Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta ndryshojë strategjinë ndaj Kosovës. Tani synimi duhet të jetë mbrojtja e serbëve dhe e trashëgimisë fetare në Kosovë, me garanci ndërkombëtare, ka thënë Vuk Drashkoviç.
“Beogradi duhet të respektojë realitetin në Kosovë, realitetin e botës në të cilën jetojmë dhe strategjinë shtetërore t'ia përshtasë synimeve reale", ka thënë lideri i Lëvizjes së Rimëkëmbjes Serbe.
Ai ka bërë thirrje për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, e cila e pamundëson strategjinë e tillë.
“Serbia nuk ka kurrfarë sovraniteti shtetëror mbi Kosovën. E gjithë Serbia e di se Kosova realisht nuk është krahinë në kuadër të Serbisë. Ajo është jashtë çdo kontrolli të pushtetit dhe shtetit të Serbisë”, tha Drashkoviq.
Sipas tij, këtë e dinë të gjithë në Serbi, por askush nuk don ta thotë.
“Kjo nuk do t’i sjellë të mira as këtij shteti, e as popullit tonë”, tha Drashkoviq.