Ndërlidhjet

Diplomacia parlamentare jofunksionale


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Që pas vendimit të Gјykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, gjendet në Nju Jork, në përpjekje për të siguruar njohje të reja.

Ministria ka kërkuar nga tërë stafi diplomatik t’i anulojë pushimet verore, në mënyrë që ky muaj të shfrytëzohet për lobim.

Në Prishtinë, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës thonë se nuk duhet lënë i tërë lobimi vetëm Ministrisë së Jashtme. Sipas tyre, edhe diplomacia parlamentare mund të luajë rol shumë të rëndësishëm.

Lutfi Haziri

Të gjithë mekanizmat kushtetues të Kosovës duhet të aktivizohen dhe të lobojnë për njohje të reja, thotë deputeti dhe ministri i Kulturës, Lutfi Haziri.

“Duhet të aktivizohet diplomacia parlamentare, roli i presidentit, i kryeministrit... Unë besoj se aktivizimi edhe i diplomacisë parlamentare dhe i mekanizmave të tjerë lobues, do të ndihmonte Kosovën për njohje më të mëdha. Do të jetë domethënëse në veçanti nëse pesë shtetet e BE-së reagojnë - e kam fjalën për Greqinë, e cila është shtet me ndikim dhe që mund të marrë me vete një numër të shteteve të tjera”, thotë Haziri.

Nënkryetari dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se nuk është i kënaqur me nivelin e organizimit të diplomacisë shtetërore. Sipas tij, mosangazhimi i diplomacisë parlamentare është një dobësi, e cila po përcillet vite me radhë.

Isufi thekson se diplomacia e Kosovës nuk është e organizuar as konform rregullave që kanë vendet e rajonit.

“Mosangazhimi i deputetëve në politikën e jashtme është një dobësi që e ka përcjellë Parlamentin. Konsideroj se ekziston një mosharmonizim i veprimeve të Ministrisë së Jashtme dhe po ashtu i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe atij për Integrime”.

“Prandaj, një koordinim më i mirë do të mundësonte që ekipe të caktuara nga Parlamenti t’i vizitonin sidomos qendrat, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës”, thotë Isufi.

Edhe ministri Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mendon se diplomacisë parlamentare po i mungon një koordinim i mirë.

Mendoj se duhet një koordinim më i mirë, për asgjë tjetër nuk bëhet fjalë. Një koordinim më i mirë, një shikim i agjendave, një rishikim i agjendave të përbashkëta dhe ndërtim i kapaciteteve, në mënyrë që kjo ofensivë diplomatike vërtet të ecë përpara”, deklaron Haziri.

Kuvendi i Kosovës ka Komisionin për Politikë të Jashtme si trupën kryesore që duhet të koordinojë apo të marrë pjesë në konstituimin e diplomacisë.

Po ashtu ekziston edhe Komisioni për Integrime, i cili ka rol të veçantë në procesin e integrimit të vendit, si dhe në përkujdesjen e përshtatjes së ligjeve të vendit me ato të BE-së.

Ahmet Isufi

Ahmet Isufi, për funksionalizimin e lëvizjeve të deputetëve për të sjellë njohje te reja, mendon se nuk ka koordinim, transparencë dhe angazhim të mjaftueshëm edhe pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Nuk po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që i ka Kosova, madje edhe ato të politikës së jashtme, të diplomacisë ndërkombëtare, e cila ka ndihmuar pavarësimin e Kosovës. Ka personalitete, të cilat mund të ndihmonin në këtë drejtim”, thotë Isufi.

Edhe analistët politikë kanë deklaruar se diplomacia parlamentare duhet të aktivizohet sa më parë, pasi që, sipas tyre, Kosova nuk ka arritur numrin e mjaftueshëm të njohjeve.

XS
SM
MD
LG