Ndërlidhjet

Maqedonia larg zgjidhjes së kontestit me Greqinë


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Maqedonia po largohet gjithë e më shumë nga zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë dhe me këtë, edhe nga procesi i integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, vlerësojnë ekspertët, duke e komentuar mungesën tashmë një kohë të gjatë të aktiviteteve për mbylljen e problemit shumëvjeçar me fqinjin jugor.

“Mendoj se kohëve të fundit, po bëhet gjithë e më e qartë se problemi që kemi me Greqinë është ngatërruar për një periudhë të gjatë kohore. Më nuk shoh asnjë mundësi, që brenda një afati të shkurtër kohor të dilet nga situata aktuale”.

“Pozicioni i Greqisë është pothuajse i qartë, gjithashtu edhe pozicioni i Maqedonisë duket se është i qartë, nëse merren parasysh deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetëror, të cilët nuk e kanë ndërmend të zgjidhin këtë problem që është shumë i madh për Maqedoninë”.

“Kështu që, ky problem, edhe shumë kohë do të mbetet i pazgjidhur, ndërsa mbetet të shihet se cilat do të jenë pasojat nga e gjithë kjo
”, deklaron ish-ministri i Jashtëm, Denko Maleski.

Edhe në prononcimin e fundit, kryeministri Gruevski nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund të pritet zgjidhja e kontestit. Madje, ai tha se nuk është në dijeni nëse për këtë çështje do të ketë takime mes palës greke dhe asaj maqedonase.

Ndërkohë, duke folur për pasoja që mund t’i ketë Maqedonia nga ngecjet në procesin integrues për shkak të moszgjidhjes së kontestit rreth emrit, analisti Albert Musliu thekson:

“Ne kemi ngritje të tensioneve ndëretnike, kemi ngritje të tensioneve brenda etnike, siç është rasti me palën maqedonase, ku kemi një ndarje në ‘patriotë’ dhe ‘tradhtarë’. Ndërkohë, vakuumi mes dy grupeve etnike po rritet nga dita në ditë. Kemi paraqitje të iniciativave të skajshme si te pala maqedonase, ashtu edhe te pala shqiptare”.

“Kishim një iniciativë për bashkimin e të gjitha trojeve maqedonase, nga ana tjetër te shqiptarët kemi iniciativë për ridefinimin e marrëveshjeve ndëretnike. Domethënë, pasojat nga moszgjidhja e çështjes së emrit do të kenë shtrirje më të madhe, pasi çështja e emrit është vendosur si kusht për procesin e integrimit të vendit ”.


Edhe Dimitar Mirçev nuk pret zgjidhjen e shpejtë të kontestit me Greqinë, por ai nuk beson edhe në ndërprerjen e aktiviteteve, të paktën, angazhimet do të vazhdojnë nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

Supozoj se diku nga fillimi i shtatorit do të ketë një komunikim dhe se do të merren vesh për ndonjë takim në Shkup dhe Athinë. Pra, gjithçka i takon ndërmjetësit të OKB-së, Mejtu Nimic”.

“Nuk besoj se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt, apo deri në samitin e ardhshëm të NATO-s. Mirëpo, nëse dyja palët shfaqin shenja pozitive rreth iniciativave të fundit, ndoshta do të mund të reflektohej edhe në ndonjë vendim nga Aleanca Veri-atlantike”,
thotë Dimitar Mirçev.

Ndërsa, lidhur me rolin e subjektit politik shqiptar në zgjidhjen e kontestit, duke marrë parasysh deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të BDI-së në Qeveri se në rast se nuk zgjidhet emri, kjo parti do ta rishqyrtojë pozicionin e saj në ekzekutiv, Albert Musliu thekson:

“Unë mendoj se vjeshta do t'i ngrejë tensionet edhe partia shqiptare në pushtet nuk do të ketë më mundësi manovrimi, nuk do të ketë mundësi ta anashkalojë më këtë çështje. Pra, duhet të marrë qëndrim të prerë dhe jo qëndrim sikur vitin e fundit kur vendoseshin afate dhe ato tejkaloheshin”.


Tutje Musliu shton se ngecjet në procesin integrues dhe mosgatishmëria e Qeverisë së Maqedonisë për arritjen e kompromisit, bien ndesh me deklarimet e tyre, se prioritet kryesor kanë përmbushjen e synimit kryesor të qytetarëve - integrimin e vendit në NATO dhe BE.
XS
SM
MD
LG