivit kosovar në, siç e quajti ai, betejën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Thaçi thotë se institucionet kosovare kanë shënuar progres në disa fusha, siç janë kompletimi i kornizës ligjore të prokurimit publik, reforma e administratës publike, zgjerimi i dialogut dhe pajtimit në mes të komuniteteve, vazhdimi i reformës së sistemit gjyqësor etj.

Kryeministri Thaçi thekson se synim i Prishtinës zyrtare do të jetë përputhja e strategjive të ndryshme me agjendën evropiane të vendit.

“Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë dhe zbatojmë strategjitë zhvillimore për Kosovën, të sigurohemi që agjenda zhvillimore dhe agjendat evropiane të jenë të integruara në një proces”
, thekson Thaçi.

Hashim Thaçi

Temat e diskutimit të këtij takimi i ngjajnë atij të një raporti të progresit - diskutime kryesore, pra, bëhen për të arriturat rreth agjendës evropiane të vendit, përmbushjes së kritereve politike dhe atyre ekonomike.

Kryeministri Thaçi shpreh përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për intensifikimin e dinamikës së integrimit, proces të cilit, siç thekson ai, i kontribuon dhe intensifikimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Veprimet e institucioneve kosovare në drejtim të përmbushjes së kritereve për integrim në BE dhe në realizimin e rekomandimeve të dala nga raporti i progresit i vitit të kaluar, sipas Thaçit, kanë qenë të pandalshme.

Kreu i ekzekutivit kosovar shfaq shpresën që në kuadër të shteteve, që, sipas tij, do ta njohin Kosovën pas prezantimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të figurojnë dhe pesë shtetet evropiane që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Ne shpresojmë që edhe pesë vendet e tjera të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do ta bëjnë këtë dhe do ta njohin realitetin e ri - pra Kosovën si shtet”
, shprehet Thaçi.

Po ashtu, gjatë takimit u bë e ditur se ka pasur lëvizje të Komisionit Evropian në drejtim të zgjerimit të masave autonome tregtare. Thuhet se një delegacion i Komisionit Evropian ka nisur t’i vlerësojë kushtet për të krijuar një bazë për Komisionin që të negociojë një marrëveshje tregtare.

Përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, ndërkaq, thuhet se mund të bëhet pasi autoritetet kosovare t’i kenë përmbushur në tërësi kriteret e kërkuara.
XS
SM
MD
LG