Ndërlidhjet

Bastiset PTK-ja


(Foto nga arkivi)

(Foto nga arkivi)

EULEX-i po vazhdon bastisjet e më shumë se tetë lokacioneve, përfshirë Postë-Telekomin e Kosovës, lidhur me dyshimet për korrupsion, gjatë dhënies së një licence të telekomunikimit. Bëhet e ditur se pjesë e bastisjeve janë dhe pronat private të kryeshefit të PTK-së, Shyqyri Haxha. Opozita mirëpret veprimet e së enjtes të EULEX-it, por kërkon dhe përgjegjësi politike nga udhëheqësit e institucionale, të cilët, sipas tyre, kanë instaluar një sistem korruptiv në Kosovë.


Në vazhdën e hetimeve që misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit po i zhvillon në lidhje me korrupsion, në mëngjesin e së enjtes pjesëtarët e policisë së këtij misioni, të asistuar nga ata të Policisë së Kosovës, nisën një bastisje në Postë-Telekomin e Kosovës dhe në disa lokacione të tjera në Prishtinë dhe Pejë.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisjet janë të ndërlidhura me hetimet për dyshime në lidhje me çështje financiare dhe korrupsion në lidhje me një licencë të telekomunikimit.

“Pjesë e këtyre hetimeve është bartja e licencës për telekomunikim të një operatori në rrjetin mobil virtual, në vitin 2007 dhe 2008, ndërmjet kompanisë 'Dardafon' dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Prandaj, zyrat e kompanisë Dardafon, zyrat e kompanisë 'Devolli Group' dhe kompania 'Z mobile', si dhe banesat e përfaqësuesve të këtyre kompanive janë duke u bastisur”
, tha Krasniqi.

Ai bëri të ditur se bastisja është bërë bazuar në autorizimin e gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX-it dhe se hetimet janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në kuadër të Task-Forcës kundër korrupsionit janë pjesë e aktiviteteve që EULEX-i është duke i zhvilluar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se përveç kësaj nuk mund të jepen detaje të tjera për hetimet, ngase, siç tha ai, procesi po kryesohet nga EULEX-i.

“Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë duke asistuar ata zyrtarë që janë në kuadër të Task-Forcës së krijuar të anti-korrupsionit. Kjo është e tëra çfarë mund t’ju them lidhur me këtë bastisje”
, u shpreh Kelani.

Përveç tetë lokacioneve - tri prej të cilave në Prishtinë dhe pesë në Pejë, EULEX-i ka bastisur edhe zyrën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha, si dhe pronat private të tij.

Mirëpo, pavarësisht përpjekjeve të radios për të kontaktuar zotin Haxhaj, apo zyrën për informim të Postë-Telekomit të Kosovës, nuk është arritur të merret ndonjë prononcim për bastisjet, të cilat thuhet se janë të ndërlidhura edhe me një hetim të dytë për korrupsion.

Opozita në Kosovë, ndërkaq, i quan lajme të mira për Kosovën bastisjet aktuale që po i ndërmerr EULEX-i. Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, theksoi se megjithatë duhet të bëhet një ndarje në mes të përgjegjësisë penale e asaj politike.

Arifi kritikoi qeverinë aktuale për ekzistimin e, siç tha ai, sistemi korruptiv në Kosovë.

“Ne duhet ta ndajmë përgjegjësinë penale dhe përgjegjësinë politike. Ne akuzojmë Qeverinë Thaçi se ka krijuar koncept korruptiv me këtë qeverisje. Korrupsioni që nga ardhja e qeverisë Thaçi ka qenë pjesë normale e aktivitetit qeverisës”,
tha Arifi.

Bastisjet e para që EULEX-i i ka bërë lidhur me dyshimet për korrupsion kanë qenë lokacionet e Ministrisë së Transportit e Postë-Telekomunikacionit dhe pronat private të ministrit, Fatmir Limaj.

Hetimet ndaj Limajt janë duke vazhduar, ndërsa ditë më parë EULEX-i arrestoi personin e parë, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në çështje korruptive - këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë në Kosovë, Ilir Tolaj.
XS
SM
MD
LG