Ndërlidhjet

Knaus: Kosova aktualisht s’ka perspektivë evropiane


Gerald Knaus

Gerald Knaus

Duhet të jeni shtet i njohur nga BE-ja dhe institucionet e saj për të pasur të ardhme evropiane, thotë Gerald Knaus, drejtor i Iniciativës Evropiane për Stabilitet.



RADIO EVROPA E LIRË
Një javë më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë qartësoi se pavarësia nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, Serbia ende po lufton, tash në nivelin politik, dhe ka paraqitur rezolutë në Asamblenë e Përgjitshme të OKB-së. Si e shihni situatën pas GJND-së?

GERALD KNAUS
Mendoj se globalisht, kjo sigurisht se është parë si fitore për Kosovën dhe mbetet të shihet nëse ministri i Jashtëm i Kosovës ka të drejtë në pritjet e tij se do të pasojnë njohje të shumta nga vendet anëtare të OKB-së.

Në anën tjetër, kur është fjala për Evropën, që në disa mënyra është sfida më e rëndësishme për Kosovën, vendimi i GJND-së nuk ka ndryshuar asgjë deri më tash.

Kosova ende nuk ka mundësi që të ketë çfarëdo marrëdhënieje zyrtare kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Meqë ky është një parakusht për anëtarësim në një të ardhme në BE, kjo sigurisht se është zhgënjyese. Mbetet shumë e paqratë, se kur, nëse jo tash, pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta rishikojnë politikën e tyre.

Në të njëjtën kohë, ky vendim mund t’ia bëjë më të vështirë Serbisë ecjen e saj në rrugën kah anëtarësimi në BE, derisa politikat serbe të mos bëhen më fleksibile.

Edhe para vendimit, shumë anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën, kanë qenë shumë të frustruara me politikën serbe, që duket se po ia vështirëson punën Evropës në stabilizimin e Ballkanit.

Dhe, disa anëtare të BE-së, që janë skeptike në përgjithësi rreth zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit, po ashtu po e përdorin çfarëdo çështjeje të pazgjidhur si një justifikim për të ngadalësuar progresin e Serbisë.

Prandaj, sa i përket BE-së, vendimi i GJND-së mund t’ia vështirësojë jetën Serbisë, por jo domosdoshmërisht duke e ndihmuar Kosovën... të paktën jo deri më tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, përse mendoni se pesë shtetet e BE-së nuk e kanë ndryshuar qnëdrimin e tyre, kur vetë gjykata botërore thotë se pavarësia nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar?

GERALD KNAUS
Nuk ka kërkesë legale për shtetet që ta njohin një shtet të ri. Këto pesë vende kanë marrë vendimin e tyre duke u bazuar kryesisht në politikat e tyre të brendshme.

Dhe tash ata argumentojnë se edhe nëse deklarata e pavarësisë ka qenë legale, fakti i secesionit ende mbetet një gjë, që ato nuk duan ta pranojnë.

Kështu që, sikur Gjykata që ka zgjedhur një mënyrë specifike të të përgjigjurit të pyetjes, ende ekziston mundësia për çdo qeveri që të argumentojë, se nuk ka kërkesë për ta njohur Kosovën.

Natyrisht, kjo është zhgënjyese për Kosovën, por edhe për vetë BE-në: kjo mund të ishte një mundësi për BE-në, që të arrijë një qëndrim të përbashkët, që është tepër i nevojshëm.

Aktualisht edhe pse politikanët evropianë flasin për perspektivën evropiane të rajonit, nuk ka perspektivë evropiane për Kosovën, derisa nuk njihet nga 27 vendet anëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Problem tjetër në Kosovë mbeten misionet ndërkombëtare, që vazhdojnë të thonë se janë neutrale ndaj statusit. A ka kuptim ky ‘neutralitet’ pas vendimit të GJND-së?

GERALD KNAUS

Për BE-në, neutraliteti ndaj statusit nuk vjen nga ndonjë argument ligjor, nga ndonjë gjykatë. Është reflektim i ndasisë së BE-se dhe përderisa 5 nga 27 vendet anëtare nuk e njohin Kosovën, BE-ja nuk mund të ketë qëndrim për statusin.

Ky është problem dhe mendoj se ekziston një nevojë për BE-në dhe disa vende anëtare që të mendojnë në mënyrë kreative se si edhe në këtë kohë mund të ketë proces të evropianizimit me Kosovën.

Dhe, këtu mendoj se Komisioni Evropian dhe Ministria e Jashtme duhet që urgjentisht të fillojnë të mendojnë kujdesshëm, se cilat opsione do të mund t’i minimizonin ndasitë e BE-së.

Por, fatkeqësisht, përderisa ka këso ndasish, ka edhe kufizime se çfarë mund të bëjë BE-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Sërish për këto pesë vende të BE-së, autoritetet kosovare thonë se ato po bllokojnë integrimin evropian të Kosovës dhe të rajonit. A mund ta përballojnë këtë përgjegjësi këto shtete?

GERALD KNAUS
Një shtet i BE-së po e bllokon Maqedoninë për një kohë shumë të gjatë, përfshirë këtu 5 vjetët që kur Maqedonia është kandidate.

Së fundi, një tjetër shtet e mbajti pezull Kroacinë për pothuaj një vit dhe natyrisht Qiproja po ia vështirëson jetën Turqisë.

Fakt fundamental për BE-në është se secili vend anëtar mund ta ngadalësojë zgjerimin. Pajtohem me sugjerimin tuaj se kjo është politikë e papërgjegjshme në dritë të interesit strategjik të BE-së në Ballkan dhe mendoj se disa nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Greqia për shembull, kanë interes që të shohin Kosovën të zhvillohet në drejtimin e duhur.

