Ndërlidhjet

Thirrje për njohje


Kryeministri Hashim Thaçi (majtas) dhe presidenti Fatmir Sejdiu
Kryeministri Hashim Thaçi (majtas) dhe presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u kanë shkruar krerëve të shteteve të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare, duke u bërë thirrje për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Në një njoftim të lëshuar nga kabineti i presidentit, thuhet se "në vijim të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për pavarësinë e Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, u kanë dërguar këto ditë nga një letër krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare, si Konferenca Islamike, Liga Arabe, Caricom-i, Organizata e Shteteve Amerikane, OSBE-ja, Këshilli i Evropës".

Gjithashtu, kjo letër, thuhet në njoftim, i është dërguar edhe Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri.

Letra, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, po ashtu, u kërkon vendeve anëtare të OKB-së që ta refuzojnë, përkatësisht të votojnë kundër rezolutës së sponsorizuar nga ana e Serbisë, e cila pritet të jepet për votim gjatë javëve të ardhshme.

“Në vazhdën e zhvillimeve të reja pas mendimit të GJND-së, i cili ka konfirmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me respekt të veçantë u kërkojmë të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që të kundërshtojnë rezolutën e sponsorizuar nga Serbia si një veprim krejtësisht i panevojshëm dhe si një kritikë e papranueshme ndaj GJND-së”, thuhet mes të tjerash në letër.
XS
SM
MD
LG