Ndërlidhjet

Petreus: Talibanët po munden


David Petreus
David Petreus
Talibanët, në shumë rajone të Afganistanit, e kanë humbur shansin dhe raporti i forcave ka ndryshuar në dëm të tyre, tha gjenerali Dejvid Petreus, komandant i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan.

Petreus, duke folur për mediat britanike, theksoi se forcat shumëkombëshe po punojnë për vendosjen e kontrollit në zona që dikur ishin territore të sigurta për talibanët.

Petreus parasheh se forcat që ai drejton do t’u shkaktojnë humbje militantëve, e këta të fundit do t’i humbin fitoret e mëhershme, por për të realizuar një gjë të tillë, do të duhen edhe “luftime të ashpra”.

Por, vlerësimet e gjeneralit amerikan nuk janë realiste, së paku për disa analistë. Vahid Mozhdah është një prej tyre.

Sipas analistit afgan, që dikur ishte pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes së regjimit të talibanëve, deklaratat e komandantit amerikan janë më shumë për konsum të brendshëm në Shtetet e Bashkuara, por nuk reflektojnë situatën në terren.

“Mendoj se amerikanët po përpiqen t’i tregojnë popullit të vet se janë të suksesshëm në përmirësimin e gjendjes në Afganistan. Deklaratat janë bërë në biseda televizive, ku bashkëvendësit e gjeneralit janë audienca kryesore. Njerëzit brenda Afganistanit nuk po shohin se talibanët po munden
”, tha Mozhdah për Radion Evropa e Lirë.

Mozhdah, i cili është dhe autor i një libri mbi rregjimin e talibanëve, theksoi se intensifikimi i operacioneve ushtarake të perëndimorëve në Afganistan më shumë ka dëmtuar në raport me opinionin publik afgan, sesa që ka ndihmuar. Jo pak afganë mendojnë se operacionet kanë shkaktuar dëme më të mëdha në mesin e civilëve, sesa te kryengritësit.

Petreus që nga marrja e komandës, i ka forcuar rregullat e përfshirjes në përleshje të armatosura, në përpjekje që të zvogëlojë numrin e viktimave civile.
Si rezultat i këtyre masave, numri i viktimave në mesin e popullatës është ulur, por çështja vazhdon të mbetet një temë emocionale në Afganistan.

Mozhdah shtoi se strategjia e gjeneralit tashmë në pension MekKristël, për të fituar zemrat dhe mendjet e afganëve, asnjëherë nuk u zbatua tërësisht, pasi forcat perëndimore vazhdojnë të mbështeten te përdorimi i armatimit të rëndë në çdo situatë.

“Amerika po zhytet në errësirë në Afganistan. Ata flasin për një gjë sot, e tjetër gjë ditën tjetër. Kushdo që vjen këtu thotë se po i mund talibanët, por talibanët tani po trokasin në dyert e Kabulit. Për çfarë fitore ndaj talibanëve e kanë ata fjalën, fitore që ne as nuk e ndiejmë e as nuk e shohim”
, theksoi Mozhdah. (i.b)
XS
SM
MD
LG