Ndërlidhjet

Prishtina e Beogradi kanë nisur garë për të derdhur fonde për serbët në pjesën veriore të Kosovës. Analistët thonë se derisa synimet e fondeve të të dy kryeqyteteve dallojnë shumë, banorëve lokalë vështirë se do t’u përmirësohet jeta nga mjetet e zotuara.


Joshja e serbëve për t’u integruar në institucionet e Kosovës, vlerësohet të jetë një nga qëllimet e Prishtinës zyrtare, e cila ditët e fundit ka ndarë 5 milionë euro për komunat veriore dhe tetë të tjera për komunat e reja me shumicë serbe në pjesët tjera të Kosovës.

Por, përballë këtij investimi nuk ka ndenjur duarkryq qeveria e Serbisë, e cila doli kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese serbe, duke ua vazhduar shtesat në paga serbëve, që punojnë për organet paralele serbe në Kosovë.

Analistët kosovarë thonë se nga kjo betejë e dy kryeqyteteve më së paku do të përfitojnë banorët lokalë.

Driton Lajçi
Driton Lajçi shpjegon:

“Kjo garë është për të shtrirë autoritetin institucional, për të ruajtur sovranitetin në pjesën veriore të Mitrovicës më shumë sesa që është një betejë për të ngritur cilësinë e jetës së qytetarëve atje. Gjithashtu është më tepër mediatike, publike, politike sesa që është duke ndikuar në thelb në terren”.


“Institucionet e Kosovës më shumë kanë dhënë premtime, ndërsa duhet parë nëse projektet e deklaruara të Serbisë janë realizuar, sepse ekziston mundësia që aty të ketë keqpërdorime”.



Në anën tjetër, analisti Arben Qirezi konsideron se ndarja e mjeteve nga ana Qeverisë së Kosovës është një përgjigje e duhur kundrejt ndërhyrjeve të Serbisë në veri. Por, ai ngre dilemën se si do të përdoret ky fond.

“Problemi te këto investime vjen, se cili është efekti i tyre dhe kush do t’i shpenzojë ato mjete. Këto investime bëhen me shpresë se komunat në veri të vendit, banorët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe sikur në pjesët tjera të vendit, serbët lokalë do të zgjedhin autoritetet legjitime komunale”.
Investimet tjera që vijnë nga Serbia, vijnë me qëllim që ta pengojnë këtë proces, jo domosdoshmërisht integrimin e serbëve, por pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës dhe këtu qëndron çështja kyçe e destabilizimit të vendit.


“Investimet tjera që vijnë nga Serbia, vijnë me qëllim që ta pengojnë këtë proces, jo domosdoshmërisht integrimin e serbëve, por pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës dhe këtu qëndron çështja kyçe e destabilizimit të vendit”
, thotë Qirezi.

Politikanë serbë dhe qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës kanë kundërshtuar fondin e Qeverisë së Kosovës për veriun, duke e parë atë si përpjekje për të blerë popullatën lokale.


Por, autoritetet kosovare janë shprehur se synim kanë rritjen e standardit jetësor të banorëve serbë. Mirëpo, rritja e standardit jetësor, sipas Driton Lajçit, nuk mund të bëhet në një ambient, ku mungon siguria dhe nuk ka sundim ligji.

“Investimeve, zhvillimit të ekonomisë, të bizneseve, të sektorit privat, duhet t’i paraprijë ambienti i sigurt dhe ky ambient krijohet përmes institucioneve të sigurisë”.

“Institucionet e sigurisë nuk janë shumë efikase në këtë rast në Kosovë, ndërsa ato të Serbisë nuk janë të dëshirueshme dhe pa ambient të sigurt nuk ka zhvillim ekonomik, që do të thotë nuk ka as ngritje të standardit jetësor”
, shprehet Lajçi.

Në të vërtetë, vetë autoritetet kosovare shpeshherë kanë thënë se veriu është oazë e krimit për shkak të pamundësisë së autoriteteve kosovare të sigurisë që të shtrijnë kontrollin në atë pjesë të Kosovës, ku sundojnë organet paralele të financuara nga Serbia.

Driton Lajçi thotë se krahas investimeve, në veri, duhet të ofrohet dhe siguria.

“Këto duhet të shkojnë bashkërisht, aspekti i sigurisë dhe i ekonomisë dhe i politikës, në mënyrë që të shtrihet sovraniteti, në mënyrë që paratë të shkojnë me objektivin e paralajmëruar”
, thekson Lajçi.

Qeveria e Kosovës synon që përmes investimeve të zbusë klimën e tensionuar në veri. Fondi i ndarë vjen në kohën kur po përgatitet terreni për mbajtjen e zgjedhjeve për komunën e re në veri të Mitrovicës, krijimi i së cilës parashihet me Pakon e Ahtisaarit.

Serbët në pjesën veriore zakonisht kanë bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga Prishtina zyrtare.
XS
SM
MD
LG