Ndërlidhjet

logo-print

Misionet ndërkombëtare vazhdojnë me status neutral


Prishtinë

Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e quajnë të palogjikshëm pozicionin neutral të disa misioneve ndërkombëtare në Kosovë ndaj statusit, edhe pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Një javë pas këtij mendimi, zyrtarë të EULEX-it, UNMIK-ut dhe OSBE-së thonë se neutraliteti ndaj statusit do të vazhdojë, për aq sa selitë e tyre qendrore të mos vendosin ndryshe.

Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, e konsideron këtë situatë si krejtësisht të panatyrshme.

“Ne besojmë se është krejt logjike që pozicioni i këtyre institucioneve ndërkombëtare karshi çështjes së statusit të Kosovës të ndryshojë. Mendimi këshillëdhënës i GJND-së përfundimisht e vulosi legjitimitetin juridik të pavarësisë së Repubikës së Kosovës, ndaj ne konsiderojmë se është krejt e panatyrshme që edhe në vijim ky qëndrim i këtyre institucioneve të jetë neutral”, thotë Beqiri.

Për EULEX-in mbetet problem i mëtejmë mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ndërsa kjo nuk ndryshon, ky mision, mandati i të cilit është zgjatur deri në vitin 2012, do ta ruajë neutralitetin karshi statusit të Kosovës.

“Kjo është çështje e 27 vendeve anëtare, që e kanë dërguar EULEX-in në Kosovë. Secili është në dijeni se 5 nga 27 vendet anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk i takon EULEX-it që të vendosë, kjo është çështje e vendeve anëtare. Neve na është zgjatur mandati nga qershori i këtij viti deri në qershorin e 2012-ës dhe këtu nuk ka ndryshime në lidhje me pozicionin tonë”, thotë zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, përmes sekretarit të përgjithshëm, Mark Perrin Brishambo, thekson se misioni në Kosovë do të vazhdojë me mandat të njëjtë, edhe pas mendimit të GJND-së.

“Dua të theksoj se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë punën, ashtu edhe siç e ka mandatin, duke ruajtur qëndrimin neutral ndaj statusit”, thuhet në një deklaratë të sekretarit Brishambo.

Pozicion të njëjtë mban edhe UNMIK-u, i cili që nga shpallja e pavarësisë është reduktuar në masë shumë të madhe. UNMIK-u, largimi i të cilit po kërkohet vazhdimisht nga Prishtina zyrtare, pret nga Këshilli i Sigurimit udhëzime se si të veprojë pas mendimit të GJND-së.

“Ky është një mendim këshillëdhënës i GJND-së, i cili, siç ka thënë Sekretari i Përgjithshëm, do të dorëzohet në Asamblenë e Përgjithshme. Sa i përket UNMIK-ut, ne vazhdojmë të punojmë nën mandatin tonë, të rezolutës së Këshillit të Sigurimit 12 44 dhe do të marrim udhëzime nga ai Këshill”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki.

Misionet ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht i janë referuar Rezolutës 12 44 për të sqaruar pozicionin e tyre neutral karshi statusit.

Por, vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka sqaruar se kjo rezolutë nuk e ka penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që thotë se pavarësia është në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Nisur nga kjo, zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, është optimist se misionet ndërkombëtare do të lëvizin nga pozicioni i të qenët neutral. Për këtë, pritet që insittucionet kosovare të bëjnë edhe kërkesa zyrtare.

“Sigurisht se përmes kanaleve zyrtare do të ngrihet edhe kjo çështje. Mirëpo, e dini që, për fat të keq, në BE nuk ka konsensus sa i përket pavarësisë së Kosovës, për faktin se 5 vendet anëtare nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe po e mbajnë të bllokuar në njëfarë mënyre Bashkimin Evropian karshi kësaj çështjeje. Ne jemi optimistë se në të ardhmen, edhe pse mund të marrë pak kohë, kjo çështje do të ndryshojë”, thotë Beqiri.

Të qenët neutralë ndaj statusit, është parë si një nga pengesat kreysore per vetë misionin evropian të sundimit të ligjit, i cili nuk ka mundur të shtrijë autoritetin në veri të Kosovës, ku vazhdojnë të funskionojnë strukturat paralele serbe, të financuara nga Qeveria e Serbisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG