Ndërlidhjet

Rezniqi: Si i shpëtuam hebrenjtë...


Mirënjohje për familjen Rezniqi
Mirënjohje për familjen Rezniqi

Lantosh dhe Diogardi shpalosën të vërtetën për ndihmën e shqiptarëve dhënë hebrenjve gjatë Holokaustit, thotë Lekë Rezniqi.


Në Pragë, këto ditë është mbajtur tubimi ndërkombëtar, përkatësisht konferenca e Asociacionit të Historisë Orale. Në këtë tubim, për kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë folur Shirley Cloyes DioGuardi, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe Lekë Rezniqi, sekretar i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Rezniqi, familja juaj është shumë e njohur për rolin që ka pasur në strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve. Ju jeni ngarkuar për të rrëfyer historinë e familjes. Sa familje hebreje janë shpëtuar nga familja juaj dhe si është bërë kjo?

LEKË REZNIQI
Familja jonë ka strehuar mbi 40 familje hebreje, duke mos përfshirë edhe individët që kanë ardhur aty.

Stërgjyshi im, Asllan Rezniqi, i cili më vonë është dekoruar nga shteti i Izraelit dhe Instituti Yad Vashem si “fisnik mes kombeve”, që është titulli për ata, të cilët vërtetohen se i kanë ndihmuar dhe strehuar hebrenjtë, ka bashkëpunuar me një numër të madh tregtarësh hebrenj, duke qenë vetë tregtar nga Gjakova, ndërsa më vonë është transferuar në Deçan.

Duke parë rrezikun që vinte nga lëvizjet naziste, bashkëpunëtorët e tij hebrenj që ishin nga Maqedonia dhe nga Greqia, i kanë kërkuar atij t’i strehojë në Kosovë, derisa të krijohen kushtet për të kaluar në Shqipëri, që atëherë njihej si vend më i sigurt, si “tokë e premtuar” për hebrenjtë.

Hebrenjtë e tjerë, të cilët nuk kanë ditur se kush është Asllan Rezniqi apo familja jonë, e kanë ditur se është një shtëpi e sigurt në Deçan. Numri i tyre ka arritur apo edhe kaluar 40-shin.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na rrëfeni ndonjë rast konkret të strehimit dhe të shpëtimit të hebrenjve nga familja juaj në atë kohë?

LEKË REZNIQI
Me theks të veçantë në gjithë këtë që ka bërë familja jonë është rasti i doktor Haim Abravanelit, emrin e të cilit e mban edhe shoqata jonë: “Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael”.

Ai ka qenë një doktor nga Shkupi, i cili, gjatë kohës së luftës, është mobilizuar nga forcat naziste si mjek dhe natyrisht, pas një periudhe, ai do të ekzekutohej apo do të dërgohej në ndonjë kamp përqendrimi.

Kontigjenti ku ai ka marrë pjesë, ka kaluar një ditë nga Gjakova dhe Deçani. Hebrenjtë që kanë qenë të strehuar në shtëpinë e familjes sonë, e kanë njohur atë në mesin e turmës së ushtarëve dhe i kanë treguar stërgjyshit tim, Asllan Rezniqit, se një doktor hebre është i mobilizuar me ushtri.

Një arsye më e fortë përse insistonin që stërgjyshi im ta nxirrte nga turma dokorin, ishte për shkak të sëmundjes së tifos, që ishte e shpërndarë në atë kohë. Disa anëtarë të familjes sonë kanë qenë të infektuar nga kjo sëmundje, përfshirë këtu edhe Mustafë Rezniqin, gjyshin tim. Ndërkohë që nga kjo sëmundje kishin vdekur disa anëtarë të familjes.

Stërgjyshi im insiston dhe e nxjerr nga turma doktorin; ia jep disa veshje tradicionale shqiptare, për ta hequr uniformën dhe e sjell në shtëpinë e tij.

Doktor Abranaveli ka qëndruar në shtëpinë e familjes sonë në Deçan për gati pesë muaj, derisa ka kërkuar të kthehej në Shkup, sepse ishte hebre nga Shkupi.

RADIO EVROPA E LIRË
A ju ka rrëfyer ndonjëherë gjyshi se cili ka qenë qëndrimi i popullatës shqiptare në Kosovë në raport me të, kur kanë mësuar se strehonte dhe ndihmonte hebrenjtë?

LEKË REZNIQI
Komuniteti shqiptar, si në ditët e sotme, edhe atëherë ka funksionuar shumë mirë, duke pasur parasysh Besën. Banorët e Deçanit e kanë ditur se të gjithë hebrenjtë që po qëndrojnë në shtëpinë e Asllan Rezniqit, janë në besë të tij.

Prandaj, si shqiptarë, ata nuk kanë dashur ta tradhëtojnë. Edhe vetë banorët e Deçanit kanë ndihmuar pastaj hebrenjtë që nga shtëpia jonë të kalojnë në Shqipëri, qoftë nga rruga e Kukësit, qoftë nga bjeshkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucioni i Përkujtimit të Martirëve të Holokaustit Yad Vashem në Jerusalem ka njohur veprën e gjyshit tuaj. Çfarë paraqet ajo për ju?

Lekë Rezniqi
LEKË REZNIQI

Do të doja ta them kronologjikisht se si ka ndodhur e gjitha. Në fillim të viteve ’90, ish-kongresisti amerikan, Xhozef Diogardi, dhe kongresisti tashmë i ndjerë amerikan, Tom Lantosh, kanë qenë zyrtarët e parë amerikanë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë, gjatë periudhës komuniste.

Ata janë takuar atje me diktatorin e asaj kohe, Ramiz Alija. Për t’i lënë përshtypje Tom Lantoshit, Ramiz Alija i jep një dosje nga arkivi i shtetit shqiptar për të gjithë hebrenjtë që kanë qenë të strehuar në Shqipëri dhe nuk kanë qenë të persekutuar.

Dy zyrtarët amerikanë, pastaj, shkojnë në Institutin Përkujtimor Yad Vashem në Izrael dhe e vërtetojnë se të gjitha ato që gjenden në arkivat shqiptare, janë të vërteta.

Prej atëherë, ka filluar të bëhet i njohur fenomeni që shqiptarët si komb kanë strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka njohur anti-semitizmin dhe është i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numrin më të madh të hebrenjve, sesa para luftës.

Ka qenë e ditur se hebrenjtë nuk kanë qenë lokalë në Shqipëri; është ditur se ata kanë ardhur aty prej ndonjë vendi tjetër.

Pas hulumtimeve të tjera që janë bërë, ka filluar të vërtetohet se numri më i madh i hebrenjve ka kaluar nëpër Kosovë – në familjen tonë apo edhe në familjet tjera, si ajo e Halim Spahisë, e Hasan Xërxës, apo shumë familje të tjera në mbarë Kosovën, që kanë ndihmuar hebrenjtë të dalin në Shqipëri, sepse ata vinin nga Serbia, Maqedonia, Bullgaria apo edhe më larg.

Ky vendim i Institutit Yad Vashem vjen pas një periudhe shumë të gjatë, pothuajse 20-vjeçare, pas një pune të jashtëzakonshme që është bërë nga shumë njerëz, për të vërtetuar këtë vepër të madhe, që jo vetëm shqiptarët në Shqipëri e kanë bërë, por edhe ata jashtë kufijve të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjyshi juaj ka themeluar Shoqatën “Doktor Haim Abravanel”. Cili është qëllimi i kësaj shoqate dhe cili është aktiviteti aktual i saj?

LEKË REZNIQI
Në fillim të pranverës kemi shënuar 5-vjetorin e themelimit të saj dhe gjithashtu njëvjetorin e shpërblimit të familjes sonë, konkretisht stërgjyshit tonë, nga Instituti Yad Vashem.

Këtë shoqatë e themeloi bashkë me, tash nënkryetaren, por atëherë bashkëpunëtoren e tij, Gjangyle Iliazi, nga Gjilani, që ka qenë një veprimtare në grumbullimin e fakteve, në gjetjen e familjeve shqiptare në Kosovë, që kanë ndihmuar dhe strehuar hebrenj gjatë Holokaustit.

Për ta institucionalizuar këtë punë dhe për ta bërë të njohur, gjyshit i ka ardhur ideja që të formojë Shoqatën e Miqësisë Kosovë – Izrael, gjithmonë duke nderuar emrin e doktor Haim Abravanelit.

Mbesa e tij vazhdon të jetojë në Izrael dhe ajo ka qenë dëshmitare e gjithë kësaj ngjarjeje, sepse Instituti Jad Vashem, për të shpërblyer dikë apo për të njohur kontributin e dikujt, nuk e pranon vetëm verzionin e shpëtuesit, por kërkon edhe verzionin e të shpëtuarit.

Pasi doktor Haim Abravaneli kishte vdekur, mbesa e tij ka vërtetuar një gjë të tillë.

Është shumë problematike të vërtetohet vepra e familjeve të tjera shqiptare, që kanë ndihmuar dhe strehuar hebrenjtë, sepse në atë kohë kur është kërkuar një nder, siç e kërkon tradita shqiptare, nuk janë kërkuar para apo çfarëdo kompensimi tjetër. Historia sot, pothuajse pas 70 vjetësh, kërkon vetëm fakte në letër e ato janë shumë të vështira që të gjenden.

Shoqata jonë e ka këtë mision, që t’i gjejë familjet e tjera që kanë strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe natyrisht një gjë të tillë ta bëjë sa më shumë publike për opinionin mbarëbotëror, sepse është një fenomen që nuk haset askund në botë – si komb, shqiptarët ishin të organizuar për të ndihmuar hebrenjtë.

Në kuadër të kësaj, është edhe vizita jonë në Pragë, ku mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Historisë Orale, ku prezantohet vepra e stërgjyshit tim, Asllan Rezniqi, duke përmendur edhe bashkëpunëtorët e tij, Halim Spahia, Hasan Xërza, sepse një i vetëm nuk ka mundur të organizojë gjithçka.

Ka qenë një grup njerëzish që kanë organizuar komunikimin dhe kontaktet, për të siguruar një transport të sigurt nga Kosova në Shqipëri.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se në botë, në Ballkan është e njohur vepra e gjyshit tuaj, por edhe e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo duhet bërë më shumë?

LEKË REZNIQI
Duhet të bëjmë ne më shumë. Gjithmonë ka vend për të bërë më shumë. Pas pavarësisë po krijohen kushte të reja. Ne jemi në embrion të punës sonë.

Megjithëse shoqata është formuar që pesë vjet, ne ende jemi duke grumbulluar fakte. Për t’u bërë publike ato, duhet kohë më e gjatë.

Si fillim i kësaj, është pjesëmarrja për herë të parë në Konferencën Ndërkombëtare të Historisë Orale. Kjo duhet të vazhdojë me prezantime të tjera, me publikime që e gjithë bota të sensibilizohet me këtë vepër të madhe humane që është bërë në atë kohë.
XS
SM
MD
LG