Ndërlidhjet

Suedi: Tërhiqet fletarresti kundër themeluesit të faqes WikiLeaks


Prokurorët e Suedisë e kanë tërhequr fletarrestin kundër themeluesit të faqes WikiLeaks në Internet, Julian Assange, duke thënë se dyshimet për dhunim kundër tij janë të pabaza.

Në një deklaratë të shkurtër, kryeprokurorja Eva Finne, tha sot se “nuk mendoj se ekziston arsye për dyshim se ai ka bërë dhunim”.

Më herët prokurorët patën dhënë një fletarrest për zotin Assange me akuza për dhunim dhe keqtrajtim.

WikiLeaks është faqja e cila në Internet i ka publikuar mijëra dokumente të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për aktivitetet në Afganistan dhe Irak.

Raportohet se Assange ka thënë sot se akuzat kundër tij janë “të pabaza” dhe se paraqitja e tyre në këtë moment është “thellësisht shqetësuese”.

Julian Assange, me shtetësi australiane, tha se ka për qëllim që t’i publikoj edhe 15 mijë dokumente të tjera për luftën në Afganistan.

Javën e kaluar ai ishte në Suedi, ku faqja WikiLeaks i mbanë disa nga serverët e saj.
XS
SM
MD
LG