Ndërlidhjet

Katër kompani hetohen për fiksim çmimesh


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Zyrtarë të Komisionit kosovar të Konkurrencës paralajmërojnë se janë duke zhvilluar hetime për katër raste, që dyshohen se kompanitë kanë bërë marrëveshje për fiksim çmimesh dhe ndarje të tregut. Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë thonë se nëse një dukuri e tillë do të lejohet, do të keqësohej edhe më tepër ambienti biznesor në Kosovë dhe e njëjta do të ndikojë në dekurajimin e zhvillimit ekonomik dhe investitorëve.


Kompanitë vendore dhe udhëheqësit e tyre sivjet mund të përballen me gjoba të mëdha në rast se vërtetohet se kanë bërë marrëveshje të jashtëligjshme për përcaktim të çmimeve apo ndarje të tregut.

Kryetari i Komisionit kosovar të Konkurrencës, Osman Ejupi, thotë se janë duke hetuar katër raste për shitjen e arkave fiskale, industrinë e naftës ku ka dyshime për fiksim çmimesh dhe ndarje tregu, për kompanitë e sigurimeve ku dyshohet se ka marrëveshje për shitje të polisave të auto-përgjegjësisë, dhe po ashtu në sektorin bankar.

“Së shpejti do dalim me opinionet tona. Vendimet, se a do të jenë me gjoba, apo në kuptimin e edukimit të pjesëmarrësve të këtyre marrëveshjeve, do të shihet më vonë”,
thotë Ejupi.

Në bazë të ligjit që tani është në fuqi, Komisioni kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompani, ndërsa me rihartimin e ligjit gjobat do të jenë më të rënda, duke filluar nga një deri në dhjetë për qind të fitimit që arrijnë këto kompani

Ndër të tjera, kryetari i Komisionit, Ejupi, konfirmon se gjatë këtij viti do të marrin një vendim edhe sa i përket sektorit bankar, ku ekzistojnë dyshime për marrëveshje ndërmjet bankave për norma të larta të interesit në kredi.
...do të dalim me një vendim, i cili ka të bëjë me zbërthimin e problematikës së sektorit bankar te ne, që është i vetmi vend në rajon ku kamatat në kredi janë më të lartat dhe kamatat në depozita më të ulëtat...


“Këtë gjysmëvjetor sigurisht se do të dalim me një vendim, i cili ka të bëjë me zbërthimin e problematikës së sektorit bankar te ne, që është i vetmi vend në rajon ku kamatat në kredi janë më të lartat dhe kamatat në depozita më të ulëtat. Kjo vetvetiu flet se diçka nuk është në rregull me këtë sektor”
, thekson Ejupi.


Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se roli i këtij komisioni është shumë i rëndësishëm për të inkurajuar praktikat e shëndosha të biznesit dhe kërkojnë fuqizimin e mëtejmë të tij.

Sekretari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, kërkon më shumë profesionalizëm nga Komisioni i Konkurrencës.

“Sa i përket rasteve të fundit, për të cilat ka ngritur dyshime Komisioni i Konkurrencës, unë mendoj se duhet të ketë kujdes dhe mos të ketë spektakël në këto raste”.

“Ky problem duhet të trajtohet shumë mirë, sepse nëse nuk trajtohet shumë mirë, do të dërgojë sinjale negative dhe do të ketë aspekte të dëmshme te konsumatorët dhe te partnerët potencialë në këtë drejtim”
, vlerëson Rukiqi.

Ndërkaq, sa i përket hetimeve në industrinë e naftës të paralajmëruara nga Komisioni i Konkurrencës, Rukiqi kërkon nga këta të fundit që hetimet të bëhen në mënyrë të mirëfilltë, pasi që, siç thotë ai, çmimet e naftës mund të jenë më të larta meqë Kosova nuk ka rafineri të veten dhe akciza në naftë është shumë e lartë.
...çdo shkelje e konkurrencës ndikon në performancën e tregut, ndikon në imazhin e vendit...


“Realisht, çdo shkelje e konkurrencës ndikon në performancën e tregut, ndikon në imazhin e vendit, por në vendet tjera këto raste hetohen dhe në fund dilet me rezultate dhe jo paraprakisht të jepen supozime, të cilat mund të jenë të sakta ose të pasakta. Komisioni i Konkurrencës duhet të jetë më profesional”,
shprehet Rukiqi.

Ndryshe Komisioni kosovar i Konkurrencës është organ i pavarur publik, që ka filluar punën në vitin 2009, dhe është krijuar në bazë të Ligjit mbi konkurrencën.

Për vitin e kaluar Komisioni ka raportuar në Kuvend për hetimin e katër rasteve; në industrinë e prodhimit të bukës ka shfuqizuar marrëveshjen për fiksim të çmimeve dhe te kompanitë e sigurimeve Komisioni ka anuluar marrëveshjen për polisa kufitare.

Komisioni i Konkurrencës ka punuar gjithashtu edhe në hetimin e një udhëzimi administrativ të dhënë nga Ministria e Transportit, e cila ka diktuar që kontrolli teknik i automjeteve mund t’u ofrohet klientëve vetëm në zona të caktuara. Për të gjitha këto raste nuk është shqiptuar ndonjë gjobë.
XS
SM
MD
LG