Mendoj se pjesë e sfidës për Kosovën është që të punojë me ato shtete që nuk e kanë njohur, që të ndihmojnë në kuptim praktik për të minimizuar këtë ndasi evropiane në raportet Kosovë-BE.

Që të jem shumë konkret, mendoj se nuk ka arsye që Kosovës të mos i jepet udhërrëfyesi normal i vizave, si vendeve të tjera të Ballkanit. Kjo nuk po ndodh deri më tash.

Kjo nuk është çështje e statusit dhe çdo gjë që nuk ka lidhje me statusin, duhet bërë menjëherë.

Gjëja e dytë është që nëse Serbia pranohet si kandidate për BE-në dhe nëse në një të ardhme të afërt, negociatat me Serbinë do të fillojnë, mendoj se duhet të ketë proces të njëkohësishëm dhe ndërveprime të njëjta me institucionet e Kosovës, në mënyrë që Kosova të mos mbetet prapa sa u përket reformave të saj.

Nëse ka vullnet, imagjinata politike në BE mund të bëjë më shumë sesa që po bën tash, që të minimizojë ndikimin e ndasive të brendshme dhe në fund natyrisht se është e paevitueshme që eventualisht të vijë në një qëndrim të përbashkët.

Në të kundërtën, nocioni i Ballkanit stabil, si anëtar i BE-së, do mbetet ëndërr e parealizueshme.

RADIO EVROPA E LIRË

Mendoni se gjërat do të qartësohen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë shtator?

GERALD KNAUS
Mendoj se problemi fundamental është se Serbia po humb në këtë proces. Ky është një proces i kushtueshëm diplomatik për Serbinë dhe nuk do të ketë sukses.

Fatkeqësisht, kjo s’po i ndihmon Kosovës, sepse çmimi i vërtetë për Kosovën gjendet në Evropë. Dhe, vetëm kur 27 vendet anëtare e njohin Kosovën, atëherë edhe Kosova edhe Serbia kanë shanse reale që t’i bashkohen BE-së.

Nga perspektiva e Kosovës, ajo që po ndodh në Nju Jork, në OKB, është relaksuese, por, fatkeqësisht, kjo nuk do t’i ndihmojë Kosovës që ta zgjidhë problemin më thelbësor, që është të bëhet shtet normal në Evropë me perspektivën që kanë Maqedonia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja apo edhe Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualsisht, në ç’fazë gjendet perspektiva evropiane e Kosovës?

GERALD KNAUS

Duhet të jeni shtet, për të pasur perspektivë evropiane. Duhet të jeni shtet i njohur nga BE-ja dhe insitucionet e saj. Aktualisht, BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe aktualisht Kosova nuk ka perspektivë evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk ka?

GERALD KNAUS

Aktualisht, në horizont nuk shohim se si shtetet, si Qiproja, do ta ndryshojnë mendjen. Dhe, përderisa Qiproja apo Spanja nuk e ndryshojnë mendjen e tyre, Kosova nuk ka perspektivë evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka shpallur pavarësinë e mbikëqyrur në vitin 2008. Tani, shumë thonë se është koha për pavarësi të plotë. A është Kosova e gatshme për këtë?

GERALD KNAUS
Mendoj se janë dy aspekte të kësaj çështjeje. Kosovës do t’i duhej mbështetja nga jashtë. Dhe, në çdo rast, asnjë vend në Evropë s’është tërësisht i pavarur.

Të gjitha shtetet në Evropë ndajnë sovranitetin; përderisa kanë miratuar legjislacionin si kandidate të BE-së, apo si shtete të BE-së, ato qeverisin së bashku në shumë fusha vitale të politikës.

Nuk duhet të jetë qëllimi për një pavarësi totale. Kjo në Evropë sot nuk është e dëshirueshme. Por, në të njëjtën kohë, të qenët protektorat ku autoriteti përfundimtar bie mbi institucionet e huaja, është në fakt problem i madh.

Nganjëherë, protektorati bën gjëra të dobishme dhe njerëzit që udhëheqin protektoratet mund të kenë qëllime të mira. Por, fakti thelbësor mbetet se protektoratet zakonisht nuk janë të mira në qeverisjen afatgjate.

Mendoj se ekziston rreziku se në Kosovë, sikurse edhe në Bosnjë, protektorati ndërkombëtar nuk do përfundojë kurrë.

Dhe, ky do t’i bëhet zëvendësim procesit të vërtetë të evropianizimit. Për shembull, nëse shikoni reformat e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, disa institucione të huaja apo misione ndërkombëtare mund të bëjnë gjëra të dobishme, por kjo nuk është njësoj me ndërtimin e insitucioneve të besueshme brenda shtetit.

Në të gjitha shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, stimulim për ndërtimin e insitucioneve të besueshme ka qenë anëtarësimi në BE.

Pra, sfida për Kosovën është që ta bëjë tranzicionin nga gjendja kur Kosova është legalisht ende protektorat, ku edhe më tej autoriteti përfundimtar për të bërë gjëra bie mbi ICO-në dhe kur EULEX-i qëndron mbi Policinë e Kosovës dhe mund të bëjë gjëra pa iu referuar institucioneve kosovare.

Ju duhet të bëni traniziconion nga kjo gjendje në një situatë ku institucionet e Kosovës bëjnë gjërat e duhura, duke u mbështetur nga stimulimet e jashtme.

Mendoj se debati për këtë tranzicion duhet të fillojë shpejt, sepse, ndryshe, ekziston rreziku se Kosova, sikurse Bosnja, do ta gjejë veten si protektorat edhe pas 10 vjetësh.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG