Ndërlidhjet

logo-print
Paralajmërimet e autoriteteve kosovare për anëtarësim të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe organizata ekonomike në Prishtinë, cilësohet si një lajm i mirë për zhvillimin ekonomik në vend.

BERZH në Kosovës, sipas ekspertëve, do të sjellë një frymë të re të bërjes së biznesit, e cila, siç thonë ata, ende mungon. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se Kosovës i duhet një institucion i tillë.

“BERZH është një prej bankave që bën financimin e projekteve të industrive, të biznesit. Gjithashtu investon në kompani të reja dhe kompani ekzistuese. BERZH funksion dhe bashkëpunon me ndërmarrje publike dhe ato kanë investime prej 5 - 230 milionë”
, thotë Musa.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka deklaruar të martën që shkoi në Bruksel, se Kosova është pranë anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sipas Shalës, rrethanat pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për Kosovën janë përmirësuar dhe kanë ndikuar pozitivisht.

Mbështetje të plotë për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar i ka dhënë edhe euro-komisionari për Ekonomi dhe Politika Monetare, Oli Rehn.

Ndërkaq, eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, thotë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë të ngrenë kapacitete humane për të ofruar projekte atraktive dhe që përmbushin kriteret e BERZH-it, në mënyrë që Kosova të mund të përfitojë nga ky anëtarësim.


“Përgatitjet e Kosovës për t’i marrë këto projekte, janë minimale. Në vazhdimësi kemi pasur mungesë të dorëzimit të projekteve të rëndësishme për t’i marrë fondet e Bashkimit Evropian, ose për të marrë kredi nga Banka Botërore”
, vlerëson Abdixhiku.

Ndërkaq, lidhur me mjetet financiare që mund t’i ndajë ky mekanizëm financiar për Kosovën, kryetari i Odës Ekonomikë Amerikane, Lekë Musa, thotë se mungon përgatitja profesionale në këtë drejtim.

“Këtu mungon një përgatitje serioze nga ana e institucioneve qeveritare. Sa i përket përgatitjes së këtyre projekteve duhet një aftësim dhe trajnim i vazhdueshëm në përgatitjen e projekteve të ndryshme sa i përket analizës së kost - benfitit dhe për të treguar se këto projekte sjellin një rritje ekonomike në vitet në vazhdim”,
shpjegon Musa.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, konsideron se anëtarësimi i Kosovës në BERZH, është i një rëndësie të veçantë ekonomike dhe politike.

“Ajo çka është e veçantë në këtë drejtim është forma e përkrahjes së projekteve konkrete, të cilat janë të harmonizuara me vizionin e zhvillimit evropian dhe në këtë drejtim përftimet do të jenë të mëdha sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik si parakusht i stabilitetit politik”
, pohon Gërxhaliu.

Nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Ndërkaq, pavarësisht faktit se Kosova ende nuk është anëtare e këtij institucioni, vite më parë, misioni i Kombeve të Bashkuara ka arritur një marrëveshje me këtë bankë, për mbështetje financiare dhe hua për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG