Ndërlidhjet

logo-print

"Beteja” para Asamblesë së Përgjithshme


Nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme

Nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme

Analistët në Prishtinë tërheqin vërejtjen se miratimi eventual i rezolutës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të minimizonte rolin pozitiv që pati mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Por, një mundësi e tillë hidhet poshtë nga zyrtarët e Qeverisë, të cilët thonë se nëse do të ketë rezolutë, ajo do të jetë në favor të Kosovës dhe në harmoni me mendimin e GJND-së.

Qeveria e Kosovës pret që rezultatet e sesionit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, të reflektojnë me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkohë, analistët tërheqin vërejtjen se kalimi eventual i rezolutës së propozuar atje nga Serbia do të minimizonte rolin e ndikimit politik që pati mendimi pozitiv i GJND-së për pavarësinë e Kosovës.

Por, një gjë të tillë nuk e pret dhe nuk e beson zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku. Ajo thotë se nëse do të nxirret ndonjë rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme, ajo do të jetë në favor të Kosovës dhe në harmoni me mendimin e GJND-së.
Në rast se do të ketë rezolutë të miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme për përmbylljen e procesit në GJND, ajo do të reflektojë opinionin e GJND-së dhe jo diçka tjetër...


“Në rast se do të ketë rezolutë të miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme për përmbylljen e procesit në GJND, ajo do të reflektojë opinionin e GJND-së dhe jo diçka tjetër”,
thotë Çitaku.

Ndërkaq, analistët tërheqin vërejtjen se, nëse rezoluta e propozuar serbe kalon, atëherë ajo do të kishte pasoja politike për Kosovën.

Driton Lajçi thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet pritur diplomacinë evropiane dhe atë amerikane nëse do t’ia dalin që ta bindin Serbinë të heqë dorë nga rezoluta, pasi që edhe modifikimi i saj, sipas tij, nuk paraqet zgjidhje.

“Nëse ajo kalon, që do të ishte një situatë tejet e paimagjinueshme, atëherë do të balancohej, minimizohej roli politik i mendimit të GJND-së, i cili është në favor të deklaratës së pavarësisë së Kosovës”.

“Besoj se ajo nuk do ta marrë votën e duhur për t’u miratuar, sepse do të ishte e pakuptimtë dhe jo e logjikshme të votojnë një draft-rezolutë që është në kundërshtim me mendimin e GJND-së, organ ky i OKB-së"
, vlerëson Lajçi.

Analisti Driton Lajçi thekson se Serbia është në avantazh, pasi që ky vend tashmë e ka dorëzuar i pari draft-rezolutën në Nju-Jork.

Andaj, sipas tij, nismat e ndonjërit nga vendet mike të Kosovës për ndonjë rezolutë tjetër nuk mund të procedohen, pasi që bëhet fjalë për të njëjtin problem.

Driton Lajçi

“Serbia është një hap përpara. Ajo e ka dorëzuar zyrtarisht tashmë projekt-rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme dhe sipas procedurave diskutohet apo hyn në rend ditë projekt-rezoluta e parë dhe nuk ka mundësi që për të njëjtën çështje të draftohen, të dorëzohen dy projekt-rezoluta”.

“Prandaj, kjo është një situatë e palakmueshme e papritur, e madje e pafavorshme edhe për ato shtete që duan ta respektojnë mendimin e GJND-së
”, thekson Lajçi.



Në anën tjetër, zëvendësministrja Vlora Çitaku thotë se Kosova nuk është vetëm dhe se ajo si edhe në të kaluarën mbështetet nga miqtë e saj ndërkombëtarë.

Ajo shton se mund t’i sigurojë qytetarët e Kosovës se edhe në Asamblenë e Përgjithshme Kosova do të dalë fitimtare në raport me Serbinë, sikurse edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Unë vetëm mund t’ju siguroj që ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet dhe se ne gjithmonë kemi bashkërenduar përpjekjet dhe hapat tanë me partnerët ndërkombëtarë”.

“Edhe në Asamblenë e Përgjithshme nuk do të jemi vetëm dhe besojmë se edhe atje (Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së) do të dalim të suksesshëm”,
deklaron zëvendësministrja Çitaku.

Sesioni i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pritet të nisë nga mesi i muajit shtator. Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të mund të marrë pjesë atje, por shpreson që pikëpamjet e saj të paraqiten dhe mbrohen nga vendet mike.

Por, pavarësisht këtij fakti, tashmë është paralajmëruar që në Nju-Jork do të udhëtojnë udhëheqësit më të lartë të Kosovës, të cilët në margjinat e këtij sesioni, pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues e udhëheqës të shteteve të ndryshme botërore.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG