Ndërlidhjet

Rigjykimi i pjesshëm në rastin Haradinaj nuk i ndihmon asnjë procesi në Kosovës, thotë Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Gjini, Dhoma e Apelit të Gjykatës së Hagës vendosi për rigjykim të pjesshëm për rastin Haradinaj. Si e ka pritur këtë vendim Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës?

ARDIAN GJINI
Ne sot kemi qenë seriozisht të befasuar dhe të shokuar. Ka qenë krejtësisht e papritur për ne, jo vetëm për faktin se ne besojmë në pafajësinë e tij dhe se njëherë ishte liruar me vendim unanim të Gjykatës, por edhe për faktin që ka ndodhur në një moment tepër të rëndësishëm për Kosovën, pra vetëm një ditë para se të jepet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në kohën kur kërkohen bisedime me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
AAK-ja, në një kumtesë të lëshuar, ka pohuar se pas këtij vendimi proceset politike mund të dëmtohen seriozisht. A mund ta shpjegoni më hollësisht këtë pohim?

ARDIAN GJINI

Kryetari i partisë më të madhe opozitare është larguar nga skena e Kosovës në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe kjo vetvetiu shkakton problem.

Kryetari Haradinaj, gjatë të gjitha këtyre viteve, ka qenë ndër faktorët kyçë në skenën e Kosovës dhe një zhvillim i tillë në rastin më të butë shkakton ndjenja të këqija te qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Gjini, kohëve të fundit është folur shumë për bisedime teknike me Beogradin dhe të tjera. Si do të mund të reflektohet kjo në skenën politike, në çastin kur lideri i opozitës ndalohet në Hagë?

ARDIAN GJINI
Mendoj se të gjitha prospektet për suksese në Kosovë zbehen pas një zhvillimi të tillë. Pa dashur të paragjykojmë, më duhet të them se kjo ka shkaktuar ndjenja shumë të këqija në Kosovë.

Mendojmë se nuk ka qenë dashur të ndodhë kështu dhe se kjo nuk i ndihmon asnjë procesi në Kosovë, para të cilit mund të gjendemi.
XS
SM
MD
LG