Ndërlidhjet

Obama, Abas e Netanjahu besojnë në arritjen e paqes



Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë kanë shprehur mbështetjen për arritjen e një marrëveshje paqësore për konfliktin, gjatë procesit të bisedimeve që ka filluar në Uashington.

Kryeministri izraelit, Benxhamin Netanjahu duke iu drejtuar presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas e quajti atë “partner në paqe”.
Netanjahu shtoi se ka ardhur koha për një paqe përfundimtare.

“Çdokush humbet nëse nuk ka paqe. Kam ardhur këtu të arrijë paqen që do t’i sjellë përfitime të gjithëve. Kam ardhur këtu për të gjetur zgjidhje”, tha Netanjahu.

Abas nga ana e tij tha se beson që një ujdi paqësore mund të arrihet brenda një viti. Ai i bëri thirrje Izraelit të ngrijë zhvillimin e kolonive hebreje në Bregun Perëndimor në mënyrë që të krijohet një shtet i pavarur palestinez.

Presidenti Obama i ka bërë thirrje të dyja palëve të lënë mënjëanë mosbesimin dhe të përdorin mundësinë për paqe.

“Puna e vështirë sapo ka filluar. As suksesi, as dështimi nuk janë të pashmangshme. Por e dimë se po nuk u përpoqëm dështimi është i sigurtë. Nëse palët nuk angazhohen në këto bisedime atëherë konflikti do të vazhdojë të thellohet duke marrë jetët edhe të një brezi tjetër e këtë nuk mund ta lejojmë”, tha Obama.

Pasditen e sotme udhëheqësit palestinezë e izraelitë do të fillojnë bisedimet e para ballë për ballë në më shumë se 20 muaj.

Në prag të bisedimeve janë rritur tensionet për shkak të sulmeve të Hamasit.
XS
SM
MD
LG