Ndërlidhjet

Gazetarët kërcënohen



Organizata "Reporterët pa Kufij" ka publikuar një raport për gjendjen e lirisë së mediave në vend, në të cilin thuhet se gazetarët janë të rrezikuar dhe kërcënohen nga militantë dhe ekstremistë të ndryshëm.

“Ndëshkimet profesionale ose financiare aplikohen shumë shpesh për gazetarët që zbulojnë skandale të shumta në fusha të ndryshme”,
thuhet në raport.

Edhe pse dhuna ndaj gazetarëve, sipas organizatës, është e rrallë, masat ndëshkimore financiare për familjet e tyre janë masa efektive që i dërgon ata në vetëcensurë. Klasa politike, sipas raportit, edhe pse shpesh i akuzon gazetarët për mosprofesionalizëm, megjithatë mundohet të rrisë ndikimin në pozitat redaktoriale.

Raporti i organizatës vlerëson se gazetat “Zëri” e “Koha Ditore” janë të vetmet që po i rezistojnë presionit. Kryeministri Hashim Thaçi disa herë ka përsëritur se dëshiron ta shohë Kosovën në Bashkimin Evropian, ndërsa për ta arritur këtë, shkruhet në raport, duhet të ofrojë një garanci më të madhe për lirinë e shtypit.

Nëse nuk bëhet asgjë, metodat kriminale në media do të shtohen dhe mund të prekin edhe gazetarët më të rezistueshëm, thuhet në raport.

Ajo çfarë kanë prezantuar "Reporterët pa Kufij" në raportin e fundit, sipas kryeredaktorit të Kohës Ditore, Agron Bajramit, është diçka që dihet tashmë.

Në këtë raport janë thënë ato që dihen, jo vetëm nga njerëzit që punojnë në media, por edhe ata që kanë lidhje me to, siç janë institucionet. Por, unë kam frikë se edhe me këtë raport do të ndodhë ajo që ka ndodhur edhe me raportet e tjera, të cilat nuk janë marrë parasysh, ose janë neglizhuar nga këto institucione që përmenden në raport”, ka thënë Bajrami.

Ai edhe kësaj here është shprehur i shqetësuar me presionet e ndryshme që u bëhen mediave në Kosovë.

Raporti i "Reporterëve pa Kufij" është përshëndetur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Ashtu siç AGPK-ja ka ngritur zërin vazhdimisht, edhe në raportin e 'Reporterëve pa Kufij' vihen në pah problemet, me të cilat përballen mediat dhe gazetarët në Kosovë - që nga ato financiare deri te presionet politike, shantazhet dhe rrezikimi i lirisë së shprehjes”,
thuhet në njoftimin e këtij asociacioni.

AGPK iu bën thirrje edhe një herë institucioneve dhe grupeve të interesit që të mos bëjnë presion në media dhe t’i lënë gazetarët të lirë në punën e tyre.

“Nuk mund të flitet për demokraci, e as integrime evropiane, nëse vendi ka probleme me lirinë e shtypit dhe të shprehjes”,
thuhet në njoftimin e asociacionit.

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) ka vlerësuar se raporti për gjendjen e mediave në Kosovë është shqetësues. Në njoftimin për media thuhet se UGK-ja vazhdimisht ka kërkuar nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë përmirësimin e gjendjes së gazetarëve.

“Ashtu siç edhe është përmendur në raportin e organizatës 'Reporterët pa Kufij', edhe UGK-ja konsideron se gazetarët ballafaqohen me shumë vështirësi në kryerjen e punës së tyre profesionale, e sidomos përmes presioneve të ndryshme, qoftë nga politika, qoftë nga grupe të ndryshme të interesit”
, thuhet në komunikatë.
XS
SM
MD
LG