Edhe pas vendimit shumë të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, që shënoi dështim të madh të diplomacisë serbe, përfaqësuesit e saj në Beograd thonë se nuk do të heqin dorë nga qëllimet e mëhershme.
Kjo do të thotë se do të dërgojnë 50 emisarë në vende të ndryshme, në përpjekje për t’i pamundësuar njohjet e reja për Kosovën dhe për të siguruar shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për miratim të një rezolute me të cilën do të kërkoheshin bisedime për statusin e Kosovës.
Por, në Beograd ka zëra që thonë se politika e deritashme e Tadiqit dhe Jeremiqit për Kosovën ka dështuar dhe se dikush duhet të bartë përgjegjësi për këtë.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja - çfarë do të duhej bërë Qeveria serbe pas debaklit diplomatik të përjetuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Vladimir Gligorov, nga Instituti i Vjenës për studime ekonomike, në këtë temë për Radion Evropa e Lirë thotë:
“Objektivisht do të ishte më së miri nëse Qeveria, përkatësisht presidenti Tadiq, do të ishin në gjendje që në këtë çast të ndryshonin ekipin e politikës së jashtme, para së gjithash ministrin e Punëve të Jashtme”.
Ngjashëm mendon edhe Vladimir Paviqeviq, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd.
“Ky është rast i mirë që të hapet çështja e përgjegjësisë së bartësve të politikës së dështuar. Tash 18 muaj kemi qenë të bombarduar me informata për sukseset e mëdha të diplomacisë sonë dhe veçanërisht për faktin që kishin arritur që çështjen e Kosovës ta bartnin nga terreni politik në atë juridik”.
“GJND-ja dëshmoi se si rezultat i kësaj politike, tash edhe në planin juridik kjo politikë nuk solli asnjë sukses”, thotë Paviqeviq.
Gligorov dhe Paviqeviq angazhohen për ndryshime të politikës. Por, ç’do të thotë kjo? A do të thotë kjo njohje e pavarësisë së Kosovës?
Vladimir Gligorov përgjigjet:
“Si epilog i fundit, po. Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ishte hapi i parë, por si rezultat përfundimtar i normalizimit të marrëdhënieve Beograd – Prishtinë, do të duhej të pasonte njohja reciproke”, pohon Vladimir Gligorov në prononcimin e tij për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë thotë bashkëbiseduesi tjetër Vladimir Paviqeviq në këtë temë...
“Çështjen e Kosovës duhet hequr nga lista e prioriteteve. Duhet bartur në nivelin e zgjidhjes së çështjeve praktike që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve në Kosovë. Politikën e jashtme të Serbisë duhet transformuar drejt realizimit të qëllimeve parësore, siç janë: Bashkimi Evropian, integrimet euroatlantike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, konsideron Vladimir Paviqeviq.
Të pyetur nëse pushteti i tashëm në Beograd mund të heqë dorë nga retorika e deritashme për Kosovën dhe të pajtohet për normalizim të raporteve me Kosovën, pa vënë në rrezik legjitimitetin e vet, Gligorov thotë:
“Personalisht mendoj se opinioni dhe populli në Serbi janë më të mençur se politikanët dhe se ata do ta mbështetnin një gjë të tillë”, pohon Gligorov, ndërsa Paviqeviq thekson:
“Kam bindjen se qytetarëve nuk u intereson ky realitet paralel. Në Mitrovicë kanë hequr dorë nga mitingu. Mendoj se porosia është e qartë – duhen ndryshime”, konkludon Vladimir Paviqeviq.