Ndërlidhjet

logo-print

Kush fitoi edhe kush humbi në Irak?


Forcat amerikane teksa tërhiqen nga Iraku

Forcat amerikane teksa tërhiqen nga Iraku


I ulur në pjesën e sipërme të një automjeti, një ushtar amerikan lëshonte thirrje triumfuese që nuk linin mundësi dyshimi derisa konvoji i trupave të tij kalonte nga Iraku në Kuvajt.

“Ne po shkojmë në shtëpi, ne fituam. Amerikë, ne e sollëm demokracinë në Irak. Të dua, të dua.
..”, thërriste ushtari amerikan.

" Ne po shkojmë në shtëpi" ishin thirrjet e ushtarit amerikan teksa po largohej nga Iraku

Si përmbledhje e një momenti simbolik, largimi i grupit të fundit të njësive luftarake amerikane nga Iraku, më shumë se shtatë vjet pas ndërhyrjes së udhëhequr nga amerikanët, meriton të qartësohet.

Për hir të së vërtetës, ndërhyrja ka pasur mëkatet, dështimet, pasoja të paparashikuara dhe po shoqërohet me jo pak dyshime për të ardhmen.

Ushtarët e brigadës që u larguan nga Iraku në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, dy javë para afatit zyrtar të presidentit Obama, pas vetes lanë një vend të goditur dhe të mbështjellë nga po aq paqartësi sa kishte ndoshta edhe atëherë kur “koalicioni i vullnetit” pushtoi Irakun për të rrëzuar regjimin e Sadam Hyseinit, në mars të 2003-ës.

Sadami tashmë ka kohë që nuk është më, mirëpo ndryshe nga thirrjet e atij ushtari, pyetja se cila palë është fituese, ende nuk ka përgjigje të qartë.

Krejt ndryshe edhe nga përshtypja që krijohet me largimin e ushtarëve luftarakë amerikanë, Iraku sot është shumë larg të qenët i sigurt.

Kryengritja e militantëve vazhdon të mbetet shumë aktive. Më 17 gusht, një sulmues vetëvrasës me bombë, vrau 61 rekrutë të ushtrisë irakiane në qendër të Bagdadit.

Pesë punonjës të qeverisë u vranë në një sulm nga një bombë e vendosur në veturë dhe nga sulme të tjera që ndodhën po atë ditë.

Zyrtarët irakianë thonë se në korrik humbën jetën 500 persona, përfshirë 396 civilë, duke e bërë këtë muaj me numrin më të madh të vrasjeve në dy vjet.

Mundësia për më shumë viktima në këtë konflikt është reale. Ky vlerësim mund të mbështetet në statistikat e ofruara nga një organizatë e pavarur monitoruese, “Llogaritja e trupave irakiane”, që numrin e vdekjeve e ka në mes 97 mijë deri në 106 mijë civilë.

Sa i përket demokracisë, Iraku ende nuk ka qeveri funksionale të zgjedhur për shkak të mosmarrëveshjeve për rezultatin e zgjedhjeve të marsit të kaluar. Kjo lë një vakum politik, prej të cilit rrezikohet lulëzimi i grupeve të dhunshme njëjtë, siç është Al Kaida.

Ekonomia e Irakut gjithashtu mbetet e paqëndrueshme derisa kohezioni shoqëror është i dëmtuar rëndë.

Sipas shifrave të Pentagonit, lufta në Irak ka marrë jetën e gati 1500 ushtarëve amerikanë. Për këtë arsye, entuziazmi i papërmbajtshëm i forcave amerikane që largohen prej Irakut është i kuptueshëm.

Ushtarët amerikanë gati për t'u kthyer në shtëpitë e tyre

Sidoqoftë, çka do që lënë prapa këta ushtarë, shumë pak mund të quhet paqe apo stabilitet.

Eksperti i studimeve paqësore nga Universiteti Bradford në Angli, Paul Roxhers, thotë se rezultati i kësaj lufte është krejt ndryshe nga sa është pritur të jetë në mars të 2003-ës, atëherë kur presidenti Xhorxh Bush urdhëroi pushtimin e Irakut.

“Është shumë ndryshe nga sa është pritur para 7 vjet e gjysmë, atëherë kur pritej që Iraku shumë shpejt do bëhej një shtet paqësor pro perëndimor; një shtet me ekonomi të lirë dhe shumë efektive”.


“Megjithatë, rezultati real është rreth 100 mijë civilë të vrarë, 4 milionë refugjatë dhe një luftë shumë e zgjatur ku së paku tani ka lënë një nivel tepër të lartë paqëndrueshmërie”
, thotë profesori Roxhers.

Këto pritje ngatërruese bëhen më të qarta kur dëshiron që t’i ndash fituesit nga humbësit.

Në mesin e grupeve irakiane, kurdët duket që janë fituesit më të pastër. Ata kanë arritur të fitojnë autonomi në verilindje të Irakut, një rajon ky që mbetet relativisht stabil.

Ndërkaq, jo për të gjithë, një fitues edhe më i madh konsiderohet komuniteti shiit. Ky komunitet ka fituar fuqi politike, prej së cilës ishte përjashtuar nga regjimi i Sadamit.

Atëkohë, pakica sunnite mbante frerët e shtetit. Komuniteti sunnit, krejt ndryshe nga dy komunitetet e mësipërme, ka humbur shumë në rrjedhat politike të shtatë vjetëve të kaluara.

Mirëpo, ajo që shkakton humbjen e entuziazmit në perspektivën e politikëbërjes amerikane, është përparësia strategjike e fituar nga kundërshtari satanik i SHBA-ve, Irani. Ky shtet përfitoi me rrëzimin e regjimit të Sadam Hyseinit, me të cilin luftoi për tetë vjet të përgjakshme gjatë të ‘80-tave.

Sunduesit fetar në Teheran patën mundësi që t’i shfrytëzojnë myslimanët shiitë, që përbëjnë shumicën e popullatës në Irak, që të fitojnë ndikim më të madh politik në të ardhmen.

“Irani ndoshta ka fituar më së shumti, ndërsa Arabia Saudite shumë më pak dhe për këtë ka shqetësime në mbretëri për mënyrën se si Irani e ka arritur këtë. Kjo, në fakt, nuk ka ndodhur pse shiat e Irakut janë shumë të lidhur me Iranin”. Teologjikisht, mund të thuhet se Islami i shia-ve ka më shumë vende të shenjta në Irak se sa në Iran”.

“Për këtë arsye, duhet shumë vëmendje se si iranianët po tentojnë që të ndikojnë sa më shumë. Por, prapë po them që, në përgjithësi, Irani është përfituesi më i madh i ndryshimeve në Irak, sa i përket rajonit në tërësi”
, vlerëson profesori Roxhers.

Fitimi i Iranit mund të jetë edhe humbja e Izraelit. Pak para nisjes së luftës, qeveria e atëhershme e Ariel Sharonit në Tel-Aviv, përkrahte heqjen e regjimit të Sadam Hyeseinit.

Ky qëndrim më shumë mbahej edhe për shkak të sulmeve me raketa Skud nga Iraku kundër Tel-Avivit më 1991. Në Izrael besohej gjithashtu se menjëherë pas pushtimit, duhej të investohej në Irak dhe pritej edhe një rritje e turistëve izraelitë në Irak, vendi prej nga hebrenjtë u larguan pas krijimit të shtetit të Izraelit më 1948.

Tani, politika në Izrael më shumë preokupohet me rritjen e Iranit si armiku satanik i rajonit dhe si një kërcënim potencial.

Mirëpo, me gjithë rirreshtimin e fuqive rajonale apo të brendshme në Irak, largimi i së enjtes i trupave amerikane kuptohet si trilium.

Derisa operacionet luftarake amerikane zyrtarisht do të përfundojnë në mbarim të gushtit, 50 mijë ushtarë të tjerë amerikanë do të mbesin në Irak deri në fund të vitit të ardhshëm.

Këta ushtarë tani e tutje më shumë do të jenë në pozitën e “këshilluesit”, megjithëse mund të ndërhyjnë drejtpërdrejt nëse një gjë e tillë bëhet sërish e nevojshme.

Për ekspertin irakian të shkencave politike, Hameed Fadhel, ligjërues në Universitetin e Bagdadit, Iraku do të vazhdojë të mbështetet më shumë sigurinë e ofruar nga amerikanët.

“Mendoj se prania ushtarake amerikane apo mos prania nuk do të ketë ndonjë efekt në SHBA. Shtetet e Bashkuara tani kanë ambasadën më të madhe të tyre në botë në Bagdad, nëse e masim për nga madhësia apo numri i punonjësve”.

“Megjithatë më duhet të them se Iraku është ende shumë i varur nga SHBA-të në shumë forma. P.sh., sa i përket sigurisë së jashtme irakiane, përkushtimit amerikan që të mbrojë Irakun nga sulmet e jashtme”,
shprehet profesori Fadhel.

Aktualisht në Irak, mbrojtja ajrore mbetet tërësisht në duar të amerikanëve, pasi Iraku nuk ka kushte apo pajisje që ta bëjë vetë një gjë të tillë.

Ndërkaq, për të ardhmen, pas largimit të trupave luftarake amerikane nga Iraku, pritet një rritje e organizatave private të sigurisë.

Sipas Nju Jork Tajms-it, Departamenti Amerikan i Shtetit po planifikon që të dyfishojë numrin e gardianëve privatë të sigurisë, duke angazhuar shtatë mijë të tillë që t’i mbrojnë civilët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG