Ndërlidhjet

Sulmohet gazetari Teofil Pançiq


Teofil Pançiq
Teofil Pançiq
Gazetari i javores "Vreme", njëherësh kolumnist i Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe, Teofil Pançiq, është sulmuar me shufra metali në Zemun.

Pançiq është pranuar në spital, ku është diagnostikuar me lëndime në kokë dhe në dorën e djathtë. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se plagët e marra nuk paraqesin rrezik për jetën e tij. Policia ka nisur hetimet për sulmin që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në autobus.

* * *

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pançiq thotë se sulmi ndaj tij nuk ishte i rastësishëm, porse i planifikuar.

Teofil Pançiq
Kur kam hyrë në autobus, menjëherë pas meje kanë hyrë edhe dy të rinj. Dukej qartë se më kishin pritur. Filluan menjëherë të më godasin nga të dyja anët. Më kanë sulmuar kryesisht në kokë me gjësende të forta, që më vonë janë vërtetuar të jenë shufra metali.

Më kanë rrahur pa thënë gjë, ose unë nuk kam qenë i vetëdijshëm nëse kanë folur. Është e qartë që sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe fare i rastësishëm. Nuk ka qenë në pyetje ndonjë plaçkitje, por sulm i drejtuar personalisht ndaj meje. Sipas pikëpamjes sime, ata më kanë përcjellë.

Sulmi ka ndodhur në sytë e të gjithë udhëtarëve në autobus. Asnjëri nuk ka reaguar, asnjëri nuk ka pritur policinë, madje as shoferi. Të gjithë kanë ikur, ndërsa policia ka ardhur pas 10 minutash dhe ka kryer hetimet.

Radio Evropa e Lirë
A mendoni se arsye e sulmit mund të jetë ndonjëri nga tekstet e juaja, përkatësisht ajo çfarë ju shkruani?

Teofil Pançiq
Nuk e di çfarë tjetër mund të jetë. Askujt nuk i kam borxh asgjë.

Radio Evropa e Lirë
Çfarë prisni nga policia?

Teofil Pançiq
Policia më ka premtuar se gjetja e sulmuesve do të jetë prioritet për ta. Unë besoj, derisa nuk ma thonë të kundërtën dhe shpresoj që nuk do ta thonë.

* * *

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (ShPGS) ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Pançiq. Kryetari Vukashin Obradoviq i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq, të bëjë gjithçka të mundur për të sjellë sulmuesit para drejtësisë.

“Do të kërkojmë takim urgjent me ministrin Daçiq dhe do të insistojmë që të gjenden sa më parë autorët e sulmit, por edhe masa konkrete, të cilat do të duhej t’i ndërmerrnin organet shtetërore për mbrojtjen e gazetarëve. Nëse në një afat real nuk gjenden sulmuesit, ShPGS do të kërkojë dorëheqjen e ministrit Daçiq", ka thënë Obradoviq.

Lidhur me rastin janë deklaruar të gjitha partitë politike të Serbisë.
XS
SM
MD
LG