Ndërlidhjet

Nushi: Serbia t'i bartë pasojat


Pajazit Nushi
Pajazit Nushi

Institucionet e Serbisë janë bartëse të projektit të konflikteve dhe luftës në Kosovë. Ato duhet t’i bartin edhe pasojat, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pajazit Nushi nga Grupi për të Pagjeturit.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nushi, ditë më parë filluan kërkimet për trupat e personave të pagjetur në liqenin e Peruçacit, kërkesë kjo që erdhi pas thirrjeve të autoriteteve në Kosovë dhe Bosnje. A ka diçka të re për këto kërkime dhe si e vlerësoni bashkëpunimin me autoritetet serbe?

PAJAZIT NUSHI

Këtë vit vërtet është hapur një front i gjerë i hulumtimeve në vendet e ashtuquajtura varreza masive, ku supozohet se ka mbetje mortore të shqiptarëve të humbur ose të pagjetur.

Një nga këto vende të paralajmëruara nga ana e delegacionit të Serbisë është edhe varreza masive afër Rashkës. Tjetra janë fillimet e gjurmimeve në liqenin Peruçac – gjithashtu të Serbisë, si kërkesë e delegacionit tonë, e po ashtu edhe delegacionit të Bosnjës.

Dhe, kërkesë tjetër, që mendojmë se do të fillojë në këtë stinë të punës për hapje të varrezave, është edhe varreza në Medvegjë, ku supozohet se mund të ketë mbetje mortore të shqiptarëve të humbur.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa ka qenë bashkëpunimi me autoritetet serbe, gjegjësisht sa kanë qenë ato të gatshme për t’ju ndihmuar në këto kërkime?

PAJAZIT NUSHI

Siç e dini, është viti i 11-të që kemi filluar bashkëpunimin në kuadër të organizimit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Dhe, pas shumë vjetësh bashkëpunimi, mund të them se rezultatet e arritura janë fryt i një bashkëpunimi relativisht të mirë, relativisht të angazhuar të njërës palë dhe të palës tjetër.

Mirëpo, duhet ditur se edhe pasojat e luftës, sidomos modalitetet e eliminimit të njerëzve dhe të eliminimit me çdo kusht të gjurmëve të krimeve, kanë qenë të atilla që historia e zhvillimit të krimeve në një vend, përkatësisht në Kosovë, nuk e ka njohur deri më tash.

Janë disa prej formave të zhdukjes së gjurmëve të krimeve, për të cilat edhe pala serbe sikurse edhe ne pala e Kosovës, nuk jemi në gjendje t’iu hyjmë gjurmëve.

Por, ta dini se të dyja palët nuk qëndrojnë në nivel të njëjtë të informacioneve kur është fjala për delegacionin tonë, për delegacionin e Kosovës ne nuk kemi informacione prej institucioneve zyrtare, sepse institucionet tona zyrtare nuk kanë shkaktuar në atë kohë krime të tilla. Krimet e këtilla i ka shkaktuar pala tjetër.

Është e vërtetë se kemi bërë orvatje të vazhdueshme për hapjen e dokumentacionit për hapjen e arkivave të disa vendeve tjera, duke përfshirë edhe arkivin e Tribunalit të Hagës.

Disa informacione sa për të marrë ide se ku mund të gjenden varreza masive, kemi marrë edhe prej këtyre arkivave. Por, problemi më i madh është se numri më i madh i atyre që kanë qenë të zhdukur, deri tash është gjetur në varreza masive.

Dyshohet se numri i atyre që kanë mbetur pa u gjetur, janë të varrosur ose në grupe shumë të vogla, ose në varreza individuale. Kemi supozuar se më së paku, pas të gjitha gjurmëve, ato (mbetjet mortore) mund të gjenden në varrezën e Peruças, por rezultatet e deritashme kanë dhënë të kuptojmë se atje mund të ketë, por zbulimi i atyre eshtrave të mundshëm në këtë liqe duket se është i pamundur.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Nushi përmendët çështjen e Rashkës... Cilat janë të rejat e fundit në lidhje me këtë lokacion?

PAJAZIT NUSHI

Pas dëshmitarëve, deklaratat e të cilëve u janë dërguar palës serbe, madje kemi dërguar edhe dëshmitarë të gjallë në vendin ku ata dinë se i kanë të afërmit e tyre të varrosur, pala kosovare është përpjekur në mënyrë institucionale që t’i bie në gjurmë kësaj varreze masive.

Më vonë supozohet se as vendi i saktë i varrezës masive nuk gjendet dhe është një kontradiktë, të cilën nuk e kam të qartë edhe pse kam kërkuar shpjegime të posaçme për këtë farë lloj kontradikte të veçantë nga ana e zotit Odalloviq dhe delegacionit të Serbisë. Prandaj, besoj se shpjegime plotësuese do të marrim nga fundi i këtij muaji ku do ta kemi mbledhjen e dy delegacioneve në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË

A shihni ju një hezitim te pala serbe lidhur me Rashkën dhe lokacione të tjera eventuale, të cilat dyshohen të jenë varreza masive?

PAJAZIT NUSHI

Sa i përket delegacionit të palës serbe, unë nuk hetoj ndonjë hezitim nga ana e tyre, por jam i sigurt se ata kanë hezitime dhe hasin në pengesa të veçanta nga ana e organeve të veçanta të palës serbe.

Ne ballafaqohemi me një delegacion, i cili flet në emër të organeve dhe të institucioneve që i ka kryer krimet, kurse ne flasim në emër të familjarëve dhe kërkesave të tyre për t’i gjetur mbetjet mortore të familjarëve tanë.

RADIO EVROPA E LIRË

Kur flisni për organe të tjera, nga të cilat është i ndikuar delegacioni, e keni fjalën për Beogradin zyrtar?

PAJAZIT NUSHI

Po, fjalën e kam për organet dhe institucionet e Serbisë, sepse ato janë bartëse të projektit të zhvillimit të proceseve dhe të konflikteve të luftës në Kosovë. Ato, njëkohësisht, duhet të jenë bartëse edhe të pasojave që ka shkaktuar ai konflikt.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Nushi, mendoni se kërkohet një presion më i madh politik nga qarqe të tjera ndërkombëtare mbi Beogradin për këtë çështje?

PAJAZIT NUSHI

Presioni do të ishte i arsyeshëm. Unë mund të them se ky presion kohëve të fundit është ngritur në një nivel më të lartë sesa që ka qenë, bie fjala, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Katër diskutues të shteteve të ndryshme të Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate, kanë përmendur çështjen e të pagjeturve dhe ndikimin që duhet bërë te të gjithë: jo vetëm te pala serbe, por edhe te pala shqiptare, gjithsesi.

Si delegacion, jemi përgjegjës edhe për ato kërkesa që i parashtrojnë familjarët e palës serbe, të cilët i kanë të ngelura mbetjet mortore të anëtarëve të familjeve të tyre.
XS
SM
MD
LG